Qysh "Hardh Fest" përdorë vreshtat dhe memorien muzikore për të tërhequr audiencë unike
Baballarë me fëmijë në gjoks, fëmijë që vrapojnë mes grupe të rinjsh që vallëzojnë dhe dhe një pjesë tjetër që refuzonte të kërcente, derisa rakia dhe vera i goditi të gjithë. Këto janë dy gjërat e para që kam parë në natën e parë të Hardh Fest
Ora 21:15. Qyteti është i zbrazur. Pak lokale gastronomie të hapura. Pak njerz në to. Në dalje të qytetit fillon kolona e gjatë e veturave. Jam në dilema nëse kjo ndodhë për shkak se qyteti është i vogël apo se përnjemend kishte shumë vizitor.

Kur arri tek Shtëpia e Verës e kupton se janë të dyjat nga pak. Në hyrje lexon “Hardh Fest” dhe brenda një fushe janë me qindra mijëra njerëz. Shumica venali, banor të Rahovecit. Ka shumë edhe nga Suhareka dhe rrethinat e Prizrenit dhe Malishevës. Ka familje të reja, me çifte që kënaqen por me fëmijë të vogël që nuk e di qysh mundet ta përjetojë gjithë atë volum muzike. Ka pastaj familje të mesomoshës. Fëmijët e tyre janë më të rritur, andaj janë më të lirë të kënaqen. Por pak e bëjnë atë. Pastaj janë grupet me çifte,zakonisht para të 30-ve që kanë dalë bashku. Krijojnë rreth dhe kërcejnë mes vete. #cute.

Dhe normalisht janë grupe të rinjsh e të rejash që kanë punë me dehjen. Disa të tjerë ecin përgjatë fushës ku mbahej koncerti i festivalit. Një kombinim i tillë audience shihet rrallë nëpër festivale në Kosovë. Lehtësia me të cilën gjenë veraria super të mira e të lira dhe raki “tmerrësisht të fortë” për 2 euro e bëjnë eventin edhe ma tërheqës. Jam për herë të parë në “Hardh Fest”.

Loja me memorien muzikore
Kur kam mbërri në festival, në skenë s’ishte asnjë bend. Vazhdoj të kërkoj verëra ose raki nëpër standet rreth e rreth fushës ku mbahej koncerti. I humbur mes shumë mundësive për të pirë, e kuptoj që kishte nisur dikush të këndonte. Degjoj, “Mundohem që ta harroj kohën që na bashkoi…” dhe e kuptoi që bëhet fjalë për Mentor Hazirin, këngëtarin e bendit që prej 2005-s deri ne 2010-n ishte shndërruar në një rock bend të famshëm me disa këngë dhe bashkëpunime që ishin shndërruar në hite. Karriera e shkurtë por e famshme e bendit “Kthjellu” ka pas qenë një fenomeni me veti. Këngëtari i bendit, Mentor Haziri, vazhdoi karrierën solo, megjithatë publiku e dëshmoi se këngët e bendit janë ato që kanë mbetur në memorie.

Loja me memorien e muzikës pop-rock në Kosovë është edhe pak a shumë ideja mesa duhet e organizatorëve kur kanë përzgjedhur bendet duke përfshirë edhe rikthimin e grupit të famshëm të viteve 80 TNT.
Për juve gjeneratën Z, TNT është bendi që e këndon “Moj Bjondinë me sytë e zi” që ju e dëgjoni teksa e këndojnë këngëtarët e kohës suaj e këndojnë si refren me ndonjë këngë tyren sa “për me ndezë publikun”. Ata janë formuar në vitin 1974, besoni apo jo.
Në skenë, natën e tretë do të dalë grupi “Minatori” i njohur në vitet e ‘90 deri në 2005. Ata në vitin 2016 e kanë mbajtur një koncert “30 vjet Minatori” dhe këngëtari i bendit, avokat me profesion, Naser Gjinofci është harruar kur ka dalë në skenë ne një koncert.Si të do të jenë këto dy koncerte, mbetet të shihet.
Një festival për qytetin, pastaj për të tjerët
Festivalet e agro-gastronimisë në Kosovë janë pak. Pos “Hardh Fest” në fakt nuk ka ndonjë tjetër që ka etabluar vetën. Andaj edhe publiku në të është më i veçantë si i festivaleve me tjetër natyrë në qytete tjera. Ne fakt shumica e festivaleve në Kosovë janë ose të filmit ose të muzikës. Duke qenë të tlla audienca është më shumë jashtë qytetit ku mbahet. Për shembull në Pejë kur mbahet festivali i animcionit “Anibar” muzika është mes “hip-hop, pop dhe elektronikë”, dhe për shkak se animacioni nuk është se i pëlqen shumicës, koncertet e festivalit janë me audiencë jo të qytetit por të mysafirëve.
Njejtë vlenë edhe për festivalet e tjera të filmit e dokumentarëve, sikurse “Dokufest”. Përzgjedhja e “doku nights” për audiencën që krijon dhe shikon me pasion filma e dokumentar është fenomenale por jo edhe për prizrenalitë. Për këtë arsye shumica e tyre nuk lidhen shumë me festivalin sepse nuk u duket që u takon atyre. “Hardh Fest” është një storje tjetër.
Pse? Arsyeja pse mbahet ka të bëjë me diçka shumica e banorëve të Rahovecit me rrethinë sikurse Suhareka e bëjnë në jetë: kultivimimi i vreshtave, dhe pijeve që prodhohen nga rrushi, si vera dhe rakia. Andaj edhe banorët shohin arsye për të festuar sepse është një festë për vetën. Andaj edhe vijnë shumica aty.
Mungesa e lidhjes mes banorëve lokal të qyteteve dhe festivaleve që nuk i flasin direkt qytetit ka krijuar shpesh edhe frustrime. Kam dëgjuar me qindra pejan e prizrenas gjatë kësaj dekade duke u ankuar në festivalet në qytetet e tyre, por asnjë i tillë nuk është krijuar ende. Nuk mund të pritni që “Dokufest” në Prizren e “Anibar” në Pejë ta ndërrojnë formatin për t’iu përshtatur juve. Ata kanë krijuar një festival që tejkalon qytetin, por dikush nga këto qytete mund të bëjë një festival për komunitetin e qytetit të tyre. “Hardh Fest” po e dëshmon se kjo është e mundur.





