Prej qerres me kuaj erdhëm te trotineti elektrik: Mjeti i ri i transportit po i jep frymë Prishtinës
Kosova është vend i vogël, sa troha, por megjithatë, kosovarët nuk mund t’i përshkojnë të gjitha rrugët e vendit për pak kohë. Prandaj duhen mjetet e transportit për t’u sjellë në këtë vend të vogël. Nga qerret me kuaj, te veturat Llada e Golf 2, dhe nga këta të fundit tashmë po kalojmë te trotinetët e te skuterët elektrikë.
Këto mjete inovative po i shohim përditë e më shumë, dhe po na befasojnë. Mjafton të porosisni një picë, dhe ajo s’vjen më me qerre kuajsh si dikur, e as me kerr motorik por me një trotinet elektrik.
Qytetari Visar Dema thotë se "ia vlen shumë" përdorimi i trotinetit elektrik, por aludon në ca gjëra që duhet t'i ketë parasysh një përdorues para blerjes kur e pyetëm se “a ia vlen?”
"Unë e kom ble dikun 270 euro (trotinetin elektrik) dhe normal që është ma i dobët – për shembull kah Bregu i Diellit nuk e ngreh. Me një vend të rrafshët si Tirana, të kish kry punë shumë", thotë ai.
Dema shton se investimi pak më i madh, 400-500 euro sa e potencon me numër, është investim shumë i mirë pasi me efikasitet të madh eliminon pritjet në trafik.
Sidoqoftë, çmimet e trotinetëve elektrikë po del se dallojnë, varësisht nga kualiteti i baterisë dhe gomës, të cilat mund të jenë me ajër dhe solide - këto të fundit janë më të rekomandueshme, gjithnjë sipas Bardhës, menaxhere në "Rrota Smart Electronics".

"Çmimet dallojnë varësisht nga kualiteti i baterisë dhe gomës. 6 ampera, me ni mbushje, i bon deri në 15 km. Shpejtësinë maksimale e ka 20km/h", thotë ajo.
Në dy vitet e fundit, ajo thotë se ka pasur ngritje enorme të shitjeve.
"Kemi startu prej vitit 2017. Atëherë kur e vozitsha unë, krejt më këqyrshin se nuk e dishin çka o", shton tutje Bardha.
Nëse flasim për koston e harxhimeve, ajo po del të jetë goxha premtuese dhe e leverdisshme për qytetarët e varfëruar nga çmimet e larta. "Bateria harxhon shumë pak, ndoshta në 100 kilometra, 50 centë", elaboroi e lartpërmendura.
Çmimet sillen nga 300 deri në 600-700 euro, varësisht nga detajet mekanike të mjetit, por që sipas punonjësve të lokalit në fjalë, gjatë ditëve në vijim do të furnizohen me trotinetë edhe më të shtrenjtë dhe të sofistikuar se këta që i kishin aktualisht në dispozicion.
"Nuk e kisha ndërru me kerr"
Sa prej jush realisht bini pre e nervozave e frustrimeve ditore që i shkakton trafiku ditor, i cili, në miks me të nxehtit saharian nganjëherë, mund të nxjerrë më të keqen nga ju. Qoftë në fjalosje me ndonjë bashkëpjesëmarrës tjetër trafiku, qoftë në stresin gjeneral ditor që grumbullohet nga detaje të tilla.
Valbona më nuk e ka këtë problem, pasi ajo tashmë ka hequr dorë nga vetura të cilën e përdorte për të shkuar çdo ditë në punë e për t'u maltretuar në trafikun e Vushtrrisë, duke zgjedhur trotinetin, për të cilin ajo shpenzoi rreth 300 euro, si mjet transporti.

"Une për veti nuk e kisha ndërru me kerr. Shkoj në punë e kthehna me qita. 30 minuta me këmbë e kom larg punën prej shpisë, por me trotinet (elektrik) nuk bëj as 10 minuta. Ni orë me lonë me mbushë, gjithë ditën s'po u hargjojke. Unë, djali i madh edhe i vogli e përdorim. Me këta po del ma lehtë, me kerr po bllokohesh, t'u pritë n'semafora e në kolona", tha ajo.
Pikat e dobëta
Sidoqoftë, si gjithçka dhe çdo gjë tjetër që i ka benefitet e veta, edhe kjo duhet të ketë një pikë të dobët apo ndonjë aspekt që nuk e bën aq "perfekt" sa pretendohet në ndonjë klip marketingu të kompanive që merren me shit-blerjen e tyre.
Robi, qytetar amerikan që punon dhe jeton në Kosovë, ia ka kthyer shpinën makinës të cilën e lë në parking për ta përdorur trotinetin elektrik si mjet udhëtimi nga Fushë Kosova deri në vendin e punës të cilin ai nuk e zbuloi për arsye personale.
"Nuk ka amortizerë", thotë ai për mjetin që e kishte blerë 600 euro dhe po e dorëzonte për riparim, pasi i ishin shfaqur probleme me frerët.

"Është i vështirë për kyçet e këmbës dhe gjurin. Një tjetër pikë e dobët janë rrugët jo të mira këtu në Kosovë. Madje edhe shtegu i biçikletave është shumë me gunga."
Në fakt, për të verifikuar ato që tha Robi, unë udhëtova drejt Gërmisë, ku mora me qera një trotinet elektrik me çmim prej 3 eurove për një orë.
Eksperienca ishte kryesisht e kënaqshme, por në rastet kur ngisja në trotuar, i ndërtuar me kocka, turbulenca ishte masive, derisa krijohej një shtrëngim në kyçin e këmbëve që manifestohej me dridhje në gjunj.
Një aspekt tjetër të cilin Robi e përmendi si pikë të dobët në përdorimin e trotinetit elektrik në Kosovë, janë "rrugët me gunga, madje edhe shtegu i biçikletave ka të tillë", sipas tij.
Komuna e Prishtinës së shpejti me rregullore trafiku për mjetet elektrike
Nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, pata rastin ta takoj në parkun e "Taukbashqes", jo shumë metra larg lokalit ku kisha marrë me qera trotinetin pak orë më herët.
Gjatë një diskutimi të përbashkët, ai po më njoftonte për "një mori kërkesash" që Komuna kishte marrë nga kompanitë private që të licencohen për të dhënë me qera trotinetë elektrikë.
"E kishim të pamundur atëherë në fillim të mandatit tonë që të japim leje dhe licenca të tilla, pa bazë ligjore dhe një rregullore për funksionimin e tyre", thotë Zogaj.

Sipas tij, Komuna e Prishtinës "shumë shpejt" do të dalë me një rregullore e cila do të na tregojë si të sillemi me trotinetë e pajisje të tilla elektrike në trafik.
Në fakt, qytetarët e Prishtinës do ta kenë mundësinë që të marrin trotinetin elektrik me qera në një pikë dhe ta dorëzojnë në një pikë krejt tjetër, ngjashëm siç është e mundur në qytetet tjera evropiane.
"Qytetari i Prishtinës do ta ketë mundësinë me marrë trotinetin në një pikë të caktuar, e pastaj me dorëzu në një pikë tjetër me një çmim shumë simbolik”, u shpreh Zogaj.
"Grupi punues po punon në të gjitha detajet me gjithë ekspertët e komunikacionit dhe lëvizjes së mikromobilitetit. Këta trotinetë do të përdorin kryesisht rrugët e biçikletave po edhe trotuaret, në raste të caktume edhe rrugët.”
Por a duhet që përdoruesit e këtyre pajisjeve transportuese elektrike të përdorin mjete mbrojtëse trafiku? Zogaj përgjigjet kështu: "Jemi duke e analizu këtë, a duhet me pasë secili shfrytëzues i trotinetit mbrojtësen apo jo, sepse disa qytete të mëdha të Evropës nuk kanë mbrojtëse. Do ta hedhim në diskutim publik rregulloren, pastaj edhe aty marrim reagime, para se të marrim vendimin final se si do të ecim."
Përkrah benefiteve evidente, është mëse e qartë se niveli i rrezikshmërisë për këmbësorët do të rritet me shtimin e përdorimit të mjeteve të tilla nëpër trotuare e zona të garantuara për ata që përdorin këmbët si mjet transporti.
Policia flet për rreziqet dhe numrin e aksidenteve këtë vit
Nga Policia për Rajonin e Prishtinës thonë se mungesa e shtegut ku mund të lëvizin trotinetët elektrikë po shkakton aksidente rrugore.
“Drejtuesit e këtyre mjeteve, e sidomos të trotinetëve, në shumicën e rasteve janë të moshës së mitur, të cilët nuk kanë njohuri për rregullat e komunikacionit dhe kjo ndikon në ndodhjen e aksidenteve rrugore,” thotë zyra për informim e Policisë për Rajonin e Prishtinës.
E njëjta potecon se gjatë vitit 2022, deri tash kur ka filluar përdorimi masiv i tyre për shkak të ngritjes së temperaturave, janë regjistruar 22 aksidente rrugore me motoçikleta elektrike, katër aksidente rrugore me trotinetë elektrikë, derisa janë lënduar 26 persona.
*Një ndër prioritetet kryesore të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ka qenë reduktimi i përdorimit të veturave nga qytetarët në zonat e qytetit.