Polonia i kërkon Rusisë pikturat e grabitura në Luftën e Dytë Botërore - NACIONALE

Polonia i kërkon Rusisë pikturat e grabitura në Luftën e Dytë Botërore

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ministri polak i Kulturës, ka njoftuar se Polonia do t'i kërkojë zyrtarisht Rusisë të kthejë shtatë piktura nga një muze në Moskë, të cilat janë grabitur nga Ushtria e Kuqe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas The Guardian, Piotr Gliński ka treguar se deri më tani Moskës i janë dërguar rreth 20 kërkesa për kthimin e objekteve të vjedhura gjatë luftës, por se nuk ka marrë përgjigje.

Ai ka bërë të ditur se në këto objekte përfshiheshin edhe arkivat e ish-kampit nazist në Aushvic, piktura nga Mjeshtrat e Vjetër si Dürer, Holbein dhe Cranach, si dhe dorëshkrime nga autorë polakë.

"Deri më sot qeveria ruse nuk ka shqyrtuar asnjë nga kërkesat," është shprehur Gliński në një konferencë për shtyp. Ai, më tej ka shtuar se Rusia ishte i vetmi vend në mesin e disa vendeve të tjera që nuk i ishte përgjigjur Polonisë për kërkesat e saj.

Lidhjet e tensionuara historikisht të Polonisë me Rusinë kanë arritur një nivel të ri të ulët pas pushtimit rus në Ukrainë. Ndërsa, Varshavam një ish vend i Bashkimit Sovjetik mbështet Kievin dhe është duke kërkuar më shumë sanksione ndaj Moskës.

Ministri polak ka njoftuar se kërkesa e fundit e artit ka të bëjë me shtatë piktura të artistëve italianë që ndodhen në Muzeun Shtetëror të Arteve të Bukura Pushkin në Moskë. Piktura datojnë nga shekulli i 14-të deri në shekullin e 18-të.

Gliński tha se ishte e vështirë të vlerësohej se sa pjesë e artit dhe kulturës së Polonisë është shkatërruar apo gabitur nga trupat okupuese naziste dhe sovjetike gjatë luftës, por në atë kohë besohej se muzetë polakë humbën gjysmën e koleksioneve të tyre.

"Gjurmët e qindra mijëra artikujve të çojnë në Federatën Ruse dhe në ish-republikat sovjetike," tha Gliński. Ai shtoi se Polonia "nuk do të ndalet kurrë së kërkuari sendet kulturore që i janë grabitur gjatë luftës".

Lajme të ngjashme