Përtej Fjolla Morinës: Çka duhet të dimë për “Muajt e Diasporës” – Rasti i Drenasit
“Muaji i Mërgatës” është bërë trend tashmë mes komunave të Kosovës, gjatë muajve korrik e gusht. Por, çka po u ofrohet mërgimtarëve në këta muaj?
Një festival si “Muaji i Mërgatës” që po mbahet në Drenas, të bën xheloz e ziliqar që nuk e keni pasur fatin të lindeni në këtë vend – parajsë në tokë, ku kënaqen të mëdhenj e të vegjël për një muaj me llojlloj të bëmash, me zero cent në xhep.
Në Drenas është duke u zhvilluar një festival me këtë emër, ku për 30 ditë, ka për çdo natë koncerte, e ditën plot aktivitete artistike përtej këngës.
Fillimisht mendova se po dëgjoja për herë të parë për festivale të tilla që, sipas drejtorit të eventit në fjalë, Robert Nuha, "bëhen enkas për kohën kur mërgimtarët tanë vizitojnë Kosovën".

Në përfshirje e sipër, e kuptova... kisha dëgjuar më parë për diçka të tillë por jo për ndonjë arsye fort të përqafueshme e të puthshme.
Në vitin 2019, Fjolla Morina kishte marrë pjesë në një festival të ngjashëm në Skënderaj, për të nderuar të ardhurit nga diaspora, por që përfundoi duke i 'nderuar' disa fëmijë që po hapnin gojën duke parë të pasmet e këngëtares për të cilat sakrifikoi fytyrën, që e ktheu në anën tjetër.

Ishte një pamje që shpejt mori përmasa virale. Influencerët në Facebook, natyrisht, mezi pritën të vinin në funksion intelektin për të dhënë llojlloj etiketimesh e komentesh, të përcjellura edhe nga mediet.
Sidoqoftë, aty u njoftova me festivale të tilla si këta që po u organizuakan për të nderuar mërgimtarët, të cilët në vendet ku jetojnë janë të ekspozuar ndaj llojlloj koncerti, evenimenti e festivali kulturor. Kjo në kontrast me kosovarët jo-diasporas që duhet t'i presin 'hastret' këta për të marrë një pjesë nga tortja e servuar në tavolinën edhe ashtu të begatshme të bashkëkombasve që jetojnë përtej kufijve të vendit më të izoluar në Evropë.
Pa marrë parasysh çka u tha për Fjolla Morinën dhe të bëmat e saj atë natë korriku në Skënderaj, ajo ishte shtytëse e një PiAri (PR – Marrëdhënie me Publikun) interesant që, për të keq a për të mirë, e ktheu Skenderajn dhe eventin e atëbotshëm në temë diskutimi.
Se nuk ka diçka të tillë si publiciteti i keq, pajtohej edhe kryetari i atëhershëm i kësaj komune, Bekim Jashari, i cili - ndër të tjerash - shkruante në një status në Facebook:
"Sa i përket paraqitjes skenike të Fjolla Morinës, mbrëmë, është përgjegjësi e këngëtarëve dhe më vjen mirë nga ju media që, nëpërmjet kësaj këngëtareje (mbase ka dashur ta imitojë Rita Orën, e që këtë mund ta vlerësojë publiku), t’u zgjohet kureshtja dhe të shkruani e të raportoni për aktivitetet që po ndodhin në Skenderaj.
"Shpresoj të keni interesim edhe për organizimet tjera në vazhdim".
Jashari ishte gati falenderues ndaj Morinës për aktin e saj të natës, ndërsa falënderues – duke lënë anash seksualizimin e fëmijëve - isha edhe unë që tash po njoftohesha me një aktivitet të ri kulturor, decentralizues nga qytetet e mëdha të cilat si të vetme gëzonin tërë vëmendjen mediale e shoqërore. Kjo duke lënë nën hije festivalet si "60 ditë – 60 aktivitete” për diasporën dhe ky tjetri "muaji i mërgatës në Drenas".
Njëmend, sonte në "muajin e mërgatës" do të performojë grupi "Baboo Darabuka", derisa të martën kishte rrokur skenën Gjesti, pasi Don Xhoni, Labinot Tahiri e Don Phenom po ashtu performuan ditëve të mëhershme.
‘Muaji i mërgatës’ parajsë në tokë për klasën punëtore
Një kastë aspak e dobët artistësh, apo jo? Për më tepër, ky festival është parajsë e vërtetë për klasën punëtore. Hyrja falas për të gjithë të interesuarit. Pra, s’duhet të dukesh si shaci që të marrësh pjesë në to. S’duhet as që Valon Syla të të thotë gërrnaç për t’u pranuar. Mjafton thjesht të duash.
E këtë po e shfrytëzon në maksimum populli i tretë më i varfër në Evropë, sipas "worldpopulationview" për vitin 2022, derisa në videon e mëposhtme gjatë natës kur performoi Don Xhoni, droni e ka të vështirë të shkojë aq lart sa të përthekojë komplet turmën enorme të njerëzve.
Ndjesi zilie e xhelozie për mua e të tillë si unë që nuk janë nga Drenasi për të shijuar netë të tilla ku gjithkush është i mirëseardhur, me zero shpenzime, ose të paktën jo për hyrje.
Prishtina e ka Sunny Hillin, por dilni dhe pyesni njëqind të rinj prishtinas me të ardhura mesatare se a do të jenë këtë edicion pjesë e këtij festivali, biletat e të cilit shkojnë nga 70 deri në 120 euro, dhe shikoni sa "po-ja" do të merrni.
Në anën tjetër, në Drenas vetëm thyerja e këmbëve apo komplikimet shëndetësore mund t'iu ndalojnë të merrni pjesë në spektaklin e përnatshëm për një muaj, ku përfshihen edhe një mori aktivitetesh të tjera.
"Falenderojmë sakrificën e mërgimtarëve tanë dhe (duam) t'u krijojmë mundësi që ata të kalojnë pushime sa më të mira në vendin e tyre", më tha tutje Nuha në një bisedë.
Dashuria për Drenas veç sa po shkon duke u shtuar. Një vend ku nuk bëhen dallime klasore, hyrje falas për të gjithë, organizime kulturore 30-ditore për mërgimtarët, të cilët, veç stigmës e përçmimit, asgjë tjetër nuk i pret në qytete si Prishtina.
Për më tepër, Drenasi po del të jetë një komunitet i bashkuar dhe i njëzëshëm kur bëhet fjalë për organizime të tilla.

"Është bashkëpunim i ngushtë me bizneset e qytetit, mbështetje nga Komuna dhe participime nga qytetarë e mërgimtarë të cilët duan që ky festival të ndodhë", tha tutje Nuha pasi e pyeta se si grumbullohen fondet për këtë maratonë të njëmendtë festeje.
Me Sunny Hillin që po përballet me probleme nga më të ndryshmet burokratike - përçarje politike, ndarje të grupeve shoqërore përkrahëse e jo përkrahëse, Prishtina është shndërruar në rrëmujë të vërtetë e dekurajuese për të tillë që duan të organizojnë diçka në të mirë të kulturës.
Drenasi duket 'tokë e premtuar’ edhe për organizatorë festivalesh, të cilët do të gjenin përkrahje nga biznese, mërgimtarë e qytetarë për iniciativa ku përfshihen muzika e qejfi. Respekt masiv.
Vlen të theksohet që të tillë muaj/festivale janë organizuar edhe në shumë qytete tjera të Kosovës.