Përkthyes, përkthimtari dhe një histori e shqipes
Col MEHMETI
30 shtator 2025 – Sot simbolikisht e kanë Ditën e tyre Ndërkombëtare zanatçinjtë e përkthimit.
Mbase si një nga letërnxirjet më të dobëta të Kadaresë – dhe kritika e huaj e ka fshikulluar për gjynah – romani Dimri i vetmisë së madhe në shkretinë e vet ideologjike e ka në qendër një karakter fort interesant.
Besnik Struga është përkthyes që i rastis të jetë ndërmjetës kryesor gjuhësor në bisedimet groteske mes sovjetikëve e shqiptarëve në Moskë.
Nga jashtë zoti Struga ishte veçse një shërbestar i heshtur i shtetit, një soj i atyre njerëzve të ftohtë e jointeresantë siç është imazhi ynë i parë për ata që u ka rënë hise të jenë njerëz të aparatit shtetëror.
Njohja e tij e rusishtes ishte e tillë që edhe në përkthim e sipër, në praninë e Hrushovit, bënte ndonjë parantezë sqaruese për këtë ose atë fjalë që ishte në rusishten e vjetër, por jo në atë të renë.
Dhe përkthyes kësofare, të aftë për të përkapur nuanca, ishin një xhevahir luksi në sofrën e politikanëve gdhë komunistë.
Në një çast përkthyesi përjeton një dramë brendapsiqike.
Atë e ha së brendshmi frika se mos nuk po përkthente si duhet e po i ngatërronte në bela dy vende simotra për nga ideologjia.
Çka nëse shokët sovjetikë e shqiptarë pajtoheshin për gjithçka, porse ndërmjetësi i tyre gjuhësor po krijonte sherr mes tyre duke keqpërkthyer?
Çka nëse pas plasaritjes së madhe në kamp ishte vetëm Besnik Struga?
A do të tërboheshin shokët? A do ta linte e fejuara e tij, Zana?
Dhe kështu në një skaj të letërsisë kadareane na përshfaqet bota rrallëherë e përkthyer e vetë përkthyesit.
Përkthimtaria, veprimtaria që u dha nënshtetësi shqiptare Servantesit e Fixheraldit
Një gjë duhet të thuhet sot e përgjithmonë: bashkësia e vogël e përkthyesve, kjo pakicë që gati kurrë nuk shumohet a riprodhohet, i ka bërë ndere të mëdha shqiptarizmes, ashtu sikurse edhe sherrre të mëdha.
Nderi më i madh është se kulturës sonë izolacioniste e të shkëputur ia dha të shumënevojshmen mendjehapësi.
Kjo ‘pakicë’ kombëtare ka qenë si një department brenda Ministrisë së Jashtme apo asaj të Brendshme që i pajisi me nënshtetësi shqiptare emrat më prodigjiozë të artit dhe letërsisë botërore.
Por dikur ky department, si çdo department tjetër shteti, u korruptue dhe nëpunësit e tij nisën të japin pa kritere pasaporta kulturore.
Kështu, për një moment, atdheu ynë letrar e kulturor u mbush me ‘emigrantë’ të paftuar e të pakuptimtë.
Endeshin mes nesh arabë vahabistë që flisnin një shqipe agresive, diku nxirrnin krye iranianë shiitë që prozelitonin shqip, e atje shfaqeshin edhe turq që, si lunatikë, delironin në shqip për osmanizëm.
Demaçi, Kurti e Osmani ose anglishtja si mungesë
“Ah, sikur…”, si fanitje ngushëlluese, lindin pafund.
A thua çfarë do të ndodhte sikur bartësit e lëvizjes për mëvetësi të ishin poliglotë e jo të burgosur ideologjie?
Çfarë nëse Adem Demaçi do ta dinte anglishten e nuk do të kishte nevojën për një zdral Prishtine që e bënte përkthyesin në Drejtorinë Politike të UÇK-së?
Përkthyesin me pamje hipsteri nuk e mban mend askush për shërbimet e tij prej përkthyesi në vitin 1998, por kjo ishte deriçka nga e cila u përbirua në skenën politike dhe dy dekada më vonë u bë kryeministër.
Çfarë do të ndodhte nëse drejtuesit e shtetit do të ishin në gjendje të flisnin anglisht pa praninë e një përkthyesi?
A do ta kishim, për shembull, presidente këtë që e kemi sot e që, përndryshe, zor se do të kishte mundësinë për të çarë zhguallin e një anonime provinciale?
“Ai e dinte gjuhën ilire”
Qenia kulturore e njerëzve të këtyre tërthoreve gjithnjë e ka pasur përkthimin si raison d’etre.
Fisi i përkthyesve gjithnjë shënon momentin kur përthyhen kampe, mendësi e kallëpe kulturore.
A nuk ishte i tillë edhe iliri Pleurat, të cilin mbreti maqedon Perseu e nisi në krye të një përfaqësie për t’u besëlidhur me Gentin e ilirëve?
Dhe pse u zgjodh ky ilir?
Sepse, siç na thotë Polibi, “dia to ten dialekton eidenai ten Illyrida” (e dinte gjuhën e Ilirisë).
Kur arbërit poshtë Shkumbinit u kryengritën kundër Kostandinopojës, perandori i asobotshëm bizantin Jan Kantakuzeni u niste letra përfaqësuesve të tyre, që domethënë se ekzisonte një sortë njerëzish që përkthenin letrat perandorake nga greqishtja bizantine në shqip (γράμματα ἐκαλει Βασιλικαι προς Θεσσαλονην ἐλθεῖν).
Një histori qesharake me priftin e ngjallur nga Sofokli Lazri
Kishte raste kur përkthyesit i nxirnin prej sikleti a zgripi edhe politikanët e matufepsur komunistë.
Kur Tito Sansa i gazetës torineze La Stampa
e intervistoi më 18 maj 1989 Sofokli Lazrin, ky i fundit nisi të fliste dokrra hini sesi “besimi fetar lejohej privatisht” në Shqipëri e sesi edhe vetë ai e rrëkëllente nga një gotë raki sa herë që takohej me priftin e fshatit të tij.
Me sytë që i shkëndijuan interesim, gazetari italian e pyeti për adresën e këtij prifti.
Sofokliu u zverdh sakaq dhe u dëgjua tek bënte pësht-pështe me përkthyesin e tij, Ilir Gurakuqi.

Ky përflaket në fytyrë nga marrja dhe i thotë “prifti ka vdekur para ca vjete”.
Por tash italiani ngulmon me pikëpyetje: “Po profesori vetëm sa tha që takohet me priftin…”
“Oh, unë bëra gabim në përkthim”, vijoi Gurakuqi i zënë ngushtë, “sepse prifti ka vdekur qëmoti”.
Pra, përkthyesi s’është tradhëtar siç i ka dalë nami i zi nga romuzja italiane “Traduttore, traditore”, por është edhe një deus ex machina për situata të sikletshme.
Dhe nganjëherë e ngjall edhe të vdekurin…
“Hec sunt que fuerunt translata de greco in latinum”
E kështu edhe në motin e madh të Skënderbeut.
Mes atyre qindra letrave që kanë mbijetuar, në vajtje-ardhjet diplomatike, është edhe një dokument i vitit 1428.
Ç’është e vërteta, më e rëndësishme sesa e gjithë përmbajtja është hyrja sqaruese e letrës që Gjon Kastrioti i drejtonte Senatit të Venedikut.
Aty shkruhet se kjo letër u përkthye (translata) prej greqishtes në latinisht (de greco in latinum) prej dy diplomatëve të lordit Kastriot, prej zotit Admorat dhe presbiterit Dhimitër.

Pra, suprastruktura intelektuale e Árbnit të shekullit të 15-të del se ishte tejet në korrent me trendet që i diktonte ky shekull që solli tregtinë, zhvillimin e humanizmin.
Përdorimi i greqishtes, si medium komunikimi post-bizantin, nuk është kushedi çfarë lajmi i ri po të kihet parasysh mjedisi jugballkanik.
Por, fakti që në relatat me Perëndimin ekzistonte një shtresë e kultivuar njohësish të latinishtes është shprehja më e mirë e një qytetërimi vibrant, ku bënin pjesë edhe arbërit, parardhësit tanë, që me Skënderbenë krijuan një epope. /Nacionale/