Një amerikane që la Kaliforninë për Shqipërinë: “Më e plotësuar se kurrë më parë”
Cheryl Orlov
Business Insider
Kalova 23 vjet të jetës sime në Los Angeles, ku shtëpia ime ishte dy milje prej Redondo Beach. Drejtova një kompani orendish për 32 vjet, duke e ngritur nga fillimi, dhe punova fort që të krijoja rehati për vete.
Kisha një jetë të përmbushur në Los Angeles. Krijova një rrjet të mirë miqsh dhe isha fort e gjallë, sidomos në sporte ku kërkohet durim. E dashuroj udhëtimin dhe përjetimin e kulturave të ndryshme, dhe gjithmonë thosha se qyteti është vend i mirë për të jetuar nëse nuk mund të udhëtosh në të gjithë botën.
Derisa po jetoja si mos më mirë në Los Angeles, mua po më digjte dëshira për të udhëtuar.
Udhëtoja jashtë vendit një herë ose dy në vit dhe për ca kohë kjo më plotësonte. Por më 2016, unë shkova në Afrikë në një udhëtim bamirësie. E vizitova Ugandën, Marokon dhe Afrikën e Jugut, dhe gjatë këtij udhëtimi ngjau diçka brenda meje: isha e gatshme të jetoja jashtë vendit, dhe vetëm më duhej ta mendoja se si.
Ca gjëra më dilnin përpara vetes. Isha pronare e disa pronave dhe e një biznesi që funksiononte gjithë kohën. Teksa rridhnin vitet – u bënë plot shtatë vite – fillova të shkarkohesha nga ato që i zotëroja. E zvogëlova shtëpinë, e madje fillova ta shpërbëj biznesin tim, që të gjitha këto duke e ëndërruar largimin nga Shtetet e Bashkuara.
Shqipërinë e zbulova në një podcast
Në prill 2022, po e dëgjoja një podcast, dhe një bloger që u intervistua aty foli për Shqipërinë. Kisha qenë në të gjitha kontinentet dhe thuajse në 50 vende, dhe Shqipëria deri atëherë nuk kishte qenë as në radarin tim.
Fillova të bëja një goxha kërkim. Shihja video në YouTube, madje edhe fola me femra që kishin udhëtuar vetëm dhe përvojat e tyre në Shqipëri. Në shtator 2022, unë e miku im filluan udhëtimin atje.
Gjatë udhëtimit tim njohës, unë e mora një shofer që na çoi nga qyteti në qytet. Ne përfunduam në Tiranë. Fillimisht, unë nuk doja të jetoja aty për aq sa kisha lexuar online, por kur u gjenda aty fizikisht, e kuptova që bash ky ishte vend për mua.
Kultura dhe historia e Shqipërisë është kaq e pasur – është trallisëse. Historikisht, ajo u ndikua me të madhe nga Perandoria Osmane. Vendi u çlirua prej komunizmit në vitet ’90 dhe ende është duke u zhvilluar.
Topografikisht, Shqipëria është mjaft e ngjashme me Kaliforninë. Megjithëse është vend i vogël, ajo ka Alpet Shqiptare dhe një bregdet përgjatë Detit Adriatik dhe Jon.
E dua popullin e Shqipërisë; mikpritja e tyre është e pashoqe. Ata të bëjnë të ndjehesh sikur je në shtëpi e sikur të jenë familja jote.
Ndjehem e sigurt dhe rehat ku jetoj
Pas udhëtimit njohës, unë u ktheva sërish në ShBA dhe fillova të bëja përgatitjet për të lëvizur. Shita thuajse gjithçka kisha dhe vazhdova ta shpërbëj biznesin tim.
Nuk m’u desh të aplikoja për vizë për të vizituar Shqipërinë për shkak se amerikanëve iu lejohet të qëndrojnë deri një vit pa pasur nevojë për një të tillë.
Gjeta një apartment në Tiranë, në kryeqytet, falë një kërkimi në një grup Facebook-u. Një amerikan kishte folur për pronarin, që kishte jetuar në Amerikë për gjashtë vite.
Unë po e zhvendosja gjithë jetën time në një vend të panjohur, ndaj ishte e rëndësishme të isha në një vend të mirë e të sigurt, në një ndërtesë ku njerëzit flisnin anglisht.
Në shtator 2023, u vendosa në Tiranë. Jetoj në qytet, porse në një lagje të qetë ku jetojnë shumë shqiptarë – imigrantë e mërgimtarë që priren të jetojnë më afër qendrës së qytetit.
Ndërtesa ku jetoj është një villë e përbërë prej pesë njësish ku secili nivel ka apartamentin e vet. Unë jetoj në të poshtmin dhe apartamenti im ka dy dhoma gjumi dhe një banjo. Kam marrëdhënie të mira me pronarin, dhe nuk them që është normë këtu, por paguaj 400 euro në muaj.
Edhe faturat e tjera janë mjaft të përballueshme. Zakonisht harxhoj 20 deri në 30 euro në javë për ushqim në dyqanin e lagjes, dhe kur ha drekë më kushton diku mes 15 deri në 20 euro. Autobusi kushton 0.50 dollarë, kurse taksitë zakonisht sillen rreth 5 euro.
Kurrë nuk jam ndjerë më shumë vetëvetja
Të mësosh shqip është e vështirë, por një nga sprovat më të mëdha për të jetuar këtu është sa shpesh mërgimtarët vijnë e shkojnë. Vura re që njerëzit zakonisht qëndrojnë një vit ose dy, e pastaj lëvizin.
Përkohësia është e vështirë për mua – thjesht më vjen zor të them lamtumirë. Kur isha në Kaliforni, nuk kisha pse të brengosësha kaq shumë. Ndaj, kjo është diçka me të cilën duhet të mësohem.
Nuk e di nëse Shqipëria do të jetë vendi im i përgjithmonshëm, por unë vërtet jam e lumtur këtu. Nuk e kuptoja se sa shumë e stresuar isha në Amerikë derisa u vendosa në Tiranë.
Derisa po jetoj këtu, unë po udhëtoj edhe më shumë. Nga Shqipëria, unë mund të fluturoj lehtë kudo në Evropë, Afrikë apo Azi – hëpërhë, unë jam në Malajzi. Kam përjetuar kaq shumë kultura të ndryshme, dhe përderisa kjo nuk është për secilin, tani ndihem sikur jam një person më i plotësuar. /Nacionale/