Nata e dytë në Anibar: Filma brilantë për t'i parë nga varka e 'Bestytndejë' - NACIONALE

Nata e dytë në Anibar: Filma brilantë për t'i parë nga varka e 'Bestytndejë'

4 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Nata e dytë në Anibar u përcoll me filma fantastik te Kino Liqeni, ku - ndryshe nga nata e parë - tash kishe mundësinë të shihje nga varka gome mbi ujë atë që po shfaqej në ekranin e madh.

Filmi 'A Bite of Bone' ishte i pari që u shfaq në kinemanë përtej liqenit dhe njëherit që më la përshtypje më së shumti.

Një vajzë e vogël reflekton mbi verën e fundit me babain e saj në funeralin e tij. Me ngjarjen që zhvillohet në një ishull të Japonisë, ku regjisori ishte lindur dhe rritur, filmi eksploroi marrëdhënien mes vdekjes së babait dhe depos së bombave në mal, prapa shtëpisë ku jetojnë.

Edhe vizualisht ishte jashtëzakonisht i veçantë të shikohej, me regjisorin që kishte përdorur një formë jo fort ortodokse të metodave animatike, ose të paktën ashtu ishte për mua që e shikoja me ato eksperienca amatore që kam me filmat e tillë.

Filmat si "Beware of Trains", "Letter to a Pig", "The Days that (Never) Were) dhe "Pachydarme", u shfaqën tutje në prezencën e një audience dinjitoze në numër.

Në fakt, një prej gjërave më interesante rreth Anibarit është se po mungojnë tollovitë e ambientet e dendura me njerëz, derisa hapësirat janë relativisht të qeta dhe transmetimet po përcillen me kulturë impresive shikuese.

Gjatë ditës ishte shfaqur edhe gara e Ballkanit ku morën pjesë - ndër të tjerë - dy regjisorë kosovarë, Flaka Kokolli me filmin "Shpija" dhe Arvan Berisha me filmin "Magneti".

Përveç filmave që po transmetohen, hapësirat diskutuese janë tjetër element i pandashëm i këtij edicioni.

Pas Kino Liqenit, skena u zhvendos në Kino Kubat, ambient tjetër i improvizuar me reflektorin e madh të vendosur poshtë shkallëve, ku zuri vend kategoria e garës së studentëve.

"Scroll_alice" ishte absolutisht filmi më i mirë që u shfaq në këtë event, nga Celine Ufenast, derisa zuri pamjet e ekranit gjigant si i fundit në renditje.

Filmi elaboron në marrëdhënien dashuri-urrejtje që kemi me Instagramin dhe veset e editimeve të fotove.

Pas eventeve filmike, ishte koha për programin e këngës, 'Bestytndeja' ku performoi 'Sahati', e përcjellur nga një sesion elektroje tutje nga Eptani, me festën që vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit për t'u konkluduar me një gjumë të gjatë nga unë, që nuk kisha mundur t'i rezistoja një mini shfrenimi.

Lajme të ngjashme