Lajmet për Dua Lipën në Kosovë kapin 200 milionë përdorues në internet
Ardhja dhe performanca e yllit botëror të muzikës, Dua Lipa, në vendlindjen e saj në Prishtinë, nuk është më vetëm kryengjarje për Kosovën dhe shqiptarët. Ardhja e Dua Lipës në Prishtinë është një përkthim i jashtëzakonshëm i ndikimit të saj në mediat ndërkombëtare dhe rrjedhimisht për Kosovën në botë.
“Vouge”, “Rolling Stone”, “Vanity Fair”, "The Independent" dhe “NPR” janë vetëm disa prej revistave e mediumeve të rëndësishme botërore që kanë shkruar për festivalin “Sunny Hill” në Prishtinë e në të cilën Dua Lipa performoi turneun e saj “Future Nostalgia” pas koncerteve në afër 50 vende të botës.
Për vetëm katër ditë, 4-5-6 dhe 7 gusht, ardhja e Dua Lipës në Prishtinë ka gjeneruar një stuhi lajmesh dhe raportimesh në internet. Vetëm nga raportimet e mediave të huaja, Dua Lipa ka arritur të kapë mbi 50 milionë përdorues të internetit në krejt botën, duke mos lënë anash 85 milionë ndjekësit e saj në Instagram, të cilët ka një javë që janë bombarduar me postime nga Kosova.
#SeetMeFree - 30 milionë shfaqje në internet
Teksa shifrat multi-milionëshe të ndikimit në internet shkaku i Dua Lipës vazhdojnë të rriten, organizatorët e “Sunny Hill” që mikpritën yjet botërore në 4 ditët e festivalit, ende janë duke procesuar ndikimin që kanë pasur në internet. Por një gjë është e sigurt.
“Ky ishte edicioni më i sukssesshëm i Sunny Hill Festival si për nga numri i pjesëmarrësve, numrit të vendeve prej nga kanë ardhur pjesëmarrësit në festival, ndikimit në ekonomi lokale, njerëzve me ndikim në botë që kanë qenë në Prishtinë për ta përcjellë festivalin nga afër, dhe shumë parametrave të tjerë”, ka thënë Alban Kastrati nga “Republika Agency” që organizon festivalin.
Në edicionin e kaluar, Sunny Hill Festival ka pasur mbi 550 publikime në mediat më të rëndësishme nëpër botë dhe vlera e publicitetit të krijuar për Kosovën si shtet, është vlerësuar në 23 milionë euro. Ndërkaq, ndikimi i drejtpërdrejtë në ekonominë e Prishtinës llogaritet të ketë arritur në rreth 10 milionë euro.
“Edhe këtë vit, kemi publikime të shumta në mediat e huaja, përfshirë Vogue, RollingStones e shumë media tjera të rëndësishme që krijojnë trende globale. Mirëpo mbulueshmëria mediale po vazhdon, ndërsa ne e kemi me rëndësi që mesazhet pozitive për Kosovën të depërtojnë sa më larg, posaçërisht te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ose kanë paragjykime të pabazuara ndaj nesh”, tha Kastrati për Nacionale.
Ai foli edhe për fushatën #SetMeFree që sipas tij është një nga fushatat që ka arritur të bëhet më virale sesa është planifikuar si fillim.
“Deri në këtë moment, sipas monitorimit të fushatës janë rreth 30 milionë shfaqje të mesazhit dhe rreth 90 mijë ndërveprime në rrjetet sociale. Vetëm në Facebook, për kaq pak ditë sa është mesazhi duke shkuar, janë mbi 16 mijë njerëz që e kanë përdorur si hashthag”, tha Kastrati.
Por pse kjo stuhi lajmesh dhe diskutimesh në internet sivjet ka rëndësi?

Vizat. Ose më mirë të themi, mungesa e liberalizimit të vizave, sivjet ka qenë edhe tema “politike dhe sociale” e festivalit ‘“Sunny Hill”. #SetmeFree është përdorur si sllogan për të tërhequr vëmendjen e miliona njerëzve të cilët kanë përcjellë festivalit në forma të ndryshme online. Vetëm artistët ndërkombëtarë sikurse Dua Lipa (85 milionë ndjekës), JBalvin (52 milionë), Skepta (3.3 million ndjekës), e Diplo (6 milionë) përbëjnë një audiencë mbi 140 milionë përdoruesve, që potencialiasht kanë mundur të mësojnë ose së paku të dëgjojnë për Kosovën këto ditë.
Shto këtu edhe 50 milionë përdorues të tjerë nga mediat dhe revistat e muzikës dhe artit që kanë raportuar për Dua Lipën dhe festivalin, i bie që në asnjë moment tjetër nuk ka ekzituar më shumë marketing për një çështje sikurse liberalizimi i vizave për kosovarët.
Përpos performancës së saj në “Sunny Hill” mediat ndërkombëtare janë marrë shumë dhe kanë përmendur faktin se Dua Lipa është nderuar me çmimin “Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës”, e bashkë me të edhe thirrjen që ylli botëror ka bërë për liberalizim vizash. Dua Lipa është gjithashtu personi i parë me një famë globale që është marrë direkt me lobimin për “lëvizjen e lirë” të kosovarëve.


