Kurban Bajrami: Therja horroriale e kafshëve – hoxhallarë, inspektorë e veganë flasin për Nacionalen - NACIONALE

Kurban Bajrami: Therja horroriale e kafshëve – hoxhallarë, inspektorë e veganë flasin për Nacionalen

4 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Kurban Bajrami, në mesin e një pellgu elementesh tjera, është event ku mbështetet, glorifikohet dhe përqafohet therja e kafshëve në të mirë të njerëzimit dhe solidarizimit me të varfërit – por kush po lufton kundër brutalitetit të gjitarit njeri në Kosovë?

"Kurbani simbolizon përkushtim, sakrificë, sinqeritet dhe nënshtrim ndaj vullnetit të Zotit të gjithëfuqishëm. Prerja e kurbanit në islam është obligim (Vaxhib) çdo vit për ata që kanë mundësi", më tha në një bisedë hoxhë Halil Ahmeti, pasi e pyta çka saktësisht simbolizon kurbani në islam.

Me një çmim prej 140 eurove në tregun aktual kosovar të përcaktuar me kufi minimal nga BIK-u (që për ironi, mban një akronim si sinonimi i demit), kurbani mund të vijë në formën e deles, dhisë, lopës, buallicës dhe deveve - minus dhitë e egra dhe lopët e egra që nuk lejohen të prehen me kurban, sipas ligjeve të islamit.

Lum për to!

Ja një fotografi se si e uron Bajramin një pjesë e komunitetit musliman

Tjetër parakusht për prerjen e një kurbani del të jetë mosha, me dhitë dhe delet që duhet të kenë një vit të plotë jete ose më shumë për të qenë legjitime për t'u bërë kurban. Qengji mbi gjashtë muaj, "nëse është i rritur me trup dhe nuk dallohet nga delet që janë njëvjeçare", po ashtu lejohet të shndërrohet në kurban.

Pavarësisht legjitimitetit që i jepet me fe prerjes së kafshëve për të pasuruar sofrat e të varfërve me ushqim, natyrisht se grupe të caktuara shoqërore ngrisin shqetësime për këtë fenomen që - largo nga ekuacioni religjionin - shumë lehtë mund të futet në koshin e brutalitetit dhe keqtrajtimit ndaj kafshëve – fenomen brengosës, sidomos për organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Çka thonë mbrojtësit e të drejtave të kafshëve?

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë është themeluar në prill të vitit 2018, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së kafshëve, duke u përqëndruar në aspektet legjislative të mbrojtjes së tyre dhe promovimin e dinjitetshëm të të drejtave të tyre, gjithnjë sipas të dhënave në uebfaqen e këtij fondacioni.

Themeluesja e këtij fondacioni, Elza Ramadani më tha se, marrë parasysh përfaqësimin masovik që gjen feja islame në kulturën kosovare, është e pamundur me ua ndërru mendjen njerëzve kundër therjes së kurbanëve’, pavarësisht se janë kundër kësaj dukurie, por është legale’, andaj njerëzit i therrin për simbolika të tilla fetare.

"Ne i kemi kërku Bashkësisë Islame që me u bo thirrje fermerëve që i mbajnë këto kafshë për prerje, me iu siguru të paktën ujë, mos me i lonë në diell. Kemi raste të shumta kur njerëzit që kanë shitë dele për Bajram edhe Kurban Bajram i kanë lonë në kushte shumë të këqija dhe mizore. Për neve kjo nuk ka kurrfarë arsyetimi, pasi Zoti i tyre ka thënë që duhet me u kujdesë shumë për mirëqenien edhe psikën e tyre deri te therrja. Ajo prerja hallall nuk po ndodhë, sepse kafshët vazhdimisht po mbahen në kushte jo të kontrollueshme. Këtu duhet me u kritiku agjensia e veterinarisë se tek e fundit ne jemi shtet laik, nuk është punë e Bashkësisë Islame me i rregullu kushtet e fermave, po gjithsesi Agjencioni i Veterinarisë duhet të marrë masa".

Është njëmend anomali në vete joserioziteti social me të cilin trajtohet çështja e brutalitetit kafshëror në Kosovë, jashtë territoreve urbanistike ku veprojnë sado pak grupet dhe organizatat si kjo për të drejtat e kafshëve, derisa hasja në të qeshura dhe sjellje kokash të njerëzve kur e parashtroja si problem ishte e shpeshtë.

Çka thonë nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV)?

Derisa aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve po ngrisin zërin dhe shqetësimet për parregullsitë, ata prej të cilëve po kërkohet marrja e masave duket se kanë sfidat e veta.

Me vetëm 31 inspektorë në dispozicion, AUV pretendon të mbulojë të paktën therrtoret e licencuara të cilat janë rreth 50 në numër.

Por cili do të jetë plani operacional i AUV-it për këtë vit?

"Çdo vjet kemi plan operacional. Nuk kemi plan të veçantë operacional, është plani i zakonshëm. Inspektorët do të lokalizohen në therrtore. Ju e dini se therrja bëhet në orë të caktuara, kështu që inspektorët do të jenë prezentë gjatë therjeve nëpër therrtoret e licencume. Do të mundohemi ne me mbulu atë kohë gjithqysh", thotë drejtori i AUV-it, Flamur Kadriu.

"Nuk po osht e lehtë me i mbulu tregjet ku kryhen therrje ilegale pasi po ka fluks të madh njerëzish që po dojnë i kry obligimet fetare, ne s'po mundemi me ndiku dhe kjo po e vështirëson situatën".

Në bazë të krejt asaj çka mësova gjatë kërkimeve për këtë artikull, disponimi nuk duket të jetë në rritje për krijimin e rrethanave më rigoroze që parandalojnë brutalitetin kafshëror në Kosovë. Është shumë e vështirë edhe të parashtrohet dhe të pranohet me seriozitet si çështje, në një vend me një milion probleme e papërsosmëri tjera.

Veganët të shqetësuar por ‘të pafuqishëm’

Si mishngrënës, e gjej shqetësuese komplet narracionin si trajtohet çështja e mirëqenies së kafshëve që kanë rol krucial në ekosistem, por duhet të jetë anomali e horror në vete për komunitetin e veganëve, të cilët janë kundër çdolloj forme – të kontrollueshme apo të pakontrollueshme – të therjes, dëmtimit, përdorimit apo shfrytëzimit të tyre..

Marigona, vegane tash e disa vite thotë se e gjen të vështirë ta ushtrojë kauzën që përfaqëson në vetëdijësimin e njerëzve kundër brutalitetit ndaj kafshëve për shkak të traditës qindra-vjeçare të sakrifikimit të kafshëve ku përfshihet edhe therrja e kurbanëve, por që ka arritur të ndikojë në rrethin e ngushtë deri diku.

“Veç pse është traditë diçka që ka ndodhë tepër moti, kishe me u fliju kafsha e jo fëmiu, nuk e justifikon. Nuk duhet të ndodhë kurrë. Gjithçka nga këto të dërgon drejt katastrofës”, thotë ajo.

“Familjes tem kom mbërri me ua çelë sytë pak me qët sen, edhe kurrë mo nuk kanë pre kurban prej që unë jom bo vegane. Kom arritë me ndiku pak edhe në një pjesë të shoqërisë, të cilët jon kthy në veganë, jo për shkak temin, por që ju kom tregu ‘hej, është më mirë për ty, më mirë për kafshët edhe më mirë për mjedisin”.

Në anën tjetër, Adijata – e cila është pjesë e një familjeje religjioze dhe praktikuese të fesë islame – ka kërkuar ndryshimin e këtyre ritualeve “që nuk janë relevante për botën ku jetojmë sot”.

“Unë jam që një vit e gjysmë vegane edhe mundem me thanë qe m’kanë ndërru shumë pikëpamje, prerja e dashit duke qenë një prej tyre. Pasi qe jam rritë në një familje fetare, ka qenë interesant me e bo ndamjen mes besimeve të mia dhe besimeve fetare. Besoj që çdokush e ka te drejtën e besimit, perderisa nuk i bon keq kurrkujt e kurgjofit. Po mua personalisht nuk më duket e drejtë me e perfundu jetën e një krijese të gjallë për besime që kanë kalu ndër vite e ndonjëherë m’duket që nuk janë plotesisht relevante në botën ku jetojmë sot. Qofte arsyeja për te drejta të kafshëve, për mbrojtje të ambientit, e besime personale, mendoj që disa “obligime” duhen me u ndrru ose me u përshtatë me kohën ku po jetojmë. Nuk ish dashte me sakrifiku kafshë me një botë ku po na ndërron moti tre herë ne dite për shkak te ngrohjes globale, e cila saktësisht shkaktohet mas shumti si pasojë e përpunimit e konsumimit të mishit”.

Me qëndrimet e Adijatës vështirë se do të pajtohet hoxhë Ahmeti me të cilin bisedova në fillim të këtij artikulli dhe praktikuesit e njëmendtë të fesë islame, por qëndrimet e saja dhe të Marigonës është e pamundur të quhen “të gabuara”, njejtë siç nuk mund të quhen ato të therrjes së kurbanëve me rastin e festave fetare, të cilat kanë mesazhe, tradita e shtylla të forta bindjeje ndër shekuj.

Lajme të ngjashme