Krejt e kemi në shtëpi një qese plot me qese, por çka nëse ato bëhen letra dashurie? - NACIONALE

Krejt e kemi në shtëpi një qese plot me qese, por çka nëse ato bëhen letra dashurie?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Krejt e kemi në shtëpi një qese plot me qese, por për Driton Selmanin, qeset nuk ruhen për ndonjë mundësi tjetër bartjeje, por për t’i shndërruar në vepra arti. Sot ka rreth 500 të tilla. Më të mirat janë përzgjedhur të ekspozohen në Manifesta. Selmani rrëfen në Podcast Nacionale, si u bënë qeset e plastikës vepra arti dhe a ka dashni e romanticitet në qese plastike.

Pak vepra të artit të ekspozuara në Manifesta flasin kaq direkt me “sloganin” e Bienales “Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe”, sa veprat e Driton Selmanit. Ato janë thjesht qese, jo pëlhurë si material i zakonshëm për artistët dhe veprat e artit. Por tashmë ato nuk janë vetëm qese. Janë letra dashurie.

“Love Letters” quhet seria e veprave që Selmani ka prezantuar në katin e 7 të Hotel Grand, pjesë e ekpozistës së madhe të Bienales nomade të artit “Manifesta” që do të mbahet deri më 30 tetor 2022.

“I wish you where a plastic bag, so you could be eternal” (Do të doja të ishe qese e plastikës, që të jetoje përjetësisht), mund të tingëllojë si poezi romantike, por është një fakt i pamohueshëm, sa i përket jetëgjatësisë së qeseve të plastikës në raport me jetëgjatësinë e njerëzve që i përdorin ato.

Kjo është një nga thëniet që Selmani ka shkruar në qeset e plastikës. Të tjera thënie janë gjithashtu poetike, por vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si jetojmë: “Tell them I was happy” (Tregoju që kam qenë i lumtur), “I can be red, but I feel blue” (Mund të jem e kuqe por ndjehem e kaltër).

Ai filloi të përdorë qeset e plastikës si kundër-reagim i një dashurie të shndërruar në një listë gjërash që duhet blerë në market.

Unë më bashkëshorten kemi 10 vite së bashku. Na kanë ndodhur të gjitha proceset e lidhjes, prej njoftimit deri në martesë e fëmijë. Në një moment, u frustrova sepse Blerta (bashkëshortja) më shkruante çdo ditë 'shopping list', blej aso, blej këso, sa e pyeta veten se çka ka ndodhë me dashurinë tonë”, tregon Selmani.

Por në 20 qeset e para kanë qenë të shkruara zakonisht se çka më kërkohej të blija dhe mesazhet në telefon”, thotë Selmani në Podcast Nacionale. Tash qese grumbullojnë të gjithë, nëna, shokët e artistë të tjerë nga vende të ndryshme të botës. Secila prej tyre ka një histori të vetën, ka një rrëfim të tyre, por që të dyja mund të ndryshojnë menjëherë kur në të shkruan pak tekst.

Pak më vjen për të qeshë sepse shumë njerëz mendojnë se veç unë e kam atë mundësi, me shkru tekst në një qese”, thotë Selmani.

Në këtë bisedë, Selmani flet për qeset si prodhim i shumështresuar.

Qeset janë gjithkah. Shpeshherë nuk i shohim edhe pse i kemi para syve. Qesja është sa një zbulim i hatashëm aq edhe idiot sipas Roland Bartezit në shkrimet e tij të librit për mitologjitë. Është material që jeton më gjatë se njeri. Është ekonomik, por është tepër ndotëse e natyrës”, tregon Selmani.

Teksa ai vazhdon të tregojë për qeset, në të njëjtën kohë ai ndërton rrëfime dhe narracione të ndryshme që i shkojnë edhe për shtati “tregimeve” që kanë qeset e tij.

Në këtë bisedë Selmani flet për eksperiencat e tij me njerëzit dhe se si e shohin ata vetë bërllokun që e krijojnë.

Kjo punë më ka bërë edhe që të shoh bërllokun si vlerë, e jo vetëm si mbeturinë. Ndoshta të jetuarit në bërllok ka bërë që truri im të reciklojë llojet e bërllokut, sikur të burgosurit që ja nisin me lexu burgun si diçka tjetër”, thotë Selmani.

Sipas përshkrimit kuratorial të “Manifesta”, puna e Selmanit, duke mbuluar tema nga politika te ekologjia, nga arti te filozofia, letrat plastike të dashurisë funksionojnë si njëfarë ditari që të zgjat dhjetë mijë vjet, është në fakt dokumentim i vazhdueshëm i epifanive dhe postulateve, dëshirave dhe anktheve të përditshme.

Lajme të ngjashme