Kaçakizmi – sëmundja që e shkatërroi botën shqiptare në shekullin e 19-të - NACIONALE

Kaçakizmi – sëmundja që e shkatërroi botën shqiptare në shekullin e 19-të

7 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col Mehmeti

Një nga librat padrejtësisht të nënvlerësuar e jo fort të njohur është “Pengu i kaçakëve” prej aktivistit shembullor të Rilindjes, Gjerasim Qiriazi (1858-1894).

Njësoj si libri i Bajazit Elmaz Dodës që është e vetmja anëpamje shqiptare sesi dukej transhumanca (shtegtimi gjysmënomadik i gjësë së gjallë), edhe ky libër i Qiriazit është një kronikë e rropullive të atyre që zakonisht njihen si ‘çeta’.

Paçka se e ka një vernik letrar, historia e përshkruar në libërth rri mbi këmbë të vërteta. Si e tillë, ngjarja e letrarizuar aty meriton ta ketë statusin e dëshmisë historike kur në të ardhmen do të përvijëzohet një histori mbi përditshmërinë shqiptare.

Në nëntor të motit 1884, Gjerasim Qiriazi, 27 vjeç, gjatë një udhëtimi prej Manastirit në Korçë u zu rob nga çeta e Shahin Matrakut.

Afër 30 cuba të kësaj çete e mbajnë rob Gjerasimin për rreth gjashtë muaj me shpresën se pengmarrja do të pasohej në prapakthim me një shumë të majme prej 500 lirash turke.

Për nga torturat e tmerret që përjetoi rilindësi nga Manastiri, ‘Pengu i kaçakëve’ barabaitet ku e ku me librin e Solzhenitsynit ‘Një ditë e Ivan Denisoviqit’.

Me shumë gjasë, Gjerasimi do të ishte i gjallë deri në vitet ’30 e do të bëhej sypamës i përmbushjes së të gjitha idealeve të tij: shkolla shqipe në një Shqipëri të mëvetësishme.

Por, jeta e tij ishte ditëshkurtër dhe mbaroi në moshën 35-vjeçare.

Shëndeti i tij e mori teposhtëzën nga ferri që e përjetoi në dimrin e llahtartë nëpër skërkat e përborme të krahinës së Oparit dhe nga dhuna në duart e cubave të pashpirt.

Si dëshmi e gjallë, ky libërth e shkërmoq njëherë e përgjithmonë parakonceptimin e shumicës prej nesh për një zhguall romantik të çetave. Ai i quan shkurt-e-shqip ashtu siç ishin: cuba zullumqarë e batakçi.

Për fat të keq, imazhi i rremë i këtyre banditëve fitoi truall.

E nisi dikur piktori nga Opari Spiro Xega me tablonë e tij romantike për çetën e Shahinit, dhe e vazhduan historianët e pandershëm komunistë për “çetën liridashëse” të Shahin Matrakut.

Si përçudni morale, sot e gjithë ditën një rrugë në Tiranë e mban emrin e këtij dhunuesi e krimineli, reminishencë fizike e një mendësie të mbrapshtë që e himnizon ‘Robin Hood’-izmin shqiptar.

Siç e kishte thënë një historian britanik për cubin e njohur të folklorit anglez: “Robin Hood certainly robbed the rich, but he never got round to giving to the poor” (Robin Hudi sigurisht që i plaçkiste të pasurit, por ai kurrë nuk ua jepte atë varfanjakëve).

Edhe brigandizmi (hajdutizmi) shqiptar ishte përgjegjës pse e varfëroi mikrokozmosin e fshatit shqiptar dhe rrnesën aty e bëri thjesht të padurueshme.

Kronika e Gjerasimit, megjithatë, e ruan esëllinë e të gjykuarit.

Vuajtjet e këtij shpirti besimtar protestant kurrënjëherë nuk u kthyen në urrejtje për rezilët që e torturuan deri në kufijtë e fundmë të fizikusit të tij hallligë e deri në skajet e tmerrit psiqik.

Ai, madje, vëren se shumica e cubave ishin fshatarë të ronitur nga uria e skamja, por në mesin e tyre kishte edhe aso kapadaish e mangupësh të kohës.

Në makroplan, brigandizmi nuk ishte dukuri shënjimisht shqiptare.

Siç e thotë Braudeli, gjeografika tokëkeqe e Ballkanit malor gjithnjë e ka sekretuar edhe një soj njerëzish që ekzistencën mund ta siguronin veç mujsharisht me rrëmbime, premtime e plaçkitje.

Kështu në viset dalmatine ishin ‘hajdukët’ e ‘uskokët’, në Serbi e Bosnjë ‘çetnikët’, në Greqi ‘kleftët’ dhe krahu i tyre i legal ‘armatolët’, etj.

Duke e bërë një përmbledhje rrokakrejtëse, libri i Gjerasim Qiriazit e meriton ta marrë hisen e vet tek lexuesi shqiptar.

Historia e tij ishte e njohur për anglishtfolësit tekqë libri u përkthye qysh më 1902 në anglisht si “Captured by brigands”.

Kjo ngjarje tragjike dhe e gjithë jeta e Gjerasimit është rrëfim i pabesueshëm i një shpirti besimtar e të përvutë.

Ai nuk u deluzionua në idenë e Shqipërisë eterike; përkundrazi edhe mbas lirimit nga pengmarrja Gjerasimi pati vullnet ta hovizonte arsimin shqip, kurse në tokën e shqipes të fuste plorin e lëvrimit me përkthime fetare e krestomaci të ndryshme. /Nacionale/

Lajme të ngjashme