Joker: Folie à Deux Review – Regjia nga Todd Phillips
Shkruan: Jon Krasniqi
Duke hyrë në kinema për Joker: Folie à Deux, është pothuajse e pamundur të mos kesh pritshmëri të larta. Në fund të fundit, Joker (2019) ishte një përvojë unike kinematografike, madje fitoi dhe u nominua për Oscars të shumtë. Megjithatë, më duhet ta pranoj, ndërsa Folie à Deux (Çmenduri për të Dy) nuk largohet shumë nga origjinali, ajo merr formë të guximshme në aspektin e krijimtarisë që e bëjnë atë të veçohet nga filmi i parë.
DC Studios dha dritën e gjelbër për krijimin e filmit te dytë, kryesisht bazuar në suksesin financiar të të parit, por regjisori Todd Phillips tha se do kthehej vetëm me kushtin që diçka e veçantë do t'i shtohej historisë se Arthur Fleck. Kjo "diçka" rezultoi të jetë që filmi të realizohet në zhanrin muzikal - një ndryshim zhanri që askush nuk e parashikoi të vinte në një përshtatje të nje karakteri të librave komik, e sidomos të Joker-it. Muzika bëhet mënyra e Arthur Fleck (Joker) për të shprehur emocionet e tij dhe fantazitë e tij të shtrembëruara, me Joaquin Phoenix që jep edhe një herë një portret të paharrueshëm të protagonistit të thyer dhe të çrregullt. Ideja për ta kthyer Joker në një muzikal mund të duket e çuditshme në letër, por Phillips përzien kinematografinë mbresëlënëse, muzikën dhe peshën emocionale në diçka që nuk e kemi parë ende.
Lady Gaga si Harley Quinn është zgjedhja tjetër e guximshme e filmit. Portretizimi i saj i Harley Quinn, së bashku me Jokerin e Phoenix, sjell një element të ri në film. Kimia mes Gagës dhe Phoenix shton shtresa misteri, duke e bërë audiencën të pyesë nëse ata janë dëshmitarë të një storie dashurie, manipulimit apo thjesht një çmendurie.
Është e rëndësishme të theksohet se krahasimi i Folie à Deux me origjinalin nuk është plotësisht i drejtë. Ky film ofron diçka të re – një zhytje më të thellë në psikikën e Arturit, një zhytje që shprehet përmes këngëve dhe pamjeve surreale, të cilat më pas shndërrohen në realizëm të brishtë dhe të ashpër. Për ta vlerësuar vërtetë këtë film, është e nevojshme të braktisni pritshmëritë e Joker-it të parë dhe të përqafoni këtë stil dhe narrativë të re. Ndërrimi i zhanrit të filmit është një zgjedhje interesante që mund të habisë edhe shikuesit më skeptikë të filmit.
Joaquin Phoenix dëshmon edhe një herë pse fitorja e tij në Academy Awards për Joker nuk ishte e rastësishme. Çdo skenë me të është një mjeshtri në aktrim. Duke plotësuar performancën e tij, Hildur Guðnadóttir, e cila gjithashtu fitoi një Oskar për punën e saj si producente e muzikes në Joker, rikthehet duke e bërë muzikën në skena një nga elementët më të shquar të Folie à Deux.
Mungesa e skenave tipike të aksionit, sic jemi mësuar ti shohim në filmat e superheronjve mund të zhgënjejë disa shikues, por filmi e kompenson atë duke ofruar një eksplorim të thellë psikologjik të personazheve të tij. Phillips (regjisori) na çon përmes një udhëtimi muzikor në mendjet e individëve të cilët në vend që të shihen si antagonist, duken si produkte të një shoqërie që ka kontribuar në dështimet e tyre në çdo hap.
Përfundimi i filmit ofron një ndryshim intrigues, duke lënë të kuptohet se si psikopatia famëkeqe e Joker-it mund të rishfaqet në Gotham, duke sugjeruar se trashëgimia e kaosit që filloi Arthur Flecknuk ka përfunduar.
Në thelbin e tij, Joker: Folie à Deux ofron diçka më të thellë se filmi tipik i librave komik. Ritmi i tij më i ngadaltë mund të sfidojë disa shikues, por bukuria e tij estetike, performancat e pasura dhe qasja origjinale ndaj personazhit e bëjnë atë një vazhdim të denjë. Ndërsa sigurisht nuk është aq e këndshme në përgjithësi sa paraardhësi i tij, Folie à Deux meriton duartrokitje për guximin për të thyer kufizimet dhe duke shkuar për diçka më ndryshe. Për ata që janë të gatshëm të përqafojnë këtë perspektivë të freskët, është një përvojë shume interesante.
Shikoni në kinema, prit ta shikosh ne shtëpi, apo injorojeni? Patjetër ta shihni në kinema dhe mos e paragjykoni përpara se t'i jepni një shans.
Vlerësimi: ★★★★ (4 nga 5)
Shkruan: Jon Krasniqi