Ia dhashë rastin sot bletës së vetme që nuk është punëtore - gjëja më e mirë që dëgjova tërë ditën - NACIONALE

Ia dhashë rastin sot bletës së vetme që nuk është punëtore - gjëja më e mirë që dëgjova tërë ditën

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Quhet "bletapertace" dhe veshi më mbeti te kënga e tij, "rehati", në të cilën përmbajtësisht, në disa momente, gjeta shprehje e "delivery" të servuar në mënyrë interesante.

Në tingullin ose rreshtin më të vogël ndryshe nga meloditë e të thënat e konsumuara që sillen rreth e qark nëpër estradë, mbetet vëmendja e një dëgjuesi si unë, i cili thjesht e ka të pamundur tutje ta nënvizojë më gjatë e më zëshëm shterpësinë në industrinë e muzikës shqiptare.

Asnjëherë nuk jam pajtuar me atë ndjesinë gjenerale që është ndërtuar ndër vite në audiencë se Kosova qenka një vend ku lulëzon kultura e hip-hopit dhe artit muzikor. Pavarësisht kuantitetit impresiv për një vend me popullsi 1.8 milionëshe, sasia mbetet nën hijën e mungesës së ideve inovative shprehëse/interpretuese dhe njohurive për të zhvilluar diapazonin e asaj çka duan të përcjellim te dëgjuesi.

Në këto kushte dhe gjendje, ndryshimi mund të bëhet shumë lehtë. Cllevio në Shqipëri gjeti një formë ndryshe të të shprehurit, me referenca të mençura e "fllow" të njëtrajtshëm, njëjtë edhe Elai, dhe këta të dy tash janë dy prej më të përfolurve në tregun muzikor. Jashtëzakonisht të parashikueshme janë gati të gjitha publikimet e artistëve tjerë.

Kur seniorët dështojnë, vëmendja kthehet te juniorët në dëshpërim, se mos po del dikush nga askund e po sjellë diçka me të cilën mund ta ngopim nevojën për të dëgjuar muzikë të mirë.

Artisti me nofkën "bletapertace" - kur flasim për emra kreativ ky duhet të jetë goxha lart në renditje - së fundmi m'u soll në vëmendje dhe ishte aq impresiv sa e pashë të nevojshme të shkruaja për të.

Klipi fantastik, me regji të dikujt me emrin Genc Halimi, të bën të reflektosh në zero përpjekjet e artistëve tjerë, seniorë në estradë, për t'i dhënë një shtytje kreativitetit përtej atyre të zakonshmeve, ku shfaqen në secilën skenë duke i bërë paradë vetes në skena gati gati të neveritshme.

Klipi i "rehati" nuk duket se ka tejkaluar kufijtë e shpenzimeve, dorën në zemër. Krejt çka është bërë… janë përzgjedhur disa lokacione dhe është punuar në idetë prapa, për të rezultuar në diçka tejet dinjitoze për t'u parë e dëgjuar.

"Xhointi n'buzë m'jep rehati

"Najherë edhe anxiety (ankth)

"E du procesin t'u e sillë

"E gjuha e saj qysh e përcillë

"Jo veç letrën e lëpinë, e jo veç bukën e përbinë

"Skënderbeu o krenar se edhe turke jem t'u ***"

Ndoshta jam vetëm unë, por këto vargje - sado të thjeshta që mund të tingëllojnë në lexim të parë - në miks me "deliveryn" brilant të "bletapërtace" (e dua aq shumë këtë nofkë, sa mezi pres ta kem rastin ta përmend), janë absolutisht gjëja më e mirë që kam dëgjuar sot gjatë tërë ditës... edhe pse është ende mesditë.

Kam pak info për atë se nga vjen "bletapërtace" (e shihni, prapë...), por bazuar në një rresht te "rehati", ku thotë "unë jom rrit mes Cairit", do të ishte e drejt dhe e arsyeshme të supozoja se ai vjen nga Shkupi.

Rrallëherë dëgjojmë për artistë apo përfaqësues të theksuar të skenës kulturore nga shqiptarët e kryeqytetit maqedon, por tash do ta kem një sy e vesh ekstra për bletën e vetme që nuk është punëtore.

Lajme të ngjashme