Është koha t'i japim lulet e merituara Elait: Ledri bën mirë t'i dërgojë një tufë trëndafilash pas këngës së re
Ndoshta producenti i këngës së re të Ledri Vulës, Rzon, duhet të përkujdeset për buqetën e reperi prishtinas t'i shkruaj kartolinën falënderuese.
Prej shpërthimit me "Nokia" në mesin e vitit 2021, Elai ka qenë shtimi i nevojshëm i kreativitetit e melodisë që kishte munguar gjërë e gjatë në mesin e atyre që krijojnë muzikë shqip.
Të ngulfatur në kënetën e klishesë dhe ripërsëritjes, të njëjtit rikrijonin projekte të ngjashme vazhdimisht, kjo edhe si rezultat i mungesës së inciativave të artistëve në përgjithësi për të shpenzuar më shumë kohë në gjetjen e melodive dhe tingujve inovativ, në këmbim të një hiti mjelës të atypëratyshëm. Krejt kjo, duke bërë zero hapa për ngritje reputacioni dhe kredibiliteti.
Epo, kështu ishte të paktën deri së fundmi ku, pas shpërthimit enorm të Elait, të tjerët filluan të krijojnë njëfarë ndjesie se jo gjithçka domosdoshmërisht duhet të jetë e ndërtuar në vetëm një formë dhe mënyrë.
"Nokia" ishte ndryshim loje dhe ka plot arsye pse. Kënga në fillim ka një melodi të lehtë, melankolike që shpejt plotësohet me një ritëm daulle dhe një bas pulsues. Kombinimi i këtyre elementeve në krejt projektet e Elait krijon një zë të fuqishëm e energjik që përcjell komplet këngën.
Po aq impresive sa mënyra si e ka futur veten në treg Elai është edhe fakti se përkujdeset për gjithçka që ka të bëjë rreth një projekti kur përfshihet figura dhe emri i tij. Sinqerisht, njeriu i jep kredite vetes edhe për video.
Në këngën e re të Ledrit që vjen në bashkëpunim të producentit Rzon, vërehet kokë e këmbë influenca e 23-vjeçarit nga Shqipëria, të cilit mund t'i jetë bërë komplimenti më i madh i mundshëm pa iu përmendur emri askund.
Kënga e Vulës me Rzon quhet "Rebele", u publikua një ditë më parë, dhe po ashtu ngërthen në vete në start një ritëm melankolik para rrëzimit të bitit, kur inkoroporohen daullet e ritmet pulsative.
Instrumentalët e Elait janë aq specifike dhe të veçanta, sa që do ta vëreje menjëherë influencën kur një artist tjetër shkon për të. Dhe pikërisht kjo ndodhi me Ledrin.
“Rebele” është solide, mirë e prodhuar dhe me vargje dinjitoze të reperit që dikur pati thënë: "S'jena t'njëjtin nivel, gipserat ankohën se ku m'shkelë mu këmba mo bari nuk del."
Përveç melodisë dhe qasjes në instrumental, një pjesë ku e ke të shumë të lehtë ta identifikosh inspirimin vjen specifikisht në minutën 0:52. Dëgjoni më poshtë.
Andaj, është e arsyeshme kur themi se është koha t’ia japim lulet e merituara Elait. Dhe këtë e them pa kurrfarë konotacioni negativ për Ledrin apo Rzon, të cilët kanë bërë një punë të respektueshme në këtë projekt.
Për më tepër, nuk është vetëm Ledri dhe Rzon. Dëgjoni instrumentalin e këngës së re të Capital T më poshtë.
Sidoqoftë, ajo që është më e rëndësishmja është se unë jam deri diku fans i këngës “Rebele”, të cilën nuk do ta shtoj në playlistën e telefonit (nuk është pjesë e preferencave ditore), por do ta ridëgjoj me interesim aty-këtu nëse e zë në shfaqje e sipër në TV.