Harroni moderatorët e debateve politike - ju njoftojmë me moderatorin e dasmave - NACIONALE

Harroni moderatorët e debateve politike - ju njoftojmë me moderatorin e dasmave

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Sigurisht që ju ka rënë të shihni çdo ditë, çdo natë, gjithandej, në secilën pajisje teknologjike, televizor, llaptop a telefon. Bëhet fjalë për moderatorët, të cilët deri më tani janë parë në ngjarje të ndryshme, sikurse promovime librash, ngjarje kulturore, ose ceremoni përkujtimore për figura të ndryshme. Por më së shumti, keni parë moderatorë nëpër televizione.

Ju ka rënë të shihni moderatorë të debateve politike, moderatorë të emisioneve sportive, moderatorë të industrisë së showbizz-it, apo moderatorë të motit. Por industria e dasmave ka hapur edhe një mundësi të re për moderatorët apo njerëzit e pasionuar pas prezantimit ose drejtimit të një ceremonie. Viteve të fundit, një test të tillë e kishte filluar moderatori Labinot Gashi, i njohur për emisionet e tij në RTV21 dhe tash në KTV, me emrin e njohur si “1 kafe me Labin”.

Labi, duke gëzuar një famë të madhe në industrinë e showbiznesit, ishte shndërruar në një “mysafir” të shumë ahengjeve familjare. Duke mos qenë këngëtar, Labi e gjeti veten në industrinë e dasmave, si një person që do të “organizonte lojëra” për dasmorët.

"Dua që njerëzit me më njoftë si moderator i dasmave"

Një trend i tillë është kapur nga një i ri prishtinas, Arbnor Pllana. Ai ka përfunduar studimet në menaxhment dhe marketing, por interesi i tij për profesionin e moderimit televiziv apo publik, i ka hapur atij dyer në industrinë që nuk ka të bëjë fort me profesionin e tij.

Në një bisedë për Nacionalen, Pllana tregon se në biznesin e dasmave si moderator është futur tash vonë, por ka gjetur shumë punë.

“Unë realisht jam një moderator i ri, nëse muj me qujtë veten të tillë, sa u përket dasmave. Kjo mënyra se si jam kyçë në dasma e ka goxha një histori shumë interesante”, thotë Pllana.

Ai deri më tani nuk ka pasur edhe aq shumë dasma e ahengje të tjera ku është ftuar. Sivjet ka moderuar 4-5 ahengje. Për të është e rëndësishme që në sezonën e ardhshme të jetë shumë i ngarkuar.

“Jam kyçë tash, ndoshta jashtë sezonës, sepse jemi në përfundim të sezonës, por për mua ka rëndësi. Sinqerisht dhe shumë realisht po e them që njerëzit me më njoftë si moderator i dasmave dhe me u pëlqy puna jem”, thotë ai.

Arbnori krahas kësaj pune, merret edhe me shumë aktivitete, ku përfshihen edhe aksione për rini, por edhe humanitare.

Si moderohet një dasmë?

Po si bëhesh një moderator i dasmave ose kanagjegjeve? Si përgaditet një moderator për të udhëhequr një dasmë? Një moderator në televizione zakonisht përgaditet për punën e tij me një ekip gazetarësh që krijojnë pyetjet për të ftuarit ose i shkruajnë materialet që janë pjesë e emisionit. Por, si shkruhet një skenar moderimi për dasmë?

“Fillimisht kur më kontaktojnë, më tregojnë a është dasmë apo ndonjë aheng tjetër familjar, edhe pyetja e parë që unë ua bëj është a keni diçka të veçantë, ndonjë pikë speciale, qoftë valltarë apo diçka tjetër, sepse unë duhet me ditë çdo detaj”, thotë Pllana.

Tutje, ai shpjegon se skenari i një moderimi të dasmës është një proces që kërkon shumë takime me familjen që organizon ahengun.

“Megjithatë në fund, unë tekstet e moderimit i shkruj vetë. Zakonisht lexoj edhe shumë libra të ndryshëm dhe thënie të ndryshme, mundohem që ato thënie me i kombinu në pjesën e tekstit tem edhe me shkru një tekst të bukur”, thotë Pllana.

Por çka e bën një moderim të suksesshëm në një dasmë?

“U qëndroj afër shumë ndoshta, edhe çiftit, edhe krejt familjarëve, edhe në detaje ndoshta shumë të vogla, sepse jam pak detajist, mirëpo mundohem që gjithçka me u dukë bukur dhe në fund, familja me kanë e kënaqur dhe me të ardhë me të falendëru”, thotë Pllana.

Lajme të ngjashme