Gresa Behluli, Plator Abazi dhe të tjerët: 'Dështimet' në vazhdimin e bizneseve familjare
Këngëtarët e moçëm në skenën e muzikës popullore, e kanë të gjithë një paternë të njejtë: dëshirojnë që edhe fëmijët e tyre ta kenë një karrierë në muzikë. Arsyeja duket të jetë biznesi i mirë i të qenurit këngëtar, sidomos i muzikës popullore.
Për vite kemi parë fëmijë të këngtarëve si Ilir Shaqiri, Sabri Fejzullahu, Shkelzen Jetishi, Naim Abazi, Nystret e Afrim Muqiqi, që kanë filluar karrierën e tyre në muzikë.
Më i fundit në këtë vagon të gjatë të fëmijëve që ndjekin rrugën e prindit në botën e muzikës, është djali i Afrim Muqiqit.
Emrat si Albatrit, Korab, Gresa, Plator e Ermal kanë qenë të ndërlidhur ngushtë, për të mos thënë kokë e këmbë, me baballarët e nënat e tyre që tashmë kishin stabilizuar veten në botën e muzikës popullore.
Andaj kur prezantuesja e Kanal10 tha "kohëve të fundit është krijuar një traditë prej fëmijëve të këngëtarëve të njohur që po e ndjekin rrugën e tyre" para se ta njoftonte audiencën me të ftuarin Adion Muçiqi, birin e Afrimit, i cili kishte publikuar këngë të re me titullin "xhelozi", e kishte njëfarë kuptimi ironik në vete, pavarësisht se ajo mund ta ketë menduar krejtësisht ndryshe.
Adion Muqiqi, biri i Afrimit, duket të jetë vetëm i fundit që i bashkohet vagonit të gjatë me të tillë që i kanë qëndruar prapa bizneseve të suksesshme të prindërve.
Mirë, keq - pozitive apo negative, nuk është për t'u gjykuar e as për t'u vlerësuar në këtë artikull, por është për trajtim, nuk do mend.
Sa prej fëmijëve të këngëtarëve popullore patën impakt të njëmendtë?
Emri i vetëm që të sillet në kokë në tentativë të gjetjes së përgjigjes së kësaj pyetjeje, duhet të jetë Ermal Fejzullahu.
Ermali ka arritur që me sukses ta distancojë veten nga të bëmat e babait, Sabriut, dhe të krijojë një emër autonom për veten, i përcjellur edhe nga Korabi (biri i Ilir Shaqirit), i cili njashtu e pati një periudhë dinjitoze të mini bujës para shtatë apo tetë vjetëve.
Të tjerët, e drejt të themi se kanë qenë larg përafrimit me ato që do të kishin dashur ata dhe prindërit e tyre në vazhdimin e traditës së biznesit.
Në rastin e zotit Adion, shembull, duket se është injoruar krejtësisht mosha e pubërtetit të cilës i takon ai si 17-vjeçar, për të kaluar direkt në një temë tejet delikate si “xhelozia”, ku flet për ndarjen nga një femër.
“Zotin po e lus, me të kthy prapë tek unë”, thotë ai derisa elaboron si “s’mund të jetojë pa të”. Tingëllon familjarizuese apo jo... nga babai i tij, Afrimi, i cili jo rrallëherë ka trajtuar tema të tilla përgjatë karrierës si muzikant.
Madje, Afrimi, siç shihet në pamjet e mëposhtme, i kishte dhënë një shije të tortës së madhe të asaj që mund ta priste në të ardhmen me performancën në këtë që duket të jetë lokal i rëndomtë.
Afrimi i jep mikrofonin Adionit, i cili, pasi heziton fillimisht, këndon një pjesë para se të fitojë një puthje nga babai, me shumë gjasë krenar që emri i Muqiqëve do të vazhdojë të jetë i lidhur me muzikë edhe në të ardhmen.
Me birin e Naim Abazit dhe Mihrije Brahës, Platorin, duket se gjërat qëndrojnë pak më ndryshe. Ai vendosi të “riprezentohej” me një këngë me titull të njejtë në vitin 2018. Sa më pak të flasim për atë këngë hip-hop, aq më mirë. Në fakt, ajo tash nuk ekziston fare më në YouTube, përveç një traileri 11-sekondësh “coming soon”.
Gresa Behluli duket të jetë një tjetër këngëtare e cila atë pak famë që mund ta ketë në mesin e audiencës, është kryekëput falë nënës Shkurtes, mbi emrin e të cilës tash po tenton të ndërtojë diçka edhe vajza tjetër, Besiana.
Dyshja (Gresa e Shkurte Fejza) madje kanë një mori këngësh bashkë, derisa ndër vite tashmë është bërë e qartë se do të jetë shumë e vështirë për të (Gresën) ta lë nën hije faktin se është vajza e Shkurtës, por të paktën do të mund të përfitojë sado pak nga lidhjet e nënës në skenën muzikore për të qëndruar relevante në kaçik të vetin.
Albatriti, biri i Nysret Muqiqit, është një tjetër që provoi fatin me muzikë dhe vazhdon të publikojë materiale, por është e paqartë nëse gëzon fatin e babait sa i përket popullaritetit në dasma, ku realisht qëndron oqeani i pashterrshëm i parave. Njejtë mund të themi edhe për djalin e Shkelzen Jetishi-Xeni, i cili përkundër shumë tentimeve ende mbetet thjesht djali i Xenit.
Tentimi i fëmijëve të këtyre këngëtarëve për të “dhezë” në muzikë më shumë duket sikur një tentim i prindërve të tyre këngëtarë që të vazhdojnë traditën në këtë industri. Fama dhe fitimet e mëdha që ka kjo industri, kombinuar me përvojen e prindërve të tyre, duket të ketë shërbyer si arsye e mjaftueshme për të besuar në sukses. Por, përpos Ermalit, suksesi për të tjerët duket larg.