Gjinia është fiktive: Rina Krasniqi fiton çmimin “Aktorja” dhe “Aktori’ më i mirë - pse kjo është një revolucion kosovar
Diçka e jashtëzakonshme ka ndodhur të dielën mbrëma në PriFilm Festival që u mbyll me ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Një aktore ka fituar dy çmime që zakonisht janë të ndara në sekse dhe gjini. Rina Krasniqi e cila ka luajtuar rolin kryesor në filmin “Virgjëresha” ka fituar çmimin për “Aktoren më të Mirë” dhe “Aktorin më të mirë”. Mes shumë duatroktijeve ky vendim ka shkaktuar gjithashtu shumë konfuzitet tek ata që janë mësuar të shohin që këto çmime të ndahen për dy sekse të ndryshme. Por përtej ktij konfuziteti, ky vendim i jurisë së festivalit, është një revolucion në dekonstruktimin gjinor dhe të seksit në kinematografinë kosovare por edhe në vet shoqëri. Këto janë arsyet.
Juria e këtij edicioni të festivalit të filmit “Prifilm Fest” që u mbajtë javën që shkoj në Prishtinë, vendosi që dy çmimet që zakonisht janë të ndara në sekse dhe gjini t’i jepet një personi: Rina Krasniqi. Në filmin “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit, Rina luan rolin fillimisht të Luanës, që më pas vendos të bëhet burrë ose siç njihet me termin e “Kanunit të Lekë Dukagjinit” burrneshë.
Loja e saj herë si vajzë e herë si djalë ka magjepsur jurinë sa kanë vendosur që t’ia ndajnë dy çmime. Edhe pse "Virgjëresha Shqiptare" nuk gjykon dhe nuk ngre gishtin moral, por i paraqet ngjarjet në terma realë ashtu siç mund të kishin ndodhur pikërisht atëherë në Shqipërinë e vitit 1958 apo edhe sot, vendimi i jurisë është i rëndësishëm sepse vë në pikëpyetje karakteret fiktive të gjinisë, çka është një vajzë dhe çka është një djalë ose çka është një grua e çka një burrë. Mos e ngaterroni me seksin femër dhe mashkull.
As çikë as djalë edhe çikë edhe djalë
Dallimi mes seksit dhe gjinisë ka qenë dhe mbetet një luftë që për shumë aktivistë të të drejtave të njeriut nëpër botë është një betejë që po vazhdon. Miliona njerëz në botë lindin me seksin femër por nuk ndihen të tillë. Të tjerë miliona lindin me seksin mashkull por ndjehen të kundërt. Këta njihen si transgjinorë. Por Rina Krasniqi nuk është një e tillë. Ajo është e seksit femër por që përmes lojës së saj ka treguar se gjinia është një konstrukt social, fiktiv që mund edhe të performohet. Kjo është arsye revolucionale në shoqërinë kosovare por edhe në kinematografinë kosovare.
Asnjëherë në asnjë festival tjetër të filmit a dokumentarit në shqip nuk ka ndodhur që të një aktore e seksit femër të fitojë çmim për “aktorin më të mirë”, e as anasjelltas. Në një shoqëri homofobe sikurse kjo e Kosovës, dhënia e këtij çmimi përtej vlerësimit të aktores për lojën e saj në dy role të ndryshme gjinore në aspektin kinematografik është edhe një shuplakë mentalitetit kanunor që i vendosë privilegje njerëzve në bazë të gjinisë. Pikërisht ky mentalitet është ngjarja kryesore e filmit “Virgjëreshat Shqiptare” që shpërfaqë një shoqëri - përmes dy familjeve - që jeton me rregullat e Kanunit të Lekë Dukagjinit, ku të qenit djalë ose burrë është privilegji kryesorë. Duke buruar nga këto rregulla ka lindur edhe një anomali e njohur si “burrneshat”.
Bëhet fjalë për vajzat e asaj kohe por edhe të kohës së sotme sidomos në fshatrat e thella të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat nëse kanë dashur që të gëzojnë privilegjet është dashur të heqin dorë nga gjinia apo më mirë të themi duke manipuluar me gjininë. Duke injoruar seksin femër ato vetëm përmes ndryshimit të veshjeve - duke u veshur si burrë ose duke bërë disa punë të paracaktuara për burra - kanë përfituar privilegjet që burojnë nga Kanuni. Ato janë njohur si “burrnesha”. Rina Krasniqi, duke luajtur në mënyrë të mrekullueshme të dya rolet, ka treguar se gjinia është fiktive. Që nuk ka të bëjë asgjë me atë që quhet “natyrale” ose “biologjike. Ndarja e dy çmimeve për të, ka dhënë mesazhin se ndarja gjinore shkurt e anglisht është “bullshit”.
Kjo s’është asgjë e re, por as e zakonshme
Dhënia e çmimeve “Aktori më i mirë” për një aktore ose anasjelltas nuk është diçka e re. Por as e zakonshme. Sidomos në rastin e dhënies së çmimeve “Oscar” nga Akademia e Filmit në Amerikë.Rasti më i njohur është i aktores Linda Hunt e cila fitoi çmimin “Oscar” për rolin e saj të një fotografi që ka një aferë dashurie me një diplomat, në filmin “The Year of Living Dangerously”.
Kjo kishte bërë bujë të madhe në mediat e asokohe. Ajo mbetet aktorja e vetme që ka fituar një “Oscar” për çmimin “Aktori më i mirë”. Janë edhe dy festivale të tjera që kanë krijuar së fundmi çmime për rolet aspak gjinore. Festivali i Filmit në Berlin “Berlinale” dhe ai në Zvicër“Lucarno Film Festival”, tashmë ndajnë çmime që nuk janë të përcaktuar me gjini. Ato ndajnë çmime vetëm për lojën e aktorëve dhe aktoreve në rolet e tyre. Kjo që ka bërë “PriFilm Fest” është bashkangjitje e një mentaliteti që e cilëson si të dalë jashtë mode ndarjet gjinore në rolet e filmave dhe kinematografi.
