Filmi vizatimor me dy djem homoseksualë nxit reagime në Tiranë: Kinemaja çuditërisht anulon shfaqjen
Filmi më i ri vizatimor i gjigantit filmik "Disney", "Strange World" po merr kritika pozitive në Hollivud pasi ka përfshirë dy karaktere homoseksualë tinejxherë, pas premierës botërore të martën, por jo edhe nga të gjithë në Tiranë.
"Strange World" është një film vizatimor që tregon aventurën e një grupi mes familjarësh dhe miqsh që zbulojnë një botë të re, derisa në qendër të filmit janë dy djem të vegjël që dashurohen në njëri-tjetrin.
Ky detaj i filmit ka nxitur pakënaqësi që ka rezultuar me reagim të Aleancës për Mbrojtjen e Familjes dhe Jetës në Tiranë.
Sipas stories së përgatitur nga "Ora News", përfaqësues të kësaj aleance dolën të enjten para kinemasë së Tiranës ku do të shfaqej premiera, duke u bërë thirrje prindërve të bëjnë kujdes.
Duke folur për mediet shqiptare, një përfaqësues i aleancës në fjalë, shprehet: "Dua të citoj vetëm një titull të një gazeta prestigjioze dhe shumë serioze, që thotë "filmi u mëson fëmijëve që të jenë gej dhe është gjëja më normale e mundshme'," derisa kundërshtojnë fuqishëm transmetimin e filmit në Shqipëri.
I njëjti grup aludon se transmetimi i këtij filmi për grupmoshën më fragjile është i padrejtë, derisa nënvizojnë edhe problemin me përkthimin që i është bërë titullit në shqip, nga "Strange World" në "Botë e Mrekullueshme".
Mirëpo, drejtuesja e aleancës kundër diskriminimit të LGBT në Shqipëri, Xheni Karai, për të njëjtin medium është shprehur:
"Ky është një film edukativ që vlen të shihet, për t'i mësuar fëmijët me kulturën e pranimit dhe me kulturën e respektit për tjetrin. Fëmijët janë fëmijë që janë heronj në jetën e tyre të përditshme, sepse përballen me bullizmin nëpër shkolla dhe ne këtë e dimë shumë mirë. Përballen me dhunën në familje, me dhunën në shoqëri", u shpreh ajo.
Dhe, çuditërisht, kjo mini protestë nga një grup njerëzish ndikoi që një kinema në Tiranë të anulonte premierën, duke mos treguar nëse do të kishte një datë tjetër për të interesuarit.
Sidoqoftë, grupi në fjalë nga Shqipëria nuk është i vetmi me kërkesa të tilla absurde kundër një filmi edukativ që aktualisht ka një vlerësim prej 5.1 nga IMDb dhe 75% nga Rotten Tomatoes.
Një grup nga ShBA me emrin "One Million Moms" (OMM) - një projekt i grupit kundër të drejtave të LGBT, Asociacioni i Familjeve Amerikane (AFA) - po kërkon të bojkotohet komplet kompania e “Disneyt” për filmin.
Ndërkohë, “Disney” lëshoi një komunikatë në fillim të këtij viti duke kundërshtuar ligjin e Floridës 'Mos thuaj homoseksual', i cili bëri që legjislatura e Floridës votoi për t'i dhënë fund një kontrate me “Disneyworld”.
Konservatorët protestuan përpara parqeve tematike të “Disney-“t, me të djathtët që e quanin Disney-n pedofile, satanike dhe "PEDO botë" për mbështetjen e të drejtave LGBT.
