Familjarisht, nga sallat e dasmave në Eurovision - Kush është familja Kelmendi që mundi Elsa Lilën - NACIONALE

Familjarisht, nga sallat e dasmave në Eurovision - Kush është familja Kelmendi që mundi Elsa Lilën

3 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Këngëtarja që u bë e famshme në “The Voice of Albania” duke pasur mentore Elsa Lilën, fitoi garën e Festivalit të RTSh-së duke u zgjedhur kënga fituese për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision. Kjo është Albina Kelmendi e cila së bashku me tërë familjen e saj muzikantë, do të shkojnë në Liverpool për të kënduar në skenën e Festivalit Evropian të Këngës.

Nëse kërkoni në “Youtube” me emrin e Albina Kelmendit do ju dalin video të saj nga performanca me familjen e saj në Festivalin e Këngës në RadioTelevizionin shqiptar. Kënga e saj me familje u zgjodhë nga publiku si fituese për ta përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision. Video të tjera do të ju dalin nga nisja e karrierës së saj në “The Voice of Albania” ku kishte mentore Elsa Lilën, një tjetër këngëtare pjesmarrëse në Festivalin e RTSH-së që u vlerësua me vendin e parë nga juria profesionale. Megjithatë publiku vendosi ndryshe.

E publiku Albinën dhe familjen e saj muzikantë, e njeh më së shumti nga koncertet e vogla nëpër bare, dasmat dhe ahengjet e ndryshme. Në “Youtube” Familja Kelmendi i sheh nëpër dasma dhe ahengje të ndryshme.

Por kush janë familja Kelmendi që nga sallat e dasmave do të shkojë në skenën e madhe të Festivalit Evropian të Këngës?

Bujar dhe Albana Kelmendi janë babai dhe nëna e familjes të cilët janë muzikantë me profesion. Bujari shihet teksa luan instrumente të ndryshme përfshirë violinën dhe kitarën teksa nëna shihet duke kënduar. Bujari dhe Albana kanë tre fëmijë, vajzat Sidorela dhe Albina dhe djalin Albinin. Të tretë janë muzikantë por më e njohur prej tyre është Albina. Albina së bashku me babain e saj Bujarin, sidomos janë të njohur për pjesmarrjen e tyre në dasma të ndryshme.

Së fundmi, gjjatë verës ata janë parë në disa ahengje familjare dhe tash dimrit shkuan në tiranë në skenën e Pallatit të Kongreseve. Por në skenën “mainstream” Albina është më e famshmja, andaj edhe emri i saj është i pari, ndërsa të tjerët janë vetëm si “Familja”. Ajo ka ndjekur shkollën e muzikës për klarinetë në Pejë, si dhe sekondar ka instrumentin e pianos. Ajo bashkë me familjen kanë krijuar një bandë muzikore te quajtur “Family Band”.

“Një vajzë me edukim muzikor, jo vetëm në aspektin e shkollimit, por edhe në atë familjar. Këngëtarja, e cila vjen nga një familje muzikantësh ka trashëguar prej tyre jo vetëm dëshirën dhe pasionin e madh për muzikë, por edhe një talent të jashtëzakonshëm”, thuhet në biografinë e këngëtares.

Si fitoi Familja Kelmendi?

Familja Kelmendi kishte angazhuar një kompani marketingu muaj përpara se Festivali i Këngës në RTSh të filloi. Kjo kompani marketingu ka realizuar një seri prodhimesh të materialeve propaganduese me intervista dhe të tjera duke krijuar edhe një “fan base” të madhe të publikut. Meqënse fituesi i garës, pra kënga që do të shkojë në Eurovision, u zgjodh përmes votës së publikut, më saktësisht, SMS-ave nga Kosova dhe Shqipëria, ka bërë që kënga e Albines me Familje “Duje” të fitoi garën.

Pse bëri bujë fitorja e Albinës me Familje?

Shumë njerëz nga audienca në Shqipëri kishin pritje të mëdha që fitorja këtë edicion do t’i takonte yllit të muzikës në Shqipëri, Elsa Lila, e cila u kthye në Festival pas 25 vitesh. Elsa Lila fitoi vendin e parë sipas jurisë, por ajo nuk do ta përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision. Në Shqipëri, fitorja e Albina Kelemendit u prit në forma të ndryshme.

“Për fatin e saj të keq, "Hajredin Pasha" mbetet ende pika më e lartë e karrierës muzikore të Albina Kelmendit. Kënga e saj ishte mesatare”, ka shkruar Edi Oga një nga organizatorët në dy edicione të Festivalt të RTSH-së.

Ndërsa për gazetaren Anta Muçaku, “Po mos të qe për Elsa Lilën dikur, ndoshta Albina Kelmendin sot nuk do e njihte kush”.

“Ose ndoshta-ndoshta ajo gjithsesi do kishte shpërthyer me talentin e saj! Kushedi. Ajo që di, pasi kam parë aq shumë video nga të cilat kam shkëputur disa sekuenca, është që sot Albina duhej të kishte falenderuar edhe Elsa Lilën”, ka shkruar Muçaku.

Një aktiviste e të drejtave të njeriut, Xheni Karaj e ka vlerësuar këngën e Albinës si këngë tallava.

“E treguam dhe një tjetër vit që jemi popull tallavaje 🙉.Faleminderit Elsa Lila që më ribëre të shoh Festivalin e Kënges pas kaq shume vitesh. Artistet si ti na bëjnë të ëndërrojme dhe të kuptojmë që ka akoma shpresë për artin në këtë vend”, ka shkruar Karaj.

Një tjetër aktivist, Kristi Pinderi ka shkruar se “kjo Albina mund të përfaqesojë të gjitha mejhanet në Kosove a Shqipëri bashkë”.

“Por Shqiperia e vërtetë ndihet e perfaqesuar nga Elsa”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme