"Anomali shoqërore": Spektakli kur porosisni me 500 euro komentohet nga pronari i diskotekës dhe nga një sociolog - NACIONALE

"Anomali shoqërore": Spektakli kur porosisni me 500 euro komentohet nga pronari i diskotekës dhe nga një sociolog

1 vit më parë

nga Burim Pacolli

Të gjithë e keni dhe e kemi parë, përveç nëse keni ndonjë rezistencë të theksuar ndaj rrjeteve sociale - fotografia ku shihet një grumbull kamerierësh duke shërbyer një apo disa myshterinj me një pankartë prej 500 eurove, e cila supozohet të shfaqet në formë spektakli, kur dikush porosit pije në atë vlerë. Por, si po shihet një gjë e tillë nga vetë pronari i diskotekës dhe nga një sociolg?

Fillimisht iu në vëmendje nga disa “influencerë” në Facebook, për të marrë përmasa të gjera në vazhdim.

Nuk munguan as lajmet në portale të ndryshme, të cilat nuk e panë shumë të rëndësishme që të merreshin më thellësisht me këtë gjest, por thjesht e publikuan dhe e komentuan atë që po shihej në fotografi, e cila ka mundur të vinte nga çdo cep i botës.

Nuk dihej shumë për vendin ose rrethanat ose edhe nëse ishte i vërtetë narracioni që ishte përhapur, derisa plot u përfshinë në debat.

Të gjithë erdhën në aludime se pikërisht ajo kishte ndodhur, por u injorua krejtësisht pjesa e verifikimit.

Falë Zotit që ka ende të tillë si unë, që e mora përgjegjësinë për të bërë edhe një hap tutje për të zbuluar më shumë. (Shaka ky rreshti i parë, meqë ra fjala).

Sidoqoftë, po del se fotoja, në fakt, është bërë në diskotekën "Venom", ku ju shërbeheni me këtë formë spektakli, kur porosia juaj e prek shumën prej 500 eurosh.

Çka thonë nga diskoteka “Venom”?

Një telefonatë Alex Duhanit, pronarit të diskotekës në fjalë, dhe kuptova se krejt ai narracion, që ishte hedhur në audiencë, ishte njëmend i vërtetë.

"E kam pa që ka shku viral fotoja. Çka me të thonë...është pak a shumë qashtu qysh e kanë folë, me të thonë të vërtetën", u shpreh Duhani.

"Nëse ti je shpenzues, të vjen me kartë shpenzuese. Biznesi jonë është i tillë që ne duam të respektojmë çdo klient. Shpenzuesi don me pasë një reklamim ma të madh, diçka pak më ndryshe për shpenzuesit më të veçantë", tha ai.

Hej, njerëzit shpenzojnë shuma marramendëse dhe pastaj e kanë momentin e lavdisë. Sigurisht se nuk ankohen për ritualin spektakolar.

Sidoqoftë, dikush që nuk është shumë i ngazëllyer nga ky fenomen është sociologu Labinot Konushevci.

"Kjo është një anomali shoqërore e njerëzve të kompleksuar me idiotësi të këtij tipi. Këtu po shohim një konsumerizëm që ka kaluar në hedonizëm, tragji-komikisht i shndërruar në vlerë dhe normë brenda një diskoteke për të rënë në qendër të vëmendjes dhe për të krijuar një imazh prej luksoziteti idiotesk", tha ai, kur iu kërkua një komentont nga Nacionalja.

Unë më herët e kisha pyetur Duhanin për ndjesitë e tij në lidhje me kritikat që ka marrë rituali në rrjetet sociale, teksa mora këtë përgjigje:

"Thashethemet e njerëzve nuk mundet me i ndalë askush. Po me këqyrë me qitë në atë moment edhe atë, edhe ai ka qejf me u dokë pak më i bukur, edhe më i dalluar prej të tjerëve. Por ne, kur s'i kemi punët mirë vetë, mundohemi me gjetë problem te të tjerët".

Lajme të ngjashme