“...dorëzohen nga kënaqësia”: Komentet ekstremisht seksiste të avokatit për përdhunimin që tronditën Shqipërinë
Avokati Spartak Ngjela ka shokuar opinionin publik në Shqipëri pas disa deklaratave ekstremisht seksiste dhe të pandjeshme të thëna në një intervistë.
Në një intervistë të dhënë së fundmi, z. Ngjela ka thënë fjalë të pabesueshme që po marrin denoncime gjithandej.
“Nuk e di sa është përqindja por ka raste kur femra nuk i reziston dot vështrimit të tij. Po flasim për momentin psikik, është dobësi. Nuk e ka burri, e ka vetëm gruaja. Pse nuk i reziston dot gruaja vështrimit të tij, e shumë gjëra të tjera. Psh. Në legjislacionin anglez nuk mund ta akuzosh tjetrin për përdhunim në rast se nuk ke rezistuar. Ajo duhet të rezistojë.” – shprehet z. Ngjela në fjalën e tij megjithëse nuk ofron ndonjë provë për pretendimet e tij seksiste.
“Është edhe skema e vajzës që bën sikur s’do.” – vazhdon tutje ai.
“Ato që akuzojnë X për përdhunim në bazë të të drejtës penale angleze, ata masin sa e ke segmentin e rezistencës. Se vjen një moment i caktuar që femra mbasi ka filluar të shtrëngohet për përdhunim dorëzohet nga kënaqësia.” - shton avokati kontrovers shqiptar.
“Prandaj, duhet të jetë rezistenca e madhe që ai ta dënojë, sepse mund të jetë skerco. Bën sikur s’do, këtu matet shkalla e rezistencës,” – tha ai në emisionin “Më lër të flas”.
Në fakt, as pretendimet e z. Ngjela për legjislacionin anglez nuk janë të sakta nëse marrim për bazë definicionin e përdhunimit seksual.
Gazetarja Dasara Karaiskaj e ka fyer rëndë z. Ngjela pas këtyre fjalëve seksiste:
“O Spartak Ngjela, o pis! O fëlliqësirë. O neveri. Kaq kisha, falemnderit,”
“Marrëzia duhet ndaluar! Në këtë vend, në televizione po thuhen çmendurira pafund. Spartak Ngjela ose duhet t’u kërkojë ndjesë publike grave për atë ç’ka thënë për përdhunimin ose duhet të përjashtohet nga studiot televizive përfundimisht,” – ka shkruar Edvin Kulluri.
Avokati Ngjela është vazhdimisht në studiot televizive në Republikën e Shqipërisë. Ai me profesion është avokat ndërsa ishte mes personave të dënuar në regjimin komunist shqiptar.
Për fat të keq, edhe opinioni publik në Kosovë vazhdon të mbetet shumë i përlyer me komente të tilla seksiste.