Dilema libër vs film, Apolloni: “Nëse i krahasojmë si moshë, letërsinë me filmin, atëherë filmi është një foshnje.”
“Të lexosh të gjithë librat e mirë është si të flasësh me më të mirët (njerëzit) e shekujve të kaluar.”
- Rene Descarte
“Filmi është i ashtuquajturi medium ose art i fotografive lëvizëse ose më mirë, fotografive të gjalla.”
- Alan Badiout
Libri e aktivizon përmbajtjen njerëzore dhe analitike. Të lexosh një libër do të thotë të hapësh një dritare mbi botën. Të monologosh e të dialogosh, të qash e të qeshësh, të duash e të grindesh, si të ishe mes njerëzve të gjallë, jo personazheve, a ideve. Libri stimulon imagjinatën, kjo është njëra nga arsyet më të mira të leximit të librit është se ju përdorni imagjinatën tuaj për të përshkruar karakteret dhe gjërat që i rrethojnë.
“Ka dy arsye për të lexuar një libër: një, të shijon leximi; tjetra: mund të mburresh rreth tij.”
- Bertrand Russell
Filmi na imponon imazhe në formë të konsekuencave filmike që derdhen tek shqisat tona të percepcionit. Ricciotto Canudo, teoricieni i parë, në vitin 1911 ka shkruar “Manifestin e Artit të Shtatë”, se e shtata me rradhë është filmi. Përse? Sepse gjashtë parapraket janë; artet e pikturës, artet e fjalës ku bëjnë pjesë poezia e romani, pastaj muzika dhe vallëzimi, ai ka menduar se filmi do ti bashkojë të gjitha. Që ai sot kupton me filmin ai ka një definim që nxjerr dallimin në mes asaj që është art dhe asaj që nuk është art, konsekuencat filmike që na vijnë përmes imazheve që lëvizin të sinkronizuara përmes zërit nxjerrin këtë dallim.
“Për gjërat të cilat njerëzimi nuk ka guxuar ose është friguar në jetën reale, dhe i ka përjetuar ato duke bërë realizmin e filmave dhe manifestuar atë imagjinatë nëpër filma.”
- Slavoj Žižek

Komunikimi libër-film është i ndryshëm, kjo për shkak se filmi ka 2 ose më së shumti 3 orë për të treguar tërë ngjarjen. Ndërsa libri është shumë më i gjatë dhe ka mundësi të përshkruajë shumë më shumë detaje dhe zhvillime të situatave dhe karaktereve. Në film detajet që shpesh na ikin në shikimin e parë, nuk mund të na ikin aq lehtë në leximin e parë të një libri.
Për Nacionalen është përgjigjur shkrimtari dhe studiuesi i letërsisë, ligjeruesi i lëndës “Letërsia dhe filmi” në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ag Apolloni.

Nëse jeni para dilemës të lexosh një libër apo të shikosh një film? Cilin mendon se duhet zgjedhur? Pse?
“Për shkak të formimit tim letrar, në rastet më të shpeshta zgjedh librin. Mirëpo, kjo varet për çfarë filmash dhe librash bëhet fjalë. Nëse është fjala për libra ku talenti i autorit është vetëm te linja fabulare, atëherë mund të ndodhë ta shoh vetëm filmin. Ndërsa, nëse bëhet fjalë për libra të mirëfilltë, lexoj librin, pastaj e shoh edhe filmin.”
Filmi ka ekranizar shumë e shumë romane, por pyetja është se a janë të ekranizuara në mënyrë të sukseshme apo jo?
“Nëse i krahasojmë si moshë, letërsinë me filmin, atëherë filmi është një foshnje. Mirëpo në arte, mosha është e parëndësishme, prandaj edhe filmi nuk mund të gjykohet si i paaftë për ta ekranizuar letërsinë. Janë me mijëra raste kur “përkthimi semiotik” (nga romani në film) ka rezultuar i suksesshëm. E, gjithashtu, ka mjaft raste kur filmi e ka tejkaluar romanin. Po marr shembull vetëm një regjisor: Francis Ford Coppola-n. Me vlerë ekuivalente do ta konsideroja filmin e tij “Apocalypse Now” në relacion me romanin e Joseph Conrad-it, “Heart of Darkness”. Ndërsa, me vlerë sipërore ndaj romaneve ku bazohen, janë dy filmat e tij: “Kumbari” dhe “Drakula”. Pra, dy romane, që Umberto Eco do t’i kategorizonte si “protoletërsi” (që e ushqejnë letërsinë, por s’hyjnë në kanonet e letërsisë së lartë), kanë ndihmuar në krijimin e dy filmave tashmë klasikë në zhanret përkatëse.”
Çka është një film me përmbajtje të mirë sot?
“Sot, si gjithmonë, një film me përmbajtje të mirë, është një film që i flet shikuesit në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose të tërthortë, por jo një film që e lë atë indiferent.”
Ricciotto Canudo në “Manifestin e Artit të Shtatë”, e vendos të shtatën me radhë filmin? Çfarë rangliste do të vendosnit ju filmin dhe çfarë librin?
“Mendoj se Canudo e kategorizon filmin si art të shtatë, në kuptimin e sintezës, jo të hierarkisë. Kështu që, pajtohem me të. Veçse t’i ndash artet deri në shtatë, është konceptim tradicional, artet janë më shumë se shtatë dhe filmi është sintezë e të gjithave. Pra, filmi mund të jetë arti i shtatëmbëdhjetë, varësisht si e sa e “copëtojmë” artin. Filmi nuk është vetëm art, por shumësi artesh. Kjo e bën kaq influencues te publiku, dhe kaq frikësues te sistemet tiranike, që nguten ta fusin nën kontroll.“
Nacionalia ka kontaktuar me Shkurta Bajramin (punëtore sociale):
“Unë gjithmonë do të zgjedhja të lexoj një libër. Kjo për arsye se mendoj që librat zgjerojnë më shumë njohuritë tona, e pasurojnë më shumë fjalorin tonë. Kur lexon një libër, ti futesh në një botë të re dhe ndihesh sikur e jeton ngjarjen që po lexon. Unë çdo herë i qëndroj pas thënies: ‘Kush grumbullon libra, grumbullon dëshira, e kush ka shumë dëshira, mbetet gjithnjë i ri!’”
Gjithashtu edhe me grupin “Maniakë të leximit” në rrjetin social Facebook, dhe me disa adhurues të filmit, të cilët përmendën disa arsye pse është më mirë të lexojmë libra sesa të shikojmë filma, dhe e kundërta.
“Varet nga libri. Disa libra kanë histori interesante, po nuk janë te shkruar mirë. Personazhet janë të dobët, nuk kanë botë të brendshme, etj. Këta do të ishin më të bukur si filma. Po ka edhe libra që janë të shkruar shumë bukur, po nuk kanë ndonjë histori interesante. Këta mund të lexohen vetëm për përshkrimet. Librat më të mirë i kanë të dyja, sigurisht.” - J. S.
“Në libër ti je regjisori sepse vetë imagjinon rrjedhën ndërsa në film jo.” - K.P.
“Filmi është shumë më i mirë, sepse nuk të merr shumë kohë, përjeton ngjarjet me personazhe reale, dhe në mënyrë direkte lidhesh me të.” - S. L.
Kishte edhe nga ata që thirreshin si “Maniakë të leximit”, por që adhuronin filmin.
“Mendoj librin, por përfundoj tu e këqyr filmin.” - Z . SH.
“E lexoj filmin.” - R. K.
Por, ka edhe nga ata që i bashkojnë të dyja.
“Të dyjat janë art në vete, kështu varet nga preferencat e njerëzve. Për mua janë të pandashme, shkojn bashkë.” - F.S.