“Dialog në errësirë”, ekspozita e Driton Hajredinit - NACIONALE

“Dialog në errësirë”, ekspozita e Driton Hajredinit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ekspozita ‘Dialogë në ërrësirë’-‘ Dialogue in the Dark’

E hapur për vizitor nga 15.03-05.04.2022

Më 15 mars, në ora 19:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, u mbajt hapja e ekspozitës ‘Dialog në ërrësirë’ nga artisti Driton Hajredini dhe u kurua nga Shkëlzen Maliqi (filozof, kritik arti, analist politik dhe intelektual kosovar). Ekspozita hap horizonte të një përvoje zhytëse mjaft ndërvepruse. Ju do të filloni të ndërveproni me hapësirën dhe me atë që është rreth jush. Ekspozita reflekton misteret e mëdha të dialogimit në një fazë pjesëmarrjeje, dehjeje dhe ekstaze në botë, përfaqësim dhe, në fund të fundit në “art”. Procesi artistik i dhënies formë botës sonë është në të vërtetë zanafilla e procesit jetësor të krijimit, transformimit dhe kapërcimit të vetvetes në botën artistike.

Veprat e reja të Driton Hajredinit janë vazhdimësi e begatimit të opusit të tij me tema dhe qasje me të cilat është afirmuar si eksplorues i stilit ndërkombëtar të emërtuar Fluxus Art[1], që në skenën artistike është prezent nga fundi i viteve '60 të shekullit XX, si një paraprirje e artit bashkëkohor konceptual. Mirëpo deri sa fluxus arti shquhet për nga ironia dhe tallja me tradicionalen, Driton Hajredini nuk kishte veçori e një niveli tjetër të meta-talljes. Kjo do të thotë se në veprat që ka realizuar në mediumet e ndryshme të shprehjes, nuk mjaftohet me qasjen e tij në gjuhën tradicionale, por talljet konceptuale i realizon me mjetet e trashëguara të shprehjes. Kështu, Hajredini realizon një seri pikturash konceptuale që për temë kanë narrativet e “sëmundjes” dhe dergjijeve të pikturës. Vepra më antologjike e Hajredinajt në këtë cikël është ajo që vizualizon pikturocidin, vrasjen e pikturës.

(“Kush e vrau prikturën”, 2003).

Gjatë intervistës me artistin Driton Hajredini ai është përgjigjur për ne:

Cfarë nënkupton artisti me “dialog në errësirë”?

“Me shprehjen ‘dialog’ jemi lodh si popull, mirëpo dialog në errësirë inspirimin e ka nga një video që e kam realizuar në Gjermani në 2004 me një prift katolik Opus Dei, ku i parashtroj pyetje se: a është mëkat që kam lindur si shqiptar në Kosovë? Pyetje pak a a shumë provokative se mu po më duhet vizë me shku në filan venin ti s’ki nevojë për vizë, duhet me pagu ma shumë, na u kanë mbyllë shtigjet

Ku zhvillohet dialogu?

Dialogu i gjithi zhvillohet në erësirë në kabinën e rëfimit dhe prej aty më lindi ideja që këtë ekspozitë ta titulloj dialog në errësirë dhe lart (katin II), ndërmjet punimeve ka errësirë të caktume muret janë më të errëta të ngjyrosta më shumë kom tentu me qenë ka ana teknike ma shumë muzeale. Meqë artisti komunikon me artin e vet, nëse nuk dëshiron me komuniku ai e lenë në dollap e mshel s’ka nevojë me ju tregu. Arti është pak a shumë komunikativ ai rrëfimi me priftin është dialog se edhe ai ma kthen përgjigjen, interakton me mu, përgjgjigjje mjaft interesante që më jep aty edhe për atë dialogu te ne është shumë i famshëm.”

Në shumicën e pikturave ne hasim në një valixhe. Çfarë simbolizon valixhja sipas artistit?

“Valixhja është tregim personal, tregim i popullit tim, zhvendosja, homazhi i refugjatve që unë vetë kom qenë refugjat në Gjermani 1992 që me studiu artin. Unë 4 ditë kom bo me shku në Gjermani, na jem pak a shumë me dekada jo vetëm tash është kojcidenc kjo por, po e shihni çfarë po ndodh në Ukranië 3 milion të zhvendosur,3 milion të dëbuar është shumë tragjike me lëshu vendin tënd, me u detyru me e lanë vendin tonë, është një pikturë aty, është inspirim. Unë inspirohem shumë nga fjalët e të afërmve të mi si nga djali i tezës Sami Plakollin e kom pyet kur erdhen paramelitarët me të peërzan çka tka shku mendja, çka morre me veti, më tha 3 litra qumësht për vajzën e vogël e bona pikturinë “rruga e qumshtit”, na jemi t’u jetu në galaksinë që me përkthy është “Milky way”, këto janë gjanat që mua më bëjnë përshtypje dhe kam qejf me i komuniku edhe mos m’i harru”.

Rruga e qumshtit-Milky way

Gjatë ekspozitës ne hasim çdo herë një valixhe, që ndonjë herë qëndron një sorrë ose forma të tjera artistike, Hajredini vetëm ka mundur ta ëndërrojë se do të praqitet në ankandin e shtëpive të mëdha ku blerësit janë koleksionarët e stërpasur.

Në një analizë që na jep Shkëlzen Maliqi në katalogun “Dialog në errësirë”, Maliqi theksoi: “Por, zakonisht, për së gjalli, shumica e artistëve të mëdhenj, nuk arrijnë çmimet e larta të ankandeve, kështu që edhe Hajredini nuk duhet ta humbë shpresën se një ditë sorra e tij do të shitet me çmim më dinjitoz seç do të vlerësohej sot”.

“Seria e veprave ku Hajredini tallet me artin i shtohet edhe vepra "Fotografi martese" qe paraqet Pablo Pikason me veshje klasike si dhënder, ndërkaq nusen e tij e pikturon ne stilin e portreteve karakteristike të gruas që Pikaso i ka bere ne stilin kubist, me fytyra të konstruktuara që janë perceptuar si të "deformuara". Njëfarëdore, qasja i ngjan karikaturave që janë botuar në shtypin e kohës së lulëzimit të kubizmit që përqeshnin artin avangard. Hajredini edhe me këtë vepër targeton dimensionet e shtresuara kuptimore të pikturës edhe kur ajo, në shikim të parë, duket si karikaturë ose realizim ordiner dhe kiç.

Shumica e veprave të Dritan Hajredinit, ato të hershme si dhe të rejat, janë edhe autorefleksive dhe autoironike. Me shembullin e vet ai shpesh targeton çështjen e situatave fluide dhe të pasigurta të artistit bashkëkohor në botën e sotme jo vetëm në shoqëritë në tranzicion siç është ajo kosovare, por edhe në shoqëritë e zhvilluara, ku arti gjen më shumë suport, por edhe sfidohet nga komercializmi që kontrollohet nga qarqet që krijojnë mendimin dhe grupin e tyre në “shijen publike” duke e shfrytëzuar artin për realizimin vetanak, e që motivohen nga profitet prej shit-blerjeve të artit. Ndër veprat e fundit të Hajredinit shquhet edhe vepra "Ankandi i pikturave të mia” që po kështu ironizon largësinë që ekziston mes, nga njëra anë, artistit bashkëkohor që merret me art në kushtet e pasigurisë ekzistenciale dhe, nga ana tjetër, të luksit marramendës në veprimtarinë e shtëpive të ankandeve ku veprat artistike, jo vetëm ato klasike, arrijnë çmime fantastike, deri edhe qindra milonëshe!”

Ekspozita, “Dialog në errësirë” është një ndërveprim social që synon të nxisë angazhimin ndërkomunitar me përvojat alternative për vizitorët. Për më tepër ju gjatë ekpozitës do të ngërtheheni me aspektet eksperimentale të privimit ndijor që mund të përkthehet në një ndjenjë meditimi, ose brenda vetës do të ju ngjallë një përgjigje emocionale dhe intelektuale.

Ekspozita, “Dialog në errësirë” ​​e ngre hapësirën në një përvojë rrëfimi zhytës, ndërveprues. Ju do të të filloni të ndërveproni me hapësirën dhe me atë që është rreth jush. E gjithë përvoja më bëri t'i bëjë vetes disa pyetje, se pse shoqëria është ndërtuar në këtë mënyrë të veçantë dhe a duhen përvoja të tilla për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të shoqërisë?

/Nacionale/

[1] Fluxus përndryshe e ka kuptimin e rrjedhës dhe si emërtim se pari është nga artisti lituanezo-amerikan George Maciunas. Fluxus-in e shquan qasja shpotitëse dhe mohuese ndaj pikturave tradicionale ngase konsiderohej medium i shterrur dhe jobashkëkohor shprehjes artistike, gjë që përputhej me teoritë që paralajmëronin fundin ose vdekjen e artit.

Lajme të ngjashme