Binomin e pandarë ‘Dashuni e Verë’ na e sjell vepra “Rubairat”
“Pse, pa dashuni e verë çka duhet jeta?
Si mjer’ ay që Dashuri s’ka ndjerë,
Dhe zemra s’i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo dit e shkuar,
Prej meje s’nëmërohet asnjëherë.” (fq. 36).
Omar Khayyam është një poet persian dhe një nga filozofët më me ndikim të mesjetës. Ai lindi më 18 maj të vitit 1048 në Nishapur, një qytet i lulëzuar në qarkun e Khorasanit në Iran (Persi) dhe vdiq më 4 dhjetor 1131. Ai njihet jo vetëm si një poet dhe filozof i madh, por edhe si një astronom i shquar dhe matematikan.
Vepra e tij më e famshme, “Rubairat”, u bë një simbol i fuqishëm për argumentin dhe komunikimin midis Lindjes dhe Perëndimit, që nga përkthimi i tij i parë nga Edward Fitxheraldit, i cili në gjuhën shqipe e përktheu një nga kolosët e kulturës shqiptare, F. S. Noli. Shqipërimi i “Rubairave” ishte padyshim një ngjarje e shënuar në jetën tonë kulturore-letrare, por edhe një sprovë tjetër e aftësive dhe vitalitetit të fjalës shqipe, falë talentit të madh të Nolit. Lidhja intelektuale dhe shpirtërore e Nolit me qytetërimin oriental janë të hershme. Nëpërmjet “Rubairave” të tij, ai përfaqëson një mendësi, duke marrë parasysh përvojën individuale, vajtimin dhe paraqitjet metaforike të një bote në të cilën qenies njerëzore i mungon vullneti kuptimplotë.
Ekzoticizmi i “Rubairave” dhe futja e tij e vendosmërisë, tërhoqi imagjinatën e prerafaelitëve dhe admirimi i tyre ishte i mjaftueshëm për ta bërë poemën popullore. Ishte gjithashtu interesante për lexuesit viktorianë (të cilët gjetën humanizmin si rezultat i Rilindjes) të zbulonin se edhe figura e mençur nga Persia shprehte të njëjtin nocion shekuj më parë.
Noli në parathënien e librit thotë: “lexoni Rubairat që të lehtësoni shpirtnisht.” Për më tepër ai pohoi edhe mbi autorin: “Omar Khajami agon dhe perëndon me të njajtin to shpirtnuer. Edhe në qe se e mbramja e tij asht simbol i vdekjes, ai nuk tronditet. Në dy kulmet e jetës poeti tregohet njeriu, siç asht në të vërtetën: i qeshun, i dashun me të gjithë, gjithmonë thjesht si fmija. Mbarimi i tij asht nji prendim i purpurtë shprese e gëzimi. Jeta e kalueme, dallgë e qetë, qi shtrihet mbi ranishte vdekja, pushim mbrenda nji vorri, ku miqt do të mblidhen me pi eme u de. Në çastin e mbramë orizonti kthiellohet, e nga sarkazmi i idhtë e shpotitës mbet vetëm nji ironi e lehtë e gazmore.” (fq. 38).
“Rubairat” fillon me vargjet:
1
“Natë kur flinja, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri;
Ngreh-u! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa;
Ke shekuj që të flesh në qetësi.” (fq. 43).
Për më tepër, “Rubairat” i jep lexuesit mundësinë të mendojë për marrëdhëniet e Perëndimit në përgjithësi me Lindjen dhe veçanërisht me Iranin që nga përkthimi i tij i parë në epokën viktoriane.
“Me Verë, kur t'ap shpirt, kungomëni,
Me Verë lamëni, bekomëni,
Me fletë Pjergulle pështillmëni,
Në kopsht me Këng' e Rrush mbulomëni.”
1942 (fq. 39)
Vera në “Rubairat” është dhënë si binom i pandarë me dashurinë. Edhe dashuria paraqitet në disa kuptime, si: lidhja në mes burrit dhe gruas, familjes, kombit, njerëzimit e botës në tërësi, si kult dhe adhurim i të gjitha bukurive natyrale e artistike, si dhe i gjithë idealeve njerëzore, si mall dhe dëshirë e bashkimit të mishit me trupin, të pjesës me të tërën, të njeriut me perëndinë. Prej këndej vijnë dashuria platonike, dashuria mistike e krishterë, dashuria sufiane apo Nirvana budiste. Noli shquan në konceptin e Khajamit për dashurinë se vajza ndërron kuptimin dhe rolin sipas situatave të ndryshme psikologjike dhe ç‘është më e rëndësishme, vera, dashuria, e vërteta identifikohen shpesh me perëndinë e tij. Noli vëren se, ashtu siç janë dhënë në “Rubairat”, dashuria, vera e vërteta dhe perëndia në raport me njëra-tjetrën kanë krijuar probleme të vështira dhe komplekse, të cilat i kanë ndarë mendimet e studiuesve në kohë dhe vende të ndryshme. Së fundi, nuk mund të mos tërheqim vëmendjen në këtë parashtresë, se për mendimin tonë, “Rubairat” janë jo vetëm shqipërimi më i miri poetit F. Nolit, që qëndrojnë në kufijtë e rikrijimit të vërtetë, aq sa albanologu N. Jokli e ka cilësuar si më të goditurin përkthim të E. Fitxheraldit, por edhe vepra e tij më e dashur, më e afërta, më shpirtërorja.
Khayyam sfidoi fundamentalizmin dhe mbrojti një lloj humanizmi në poezinë e tij. Një temë qendrore e katrainit të Khajam-it sillet rreth pozicionit të njerëzimit në krijimin dhe marrëdhënien e tij me Krijuesin, si dhe misterit të vdekjes dhe të botës së përtejme.
“Rubairat” mbron një lindje utopike, ekzotike të të menduarit të lirë, spiritualizmit dhe të jetuarit në të tashmen.