Antonio Rafaili ose bizantini që me vargje e rebeloi Kosovën - NACIONALE

Antonio Rafaili ose bizantini që me vargje e rebeloi Kosovën

10 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col MEHMETI

Tradita epike shqiptare mbi Betejën e Kosovës mund të ketë diku në thellësitë e saj një tharm të letërsisë kishtare që sythoi prej fundshekullit të 14-të e këndej.

Memoria popullore fare lehtë mund të jetë shërbyer në mënyrë të lirë me praktika letrare bizantine.

Kosova e asohershme u bë strehë për një numër jo të vogël bizantinësh grekofonë që vinin nga Kostandinopoja apo edhe nga vise të Greqisë së sotme kontinentale.

Në mesin e tyre ishte edhe njëfarë shkronjësi i talentuar me emrin Antonio Rafail (Άντώνιος Ραφαήλ).

Nga ata pak rreshta që shkroi për veten, ai prezantohej me llagapin ‘epaktit’ që vjen nga greqishtja Epaktos (πακτος), me kuptimin ,,i sapoardhur’’.

Sidoqoftë, kjo thërrmiqe mund të shkrehë edhe hamendjen tjetër se autori vinte prej qytetit të Lepantos ose Nafpaktosit (Ναύπακτος).

Bëhet fjalë për atë qytet shqiptaro-grek në Jon, aty ku Bizanti periferik po fitonte një jetë të re. Më 1375, despoti arbënor Gjin Bua Shpata vuri dorë mbi këtë qytet.

Megjithëse kështjella u zotërua edhe prej Kalorësve Hospitalerë, Nafpaktosi për një kohë bukur të gjatë pati për zot nipin e Gjin Bua Shpatës, Pal Shpata (Παΰλο Σπάτα).

Në rrethanat e zgjerimit osman, në maj të 1407-s ai u ujdis që qytetin t’ua kalonte venedikasve për 1500 dukatë.

Ardhja letrare e Bizantit

Mbase ky sfond ngjarjesh mund të thotë diçka për Antonio Rafailin e ri që në vend të një qyteti të kontrolluar prej katolikësh të zgjidhte Kosovën ortodokse të sunduar prej despotit Stefan Lazarević.

Meqë ky ardhacak me vokacion u gjend në një vend ku kujtimi, lieu de mémoire, për betejën e Kosovës ishte i kudopranishëm, ai më 1419 ose 1420 shkroi në sllavishte kishtare një eulogji për Llazarin, të atin e patronit të tij (“Slovo o svetom knezu Lazaru”).

Ky tekst në vargje – që në latinçe do të titullzohej fare mirë si Eulogium comitis Lazari – i mëshonte një tradite brendakristiane që e përnaltësonte martirizimin gjer në nivel kulti.

Praktika e slovo-ve ose adresimeve në letërsinë kishtare sllave ishte huamarrja më e rëndësishme nga letërsia mesjetare bizantine (λόγος).

Bëhej fjalë për një gjini letrare që trajtonte një çështje të caktuar biblike apo nga kalendari kishtar, por edhe aso me syzhe moralizues (Dimitrije Bogdanović, Istorija stare srpske književnosti, 1980, f. 74).

Të njohura përgjithësisht si enkomione (ἐγκώμιον), përlavdërimore, ato mbarështroheshin sipas një strukture të ngulitur shkrimore me elemente të retorikës.

Kjo përlavdërimore e Antonio Rafailit është ruajtur në disa kopje të ndryshme, më e hershmja prej të cilave është një prej vitit 1643 që gjendet në Hilandar (dorëshkrimi nr. 509).

Letërsia për Kosovën

Historiani serb i letërsisë Đorđe Trifunović – që ka përgatitur versionin më të plotë të transliteruar të përlavdërimores në fjalë – vë re se në harkun kohor prej tre dekadash nga viti 1389 Antonio Rafaili është autori i fundit me të cilin soset cikli prej dhjetë tekstesh letrare me motive nga Beteja fatzezë e Kosovës (Trifunović, “Slovo o Svetom knezu Lazaru Andonija Rafaila”, Zbornik istorije književnosti, 10, 1976, f. 147).

Diku rreth vitit 1390 kur u bë zhvendosja e mbetjeve eshtërore të Lazar Hrebeljanovićit nga Kisha e Shën Shpëtimtarit në Prishtinë për në Ravanicë, patriarku i asokohshëm serb Danilo III e hapi siparin e teksteve të tipit ‘slovo’ (Slovo o knezu Lazaru).

Ashtu si edhe me tekstet e ngjashme pasuese nga Jefimija dhe Përlavdërimorja e Ravanicës, jeta e knjazit në fjalë përbën boshtin tekstologjik të cilit i ndajvishet simbolizma martirologjike me figurat e kryqit, kurorave dhe tropeve agonistike (Bogdanović et. al, Istorija srpskog naroda: Doba borbi za očuvanje i obnovu države 1371-1537, 1982, f. 129).

Pavarësisht se lëndën e voli nga modelet e sipërpërmendura, eulogjia e bizantinit nga Lepantoja shënonte një risi të nduarnduartë.

Si për nga gjuha, ashtu edhe për nga stili, teksti përshfaqej me strukturë të zhvilluar, me fjali të ndërliqshme, sajesa leksikore, kalke e neologjizma (po aty f. 132).

Hezakizmi – ideologjia e rezistencës

Ato që në terma tekstologjie cilësohen nga sllavistët si pletenie sloves (fjalëthurje), teksti ka një tis mistik që përshkohet nga ndikimi i hezakizmit, asaj përfetarësie bizantine që i mëshonte një disipline shpirtërore të shqueshme nga heshtja e vetmia.

Nga 1350 e tutje, hezakizmi kishtar, së paku në sprova letrare e teologjike, po sillte edhe motive nga tradita klasike greke (Anita Strezova, Hesychasm and Art The Appearance of New Iconographic Trends in Byzantine and Slavic Lands in the 14th and 15th Centuries, 2014, f. 10).

Si një ideologji, hezakizmi bizantin gjeti truall edhe në Kosovë dhe në vetvete ishte një rezistencë entuziaste kundër gjithçkaje joortodokse (Polidoros Goránis, “Omilía perí tou agíou prínkipos Lazárou tou Antoníou Rafaíl Epaktítou: Afigimatiká motíva kai igemonikí ideología”, Fragmenta Hellenoslavica 7 (2021-2022), f. 29).

Përmbajtja e përlavdërimores ishte një demonstrim poetik i maksimës së Tertullianit ‘semen est sanguis Christianorum’ (Gjaku i të krishterëve është farë). Dhe kjo nuk mund të kuptimësohej askund tjetër më mirë sesa në Kosovë ku mijëra të krishterë lokalë u vranë e po vriteshin nga sulmet osmane.

Sadoqë teksti është në sllavishten kishtare, arketipi krijues, siç u tha, është vetë tradita bizantine e fjalëmirave (eulogjive). Autori që në krye të herës e shpall përvujtninë e tij si një mëkatar (grešni epaktit Andonije Rafail).

Klasiciteti grek vesh Kosovën

Në vargje, shkruesi nga Lepanto e vizaton Betejën e Kosovës me zbukurojca nga klasiciteti grek tekqë krerët udhëheqës të krishterë i metaforizon si olimpianë (olimpijskog podviga venac).

Siç ishte shprehia e teksteve bizantine e të krishtera në përgjithësi, armiqtë osmanë që ia behën në Prishtinë quhen ‘agarenë’ dhe gjithçka po përlahej nga duart e tyre (ruke Agarena).

Me frymëzimet e tij të epërme, Antonio Rafaili e sheh Kosovën si një botë paralele pagane e biblike. Në këtë funksion invokohet edhe Aristoteli për të rrëfyer gjëra (ikože reče Aristotelʹ).

Kulti i martirizimit ku fisnikë me kurora të gjelbërta e bartin me duar kryet e vet të prerë – pra imazhet subliminale nga eulogjitë e krishtera – lëshoi rrënjë si kërpi në folklorin shqiptar.

E tillë padyshim është edhe legjenda e Millosh Kopiliqit në Sallabajë të Llapit, të cilën në fillimshekullin e kaluar e ajgëtoi konsulli serb në Prishtinë, Branisllav Nushiq (Rade Mihaljčić, The Battle of Kosovo in History and in Popular Tradition, 1989, f. 103).

Rilindja e madhe para se të prekte Evropën

Rasti i Antonio Rafailit që qëndroi në Kosovë është njëmend interesant nga shumë rafshe.

Ai e theksoi edhe më fort frymën hezakiste nga Bizanti, që në prapakthim e antagonizonte edhe më shumë të krishterin vendës me pushtuesit e rinj ‘agarenë’.

Në anën tjetër, siprania bizantine në të shkruar e tejkaloi edhe vetë sllavishten kishtare të këtyre anëve.

Antonio Rafailit i shkoi për dore të krijonte kalke nga greqishtja në sllavishte kishtare, ose fjalë të tjera greke i la të papërkthyera fare në sllavisht. Për shembull, fjalën greke ἀγγελόκλητος (i thirrur nga engjulli), ai e bëri si аггелозвательнь (aggelozvatel’n’) apo κιβωτοφόρος (bartës i arkës) e bëri si кувотоносьць (kuvotonośť).

Ky rast njashtu flet sesi elitat savante, edhe kur janë refugjate, e pasurojnë vendin mikpritës që arrin t’iu japë siguri e kushte pune.

Novobërda kozmopolitane e shekullit të 15-të e ofroi një gjë të tillë dhe mu në Malësi të Gollakut u krijua për disa dhjetëvjeçarë me radhë një pol i ri kulturor. Aty pati shkëndijime të Rilindjes së madhe që po hynte dalëngadalë në Evropë.

Lajme të ngjashme