Prindërit kosovarë përdorin ‘qentë endacakë’ për t’i ‘edukuar’ fëmijët e tyre - NACIONALE

Prindërit kosovarë përdorin ‘qentë endacakë’ për t’i ‘edukuar’ fëmijët e tyre

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmet e qenve endacakë ndaj qytetarëve, ka kohë që janë bërë shqetësuese. E sidomos muajt e fundit, pasi janë shpeshtuar në masë mjaft të madhe.

Videot e sulmit të tyre po bëhen virale nëpër rrjetet sociale. Por, ky sulm për një pjesë të konsiderueshme të popullatës, mund të jetë ‘’sulm i dyfishtë’’.

Pse ‘’sulm i dyfishtë’’?

Sepse si shoqëri, një pjesë e madhe e familjeve (prindërve), në momentin kur fëmija i tyre bën zhurmë ose nuk dëgjon fjalët e prindit, ata aktivizohen dhe fillojnë të thojnë fjalën ‘’magjike’’, ‘’shuj se të han qeni (ose ndonjë kafshë tjetër)’’.

Këte gjë e ka përjetuar edhe vetë një person, i cili dëshiron të mbetet anonim për gazetën Nacionale. Ai thotë se edhe pse tash është 30 vjeçar, fjalët ‘’shuj se të han qeni’’ dhe ‘’nëse vrahesh, kam me të mytë’’, sot e asaj dite i sjellin frikë. Madje ai tregon se në një aksident i cili i kishte ndodhur kohë më parë, në momentet më tragjike, i kishte thënë mjekëve ‘’mos i tregoni familjes, se më mysin’’.

‘’Beso që këto shprehjet me të cilat ne rritemi në shoqëri si fëmijë, kanë shumë rol të madh në rritjen tonë dhe mirëqenien. Dikujt këto i duken hajgare, por traumat janë përnime serioze. Unë normalisht që jam rritë në një familje të shëndoshë, e pa dhunë. Por, shpeshherë familjet tona harrojnë se sa shumë rëndësi ka shëndeti mendor, rritja pa trauma. Sa herë që unë nuk kam fjetë ose nuk i kam dëgju fjalët e prindërve, gjithmonë më ka shoqëru fjalia ‘’Shuj se të hanë qeni’’. Sot e asaj dite unë kam frikë prej qenit. Madje kur pata ba aksident para disa viteve, edhe pse isha në gjendje të randë për vete, mjekëve u kisha pas thanë ‘’mos i tregoni babit, se më mytë’’. Padyshim që fjala ‘mytë’ është pak figurative, sepse dhunë s’kam përjetu kurrë prej tyre, por është pasë kriju një llojë frike që saherë u halitsha, më thojshin ‘’nëse vrahesh, kam me të mytë’’ thotë K.B. për gazetën Nacionale.

Po çfarë thonë psikologët për këtë - a duhet t’i frikësojmë fëmijët me këto fraza?

Psikologia Naile Rrustolli thotë se fatkeqsisht të rriturit shpesh mund të kontribuojnë në krijimin e frikës tek fëmijët. Por, një gjë e tillë nuk rekomandohet.

‘’Fatkeqësisht të rriturit shpesh mund të kontribuojnë në këtë drejtim duke rritur frikën tek fëmijët dhe nuk është i pranueshëm frikësimi i fëmijëve nga të rriturit, si p.sh.: E përkundim në këmbë dhe fëmija nuk fle, atëherë përdoren fjalët “fli shpejt se po vjen qeni”. Fëmija i mbyll sytë fort dhe dashur pa dashur fle. “Shiko, po vjen xhaxhi doktori të të bëjë gjilpërë”, pastaj fëmija nuk ka dëshirë të shkojë tek doktori. “Xhaxhi polici do të të fusë në burg” dhe më vonë fëmija ka frikë nga policët. Dhe më e keqja është se ndonjëherë i frikësojmë edhe me babain duke u thënë “kur të vijë babi do t’ia them të gjitha’’, thotë psikologia Rrustolli.

Çfarë ndodhë me një fëmijë që rritet me këto shprehje?

Kjo mënyrë e prindërve për t’i frikësuar fëmijët ngjall probleme afatgjata pastaj tek fëmijët.

‘’Duke e përdorur këtë frikë natyrale si një mjet disipline, e kthejmë atë në një fobi, dmth në një frikë të tepruar. Në të vërtetë kjo frikë e cila qetëson menjëherë nënat dhe baballarët vazhdon më pas me probleme që zgjasin për një kohë të gjatë dhe mërzisin më shumë prindërit. Fëmija 6 vjeçar kthehet në një fëmijë frikacak i cili nuk ndahet asnjëherë nga ju, nuk i beson ambientit përreth, çdo vend i duket i rrezikshëm dhe ka frikë nga të gjithë. Dhe fatkeqësisht e gjithë kjo frikë ndikon shumë në zhvillim e tij’’, shton psikologia.

Sociologët thonë se familjet që nga fëmijëria fillojnë t’i njoftojnë ata me dhunën

Ndonjëherë edhe pa dashje, që nga koha kur fëmijet fillojnë të dinë, prindërit e tyre i njoftojnë me frikën, madje edhe dhunën, shprehet sociologia Bukurije Rrustemi.

’Në mungesë të vetëdijesimit dhe edukimit të drejtë, shumë prindër i edukojnë keq fëmijët e tyre. Po ashtu kur nuk dinë dhe nuk kanë autoritet tek fëmijët që ata të kenë sjellje të mira, t’u binden prindërve për të fjetur, për t’u ushqyer apo që të mos bëjnë probleme, shumë prindër i kërcënojnë ata duke i frikësuar me kafshë. Kjo gjë ndikon edhe në urrejtjen e kafshëve dhe keqtrajtimin e tyre më vonë, por po ashtu mbjell ankth, ku si pasojë e kësaj, fëmijët bëhen të dhunshëm. Pa dyshim që ajo çfarë përjetojnë në familje gjatë rritjes, i bën të atillë kur ata rriten’’, thotë sociologia Rrustemi.

Por, a mund të ndikojë frika e ndjellur që nga fëmijëria që të jemi shoqëri e dhunshme?!

Duke u rritur në një ambient, ku ndëshkimin truporë njerëzit e shohin si mjet të vetëm për të arritur ‘’paqe’’ në familje, padyshim se fëmijët kur rriten do të jenë të dhunshëm.

Psikologia Naile Rrustemi thotë se thuajse çdo gjë trashëgohet nga fëmijëria.

‘’Fëmijët modelojnë dhe zhvillojnë shkathtësi të ndryshmë që nga fëmijëria. Ata të cilët janë rritur duke u frikësuar dhe me dhunë fizike apo verbale kanë tendenca që kur të rriten të shfaqin këtë dhunë tek të tjerët’’, thotë ajo.

Çfarë thotë ligji për mbrojtjen e fëmijeve?

Ligji për mbrojtjen e fëmijeve e ndalon çdo ndëshkim trupor dhe masë disiplinore që ia dëmton dinjitetin fëmijës, duke përfshirë dhunën mendore si dhe “sjelljet që e degradojnë, turpërojnë” dhe e vënë në situatë të dobët.

Ndëshkimi trupor është i ndaluar në secilin ambient, në shtëpi, në familje, në institucionet edukativo-arsimore, në institucionet e kujdesit, në organet e rendit dhe sistemit të drejtësisë, në ambientet e punës dhe komunitet”, thuhet në Ligjin NR.06/L-084.

Psikologët e sociologët bëjnë thirrje që shprehjet të cilat sjellin frikë tek fëmijët të largohen nga përdorimi. E mospërdorimi i këtyre fjalëve padyshim që fëmijët do t’i bëjë të jenë paqësorë dhe me një shëndet të mirë mendorë.

Frazat që me vite trashëgohen në shoqëri, duke menduar që përdorimi i tyre i bën fëmijët të jenë të dëgjueshëm:

‘’Flej se vje të hanë qeni’’

‘’Vjen polici të merrë’’

‘’Nësë halitesh e thirri mjekun ta jepë ineksionin’’

‘’Të shti në dhomë, të msheli ne tërrë’’ etj etj…

Lajme të ngjashme