A janë ateistët komuniteti më ekstremist në Kosovë, siç tha Nexhmedin Spahiu?
Ateistët në Kosovë nuk kanë as xhamia e as kisha, nuk kanë as bajramë e as pashkë, as varreza e as tubime tjera, por megjithatë nga publicisti i njohur Nexhmedin Spahiu u akuzuan si “komuniteti më ekstremist në Kosovë”. A janë përnjëmend të tillë?
“Komuniteti i ateistëve në Kosovë, edhe pse shumë i vogël (më pak se gjysmë për qind/ 0.48% sipas regjistrimit të vitit 2011) është komuniteti më ekstremist në Kosovë. Fyejnë e përqeshin të tjerët duke harruar se shkelin ligjin me të dyja këmbët.” – u shpreh z. Spahiu në një postim në Facebook.
Ai po i referohej censusit të vitit 2011. Në atë regjistrim të popullsisë, 97.4 për qind e qytetarëve të Kosovës u shprehën se i përkisnin besimit islam, 1.6 për qind besimit të krishterë derisa një-përqindëshi i mbetur ndahej mes të tjerëve. Pra, teknikisht z. Spahiu mund të ketë të drejtë: ateistët nuk përbëjnë as gjysmën e njëpërqindëshit në popullsinë e Kosovës.
Kosova është e njohur për tolerancën ndër-fetare. Pra, për çdo bajram kemi ipeshkvin që shkon dhe i shtrëngon dorën myftiut Naim Tërnava dhe anasjelltas në rastin e pashkëve. Por, a po prishet kjo harmoni nga ateistët?
A janë ata më ekstremistët?
Natyrisht, ateistët nuk kanë as myfti e as ipeshkvi, prandaj na duhej të flisnim me një ateist që nuk ka mandat përfaqësimi. Bëhet fjalë për Kastriot Musliun po nga Mitrovica siç është edhe z. Spahiu. Ai është një biolog darvinist që merret edhe me gazetari dhe që përfshihet në tema të ndryshme sociale në debatin publik.
Ekstremizëm?
Sa i përket ekstremizmit (radikalizmit) fetar, Kosova aktualisht përmes përpjekjesh institucionale po provon të ri-integrojë të kthyerit nga Siria e Iraku, ku kishin shkuar për të ndihmuar shtetin islamik (ISIS).
Numri i kosovarëve që kishin shkuar në këto vende për të luftuar për organizatën terroriste kishte qenë mbi 300.
Megjithatë, publicisti Nexhmedin Spahiu në këtë rast flet për ekstremizmin e padhunshëm që transmetohet nëpër platforma të rrjeteve sociale përmes fyerjesh e përqeshjesh.
Çka mendon z. Musliu për këtë çështje?
“Kur një person (besimtar) ankohet se jobesimtari po ia kritikon besimin, qoftë dhe përmes talljes, ai ose ajo tregohet paksa dyfytyrësh. Kurani, librat e tjera fetare, por shpesh herë dhe ligjëratat e klerikëve, janë të stërmbushura me kritika dhe tallje ndaj, ta zëmë, besimeve pagane por edhe ndaj Krishterimit dhe Judaizmit e të tjera. Madje, shkrimet fetare shpesh shkojnë më larg dhe nga kritika kalojnë në gjuhë absolutiste, demonizuese e përjashtuese, e kjo është recetë për mbjellje të farave të urrejtjes që herët a vonë – dhe për këtë historia është dëshmitare – ka përshkallëzuar në situata shumë më të këqija ndaj një grupi apo tjetrit. Pra, zoti Spahiu, kur ankohet për ateistët, ai harron edhe këtë fakt.”
Por, a po prek z. Spahiu lirinë e shprehjes duke etiketuar ateistët si ekstremistë?
“Natyrisht, besimtari, ta zëmë ai mysliman, e ka të garantuar të drejtën për t’u shprehur lirshëm dhe për t’i kritikuar, qoftë edhe përmes talljes, besimet e paganëve dhe të feve të tjera. Por, kjo nuk nënkupton se edhe ateisti nuk duhet ta gëzojë të drejtën për t’i kritikuar, qoftë edhe përmes talljes, besimet ose interpretimet e caktuara të një sistemi besimi – Islamit, Krishterimit, Judaizmit e të tjera.”- u shpreh z. Musliu në përgjigjet e tij.
Meqë nuk ka ndonjë shembull të ofruar nga Spahiu për të ilustruar etiketën e ‘ekstremistëve’ që iu vë ateistëve të Kosovës, mund të aludojmë se kemi të bëjmë me lëndim të ndjenjave të tij.
A kanë të drejtë ateistët që t’i lëndojnë ndjenjat e z. Spahiu dhe të besimtarëve tjerë myslimanë përmes përqeshjesh e fyerjesh?
“Një besimtar mysliman a mendon se po lëndon ndjenjat e një pagani ose të krishteri ose hebreu kur kritikon a tallë besimet e tyre? Besimtari mysliman a mendon sa shumë i lëndon ndjenjat e një shqiptari tjetër kur ai kritikon ose shan Skënderbeun ose figurën e Shën Terezës? Natyrisht që një mysliman duhet të jetë i lirë të kritikojë a tallë, madje edhe shajë, besime e figura të caktuara historike sepse besimet/idetë e figurat historike nuk mund të jenë imune nga shqyrtimi kritik dhe kritika. Me fjalë të tjera, nëse nisemi nga argumenti i lëndimit të ndjenjave ose fyerjes së dinjitetit, siç e cilësojnë disa, atëherë s’mbetet ide e figurë historike që duhet lejuar të kritikohet a tallet. Ti mund të thuash se për besime a figura të caktuara duhet të bëjmë përjashtime, por pastaj kufiri që ti e vendos do të jetë arbitrar: nuk ka arsye pse ndjenjat e tua duhet të privilegjohen përpara dikujt që ndihet i fyer kur kritikohet a tallet Skënderbeu, Shën Tereza e të tjerë.” – argumenton Musliu.
Nacionale inkurajon edhe të tjerë anëtarë të komunitetit ateist të Kosovës që të na shkruajnë për të kontribuar më shumë në debatin publik.
Më poshtë i keni përgjigjet e plota dhe pa ndërhyrje nga z. Kastriot Musliu:
“Feja nuk është person ose grup individësh, por një set apo sistem besimesh a idesh të ndërtuara mbi pretendime faktuale mbi Zotin, natyrën dhe moralin. Në një shoqëri të lirë, asnjë sistem idesh nuk mund të jetë imun nga kritika, qoftë edhe në formë të talljes. Kjo e para.
“E dyta, kur një person ankohet se jobesimtari po ia kritikon besimin, qoftë dhe përmes talljes, ai ose ajo tregohet paksa dyfytyrësh. Kurani, librat e tjera fetare, por shpesh herë dhe ligjëratat e klerikëve, janë të stërmbushura me kritika dhe tallje ndaj, ta zëmë, besimeve pagane por edhe ndaj Krishterimit dhe Judaizmit e të tjera. Madje, shkrimet fetare shpesh shkojnë më larg dhe nga kritika kalojnë në gjuhë absolutiste, demonizuese e përjashtuese, e kjo është recetë për mbjellje të farave të urrejtjes që herët a vonë – dhe për këtë historia është dëshmitare – ka përshlallëzuar në situata shumë më të këqija ndaj një grupi apo tjetrit. Pra, zoti Spahiu, kur ankohet për ateistët, ai harron edhe këtë fakt.
“Natyrisht, besimtari, ta zëmë ai mysliman, e ka të garantuar të drejtën për t’u shprehur lirshëm dhe për t’i kritikuar, qoftë edhe përmes talljes, besimet e paganëve dhe të feve të tjera. Por, kjo nuk nënkupton se edhe ateisti nuk duhet ta gëzojë të drejtën për t’i kritikuar, qoftë edhe përmes talljes, besimet ose interpretimet e caktuara të një sistemi besimi – Islamit, Krishterimit, Judaizmit e të tjera.
Dhe, kritika, qoftë përmes talljes, nuk mund të jetë ekstremizëm në vetëvete njashtu si kritika e kuranit ndaj, ta zëmë, besimeve pagane s’mund të jetë ekstremiste.
Tutje, shpesh besimtarët ankohen se po u lëndohen ndjenjat! Por, një besimtar mysliman a mendon se po lëndon ndjenjat e një pagani ose të krishteri ose hebreu kur kritikon a tallë besimet e tyre? Besimtari mysliman a mendon sa shumë i lëndon ndjenjat e një shqiptari tjetër kur ai kritikon ose shan Skënderbeun ose figurën e Shën Terezës? Natyrisht që një mysliman duhet të jetë i lirë të kritikojë a tallë, madje edhe shajë, besime e figura të caktuara historike sepse besimet/idetë e figurat historike nuk mund të jenë imune nga shqyrtimi kritik dhe kritika. Me fjalë të tjera, nëse nisemi nga argumenti i lëndimit të ndjenjave ose fyerjes së dinjitetit, siç e cilësojnë disa, atëherë s’mbetet ide e figurë historike që duhet lejuar të kritikohet a tallet. Ti mund të thuash se për besime a figura të caktuara duhet të bëjmë përjashtime, por pastaj kufiri që ti e vendos do të jetë arbitrar: nuk ka arsye pse ndjenjat e tua duhet të privilegjohen përpara dikujt që ndihet i fyer kur kritikohet a tallet Skënderbeu, Shën Tereza e të tjerë.
Ekstremizëm mund të jetë vetëm nëse unë jam i prirur të demonizoj të gjithë myslimanët pse janë myslimanë, por jo nëse nuk pajtohem e kam kritika ndaj besimeve të caktuara të një sistemi besimi. Por unë nuk kam mendim të keq për të gjithë myslimanët. Dhe nëse ti pranon lirinë e shprehjes si parim dhe vlerë fondamentale, parimin e ndarjes së xhamisë dhe kishës nga shteti dhe liritë individuale si parime dhe vlera të panegociueshme, mua s’më intereson nëse ti beson në Zot, falesh pesë herë në ditë, shkon në haxh, e të tjera. Por NËSE ti pastaj thua shteti duhet të udhëhiqet me sheriat dhe madje se nën sheriat myslimani që lë islamin dhe ai që tallë Muhamedin duhet të dënohen me vdekje – ashtu siç besojnë shumë hoxhallarë me ndikim në Kosovë, sidomos në Mitrovicë – atëherë kemi probleme. Ti je i lirë ta besosh e propagandosh këtë, por kjo nënkupton se edhe ne të tjerët jemi të lirë të reagojmë ndaj këtyre përpjekjeve e besimeve jotolerante.”