5 arsye pse duhet të dekriminalizohen përdoruesit e barit
Paramendojeni, jeni diku në një park, para mahallës ose thjesht keni dalë një xhiro për me pi një joint, dhe ju ndalon Policia. Për një moment, ju do të hyni në regjistrin e Policisë, përfundoni në Facebook duke u prezantuar së bashku me kriminelë të tjerë. Pastaj qindra komente ku ju do të gjykoheni me turli fjalie dhe në një moment do të zbuloheni nga rrethi. “Napushaq” do të jetë emri juaj i ri. Kurrkush nuk e meriton një ferr të tillë publik, veç pse zihet duke pi bari. Këto janë 5 arsyet pse duhet të dekriminalizohet përdorimi i mariuanës.
1. Policia fokusohet në trafikuesit jo përdoruesit
Sigurisht ju ka ra me pa në faqe të Policisë së Kosovës në Facebook, postime që tregojnë se si i kanë zonë dy splifa, dy pesëshe ose dhjetëshe me do letra, apo qysh i thonë në gjuhën e rrugës, “rizlla”. Bravo Policia. Por a e keni menduar që kjo që po bëni luan asnjë rol në luftën kundër “drogës”? Çka nëse i leni rahat, përdoruesit e mariuanës dhe fokusoheni te trafikuesit e saj? BTW, këta jointa nuk janë të pshtjelltë mirë, ju lutem bëjeni këtë gjë pak me më shumë kujdes.
2. Damka ligjore
Kur ziheni nga Policia me një splif ose me një pesëshe bari, ju do të përfundoni në Stacion të Policisë. Zakonisht jepni një deklaratë dhe liroheni. Por damka ligjore do të mbesë. Për me tregu ma shumë se çka ndodh dhe sa gjatë do të figuroni në Polici, kur ziheni në pozitë të tillë, na tregon gazetari i Nacionales që merret me drejtësi.
“Pasi të keni kryer bashkëpunimin me policinë, ju duhet të prisni, jo më shumë se një muaj, nëse prokuroria do të hapë rast ndaj jush. Nëse kjo ndodh, atëherë duhet të vazhdoni me një deklaratë tjetër në prokurori, nëse jo, jeni qytetar i lirë i vendit. Duhet të keni parasysh se nëse ju është gjetë sasi më pak se 3 gramë, atëherë ligji parasheh dënim maksimal deri në 1 vjet dënim me burgim. Por praktikat gjyqësore na tregojnë se në këto raste zakonisht aplikohen, dënimet si burgim me kusht ose dënim me gjobë”, Arbër Ramadani, gazetar i drejtësisë në Nacionale.
3. “Qysh me gjet punë ose qysh me marrë vizë me dosje?”
Paramendojeni se keni dosje të hapur në Polici për një rast që ju kanë zënë duke pi bari dhe pas një viti ose diçka e tillë, ju vjen një mundësi për të konkurruar për një punë ose e zini ndonjë termin për ndonjë vizë. Një ndër pyetjet e tyre është edhe nëse keni ndonjë problem me ligjin. Ju nuk mund të hyni në punë e as nuk mund ta merrni vizën. A ju duket e drejtë m’i humbë gjithë këto shanse për një splif e për një pesëshe? Normal që jo.
4. “Marrja publike”
Po e zëmë që pas një kohe ju hiqet emri nga dosja në Polici dhe i zgjidhni problemet me ligjin. Problemi më i madh mbetet ende aty dhe s’ka kush ta heqë. Familja që s’e ka ditur do t’ju shohë në një mënyrë krejt tjetër, miqtë e rrethi do të fillojnë t’ju thërrasin “napushaq” e “drogirashe” dhe inicialet e juaja do të mbesin gjithmonë në faqen e Policisë në Facebook. Askush nuk e meriton një përbuzje dhe një stres të tillë publik vetëm pse pin bari.
5. A është koha ta legalizojmë marihuanën?
Nëse shteti i Kosovës arrin ta dekriminalizojë përdorimin e mariuanës, përpos që kish me i shpëtu qindra-mijëra të rinj nga problemet me ligjin e shoqërinë, dhe përpos që i kish metë ma shumë kohë Policisë me u fokusu në tjera probleme, kish me i hapë rrugë edhe debatit të cilit nuk kemi kah t’i ikim: legalizimit të mariuanës. E di, e di, që shumë prej juve jeni tu thanë: oo qysh me legalizu drogën, me prishë rininë, anej-knej. Qindra shtete nëpër krejt botën e kanë legalizu përdorimin e mariuanës. Është një temë që nuk kemi kah me i ikë as na. Ashtu-kështu shumica jemi duke e pi. Është thjesht një lule. Ose po e bëjmë ilegale edhe menten.


