100 prishtinas pyeten se ku shkojnë për kulturë, 98% prej tyre përgjigjen: Në Qendra Tregtare - NACIONALE

100 prishtinas pyeten se ku shkojnë për kulturë, 98% prej tyre përgjigjen: Në Qendra Tregtare

4 vjet më parë

nga Vullnet Krasniqi

Kur Bienalja e Artit Bashkëkohor “Manifesta” kishte vendosur të vijë në Prishtinë, drejtuesit e saj kishin nisur fillimisht ta bënin një skanim të gjendjes në qytet - njerëzit që banojnë këtu dhe hapësirat publike që ata i shfrytëzojnë. Përgjigjet që kanë marrë nga këto anketa kanë shokuar edhe orgnizatorët holandezë por edhe stafin lokal të Manifestës, Bienalja Evropiane e Artit Bashkëkohor, që këtë korrik do të mbahet në Prishtinë.

Emilia van Lynden, Shefe e marketingut, komunikimit dhe publikimeve në Manifesta, në një bisedë për Podcast Nacionale, ka treguar se si departamenti i saj ka realizuar disa anketa të cilat janë përdorur për të bërë programin e Bienales. Për të parën anketë, Nacionale kishte raportuar para disa ditësh në një bisedë tjetër, në kuadër të serisë së podcastave për Manifestën.

Kur kemi bërë këtë anketë me publikun dhe kemi intervistuar mbi 100 njerëz, qytetarë të zakonshëm në Prishtinë me një përzgjedhje të rastësishme, kemi nxjerrë rezultate që meritojnë të merren seriozisht nga të gjithë. Ne i kemi marrë seriozisht, sepse 98% e tyre kur janë pyetur se çka është kulturë për fundjavë për juve, janë përgjigjur 'shkuarja në Albi Mall'”, thotë Emilia van Lynden për Podcast Nacionale.

Kur u pyet për moshën, vendbanimin dhe profesionet e tyre, Emilia van Lynden tha se janë kujdesur që ata të jenë prej të gjitha moshave dhe profesioneve.

Me qëllim anketën e kemi zhvilluar në hapësirat publike, ku ka pasur shumë njerëz. Ata kanë qenë fëmijë, gjyshër, prindër”, shpjegon van Lynden.

Sipas saj, kjo përqindje kallxon shumë për Prishtinën si një qytet që nuk u takon qytetarëve.

Është e kuptueshme se përse familjarët shkojnë në qendra tregtare. Sepse aty mund t’i lënë fëmijët të luajnë dhe të pinë kafe pa u brengosur për sigurinë e tyre. Fatkeqësia është se në Prishtinë vetëm te bizneset mund të ketë pak hapësirë për njerëzit, ndërsa në hapësirat publike jokomerciale, ka shumë vetura dhe zero hapësirë për banorët”, thotë Emilia van Lynden.

Për këtë arsye, thotë van Lynden, Manifesta me programin e saj po tenton që të rivitalizojë disa prej hapësirave publike dhe ato t'ua dhurojë banorëve të Prishtinës.

Hotel Grandi do të jetë për herë të parë një vend që nuk është vetëm për biznese por edhe për banorët lokalë. Pra shkuarja në Grand do të jetë jo veç për arsye komerciale. Te Fabrika e Tullave do të ndodhë rivitalizimi i hapësirës dhe do t’i dhurohet njerëzve lokalë. E njëjta do të ndodhë me biblotekën Hivzi Sylejmani e hapësira të tjera”, thotë ajo duke shtuar se “Manifesta” do të jetë falas për audiencën lokale.

Emilia van Lynden, në këtë Podcast në gjuhën angleze, na jep edhe një tur nga ajo që na pret në Manifesta. Nëse dëshironi t’i dëgjoni bisedat me artistët lokalë që do të marrin pjesë në Manifesta që fillon me 22 korrik deri me 22 tetor, i gjeni në këtë seri.

Lajme të ngjashme