Zyrtari i lartë i ShBA-së: Sinwar-i i Hamasit i ka ditët t’numëruara, ka gjak amerikan në duar
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden të ShBA-së ka thënë se “është e sigurt të thuhet” se kreu i Hamasit, Yahya Sinwar, “i ka ditët të numëruara”.
Këto komente u bënë gjatë një konference për gazetarë të enjten rreth takimeve të këshilltarit për Siguri Kombëtare të ShBA-së, Jake Sullivan, në Izrael, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Përderisa udhëheqës izraelitë kanë shprehur kërcënime të tilla ndaj kreut të Hamasit dhe iu kanë drejtuar si “njeri i vdekur që ec”, kjo duket hera e parë që një zyrtar i lartë amerikan flet publikisht për Sinwar-in në mënyrë të tillë.
“Unë gjithashtu mendoj se është e sigurt të thuhet se s’ka rëndësi se sa kohë merr... drejtësia do të vendoset”- tha zyrtari i lartë amerikan, duke theksuar se Sinwar-i ka “gjak amerikan në duart e tij”.
Tridhjetë e tetë amerikanë u vranë gjatë sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe tetë shtetas të ShBA-së janë në mesin e rreth 135 pengjeve që po mbahen në Gaza.
Besohet se kreu i Hamasit tash për tash është duke u fshehur në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, pasi kishte ikur nga pjesa veriore e enklavës duke u fshehur në një kolonë të civilëve të nisur drejt jugut në fillim të luftës së Hamasit me Izraelin.
Më 9 dhjetor u raportua se ushtria izraelite e kishte rrethuar shtëpinë e tij në Khan Younis pavarësisht se nuk kishte shenja se Sinwar-i ishte duke banuar aty, pasi është duke u fshehur dhe ka në pronësi disa shtëpi.
Më herët këtë javë, duket e ushtria izraelite ofroi shpërblim financiar për ata që ofrojnë informacione për figurën e lartë të Hamasit. Në rrjete sociale kanë qarkulluar fotografi të një fletushkë ku thuhet se ofrohen 400 mijë dollarë shpërblim për ata që ofrojnë të dhëna për Sinwar-in, ndërsa shuma më të vogla për udhëheqës të tjerë.
Sinwar-i ishte zgjedhur për ta zëvendësuar Ismail Haniyeh-in si udhëheqës i grupit brenda Gazës më 2017. Haniyeh tash për tash banon në Katar dhe shërben si drejtor i byrosë politike të Hamasit.