Zyrtarët amerikanë: 40 kompani mund të kenë “Boeing 737” me pjesë të dyshimta flatrash - NACIONALE

Zyrtarët amerikanë: 40 kompani mund të kenë “Boeing 737” me pjesë të dyshimta flatrash

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i Shteteve të Bashkuara (NTSB) tha të hënën se mbi 40 operatorë të huaj të aeroplanëve “Boeing 737” mund të jenë duke përdorur modele të tilla me pjesë flatrash që mund të paraqesin rreziqe për sigurinë.

NTSB-ja javën e kaluar lëshoi rekomandime urgjente të sigurisë për potencialin për sistem të bllokuar të kontrollit të flatrave në disa aeroplanë të tipit “Boeing 737” pas një incidenti në muajin shkurt, ku ishte përfshirë një fluturim i kompanisë “United”, raporton gazeta “The Guardian”.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit gjithashtu zbuloi të hënën se kishte marrë vesh që dy operatorë të huaj kishin pësuar incidente të ngjashme më 2019, ku ishin përfshirë aktivizuesit e udhëzimeve për aterrim.

“Ne jemi të shqetësuar nga mundësia që kompani të tjera ajrore janë të pavetëdijshme për praninë e këtyre aktivizuesve në aeroplanët e tyre 737” – tha të hënën drejtoresha e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit, Jennifer Homendy, në një letër dërguar drejtorit të Administratës Federale të Aviacionit, Mike Whitaker.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit është duke hetuar një incident ku pedalet e flatrave në një aeroplan të tipit “Boeing 737 Max 8” të kompanisë “United” ishin “mbërthyer” në pozicion neutral gjatë një aterrimi në një aeroport në Newark. Nuk ka pasur lëndime në mesin e 161 pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit. Të hënën, vlera e aksioneve të prodhuesit “Boeing” ra për 2,7 për qind.

NTSB-ja tha se 271 pjesë impakti mund të jenë instaluar në aeroplanë që janë në shërbim nga të paktën 40 kompani ajrore; që 16 mund të jenë ende të instaluara në aeroplanë të regjistruar në ShBA; dhe që deri në 75 të tilla mund të jenë përdorur në instalime gjatë tregtisë së pjesëve.

Homendy tha se ishte e shqetësuar që Administrata Federale e Aviacionit “nuk e mori këtë çështje më seriozisht deri kur ne e lëshuam raportim tonë urgjent me rekomandime të sigurisë”.

Në anën tjetër, Administrata Federale e Aviacionit tha se ishte duke i marrë seriozisht rekomandimet e NTSB-së dhe kishte caktuar orar për testim simulues shtesë në tetor.

Një bord i Administratës Federale të Aviacionit për rishikim të veprimeve korrigjuese u takua të premten dhe agjencia tha se ishte “duke lëvizur shpejt për të organizuar një thirrje me autoritetet e prekura të aviacionit civil për t’u siguruar që ato i kanë të dhënat që u nevojiten nga Administrata Federale e Aviacionit, përfshirë ndonjë veprim të rekomanduar”.

Kompania “United” tha javën e kaluar se pjesët për kontrollimin e flatrave me probleme ishin në përdorim në vetëm nëntë prej aeroplanëve të saj 737 që fillimisht ishin prodhuar për kompani të tjera ajrore dhe se të gjitha pjesët ishin hequr më herët këtë vit./Nacionale

Lajme të ngjashme