Zyra e Zelenskyt konfirmon se e ka marrë planin e ri të paqes: Do të bisedojë me Trumpin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se do të negociojë me homologun amerikan, Donald Trump, për një plan të paqes të mbështetur nga ShBA-ja që i bën thirrje Kievit të bëjë koncesione të dhimbshme me qëllim të përfundimit të pushtimit rus.
Zyra e Zelenskyt të enjten konfirmoi se ai e kishte pranuar draftin e planit të paqes, i cili është përgatitur nga zyrtarë amerikanë e rusë, dhe se presidenti do të flasë me Trumpin ditëve në vijim për “mundësitë diplomatike ekzistuese dhe pikat kryesore që janë të nevojshme për paqe”, raporton gazeta “The Guardian”.
“Ne u pajtuam për të punuar rreth pikave të planit në mënyrë që ato të sjellin fund lufte që ia vlen” – thuhet në deklaratën e zyrës së presidentit ukrainas.
Reagimi i matur nga administrata presidenciale e Ukrainës erdhi pas kundërpërgjigjeve të ashpra ndaj planit nga disa zyrtarë ukrainas, të cilët dokumentin e cilësuan “absurd” dhe të papranueshëm. Deklarata publike e Zelenskyt erdhi në kohën kur të enjten zhvilloi bisedime me një delegacion të lartë ushtarak amerikan, i drejtuar nga sekretari i ushtrisë, Dan Driscoll.
Driscoll – ish-shok klase i nënpresidentit amerikan, JD Vance – arriti në Kiev me porosi të rëndësishme nga Shtëpia e Bardhë, sipas burimeve amerikane. Ai me gjasë do të udhëtojë për në Moskë në fund të javës së ardhshme për ta diskutuar planin me Kremlinin, thanë burimet.
Diplomatët amerikanë thanë se Trumpi po mundohet që ta arrijë paqen “me një ndjenjë të jashtëzakonshme të momentumit”. Sipas tyre, administrata e tij po ndjek një “afat kohor agresiv” me ukrainasit për të arritur një pak dhe dëshiron që ta arrijë këtë “brenda kohës më të shkurtër të mundshme”.
Sipas raportimeve të mediave, propozimi me 28 pika u ngjan shumë kërkesave të bëra nga Moska pak pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës më 2022. Thuhet se propozimi është hartuar nga zyrtarë amerikanë e rusë, me mbështetje nga Trumpi./Nacionale