Zyra e Boris Johnson dyshohet të jetë sulmuar nga hakerët izraelitë, por prapa tyre mendohet të jetë tjetërkush
Dyshohet se Nr 10 iu nënshtrua një sulmi spyware të lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe, por firma izraelite NOS, nuk pranon akuzat.
Boris Johnson-it i është thënë se zyra e tij në Downing Street është shënjestruar me "shumë" infeksione të dyshuara duke përdorur Pegasus, softuer i sofistikuar i hakerave i bërë nga grupi izraelit NSO, i cili mund ta kthejë një telefon në një pajisje dëgjimi në distancë.
Në një raport të lëshuar nga Citizen Lab në Universitetin e Torontos, thuhet se besohet se numri 10 kishte rënë pre e sulmeve spyware në vitin 2020 dhe 2021, me Emiratet e Bashkuara Arabe që ishin një orkestrues i dyshuar i sulmit.
Pegasus është softuer hakerimi - ose spyware, i zhvilluar, tregtuar dhe licencuar për qeveritë në mbarë botën nga firma izraelite NSO Group. Ai ka aftësinë të infektojë telefonat që përdorin sisteme operative iOS ose Android.
Citizen Lab, i konsideruar ndër ekspertët kryesorë në botë në zbulimin e sulmeve dixhitale, njoftoi se kishte ndërmarrë hapin e rrallë për të njoftuar Whitehall-in për sulmin pasi "beson se veprimet mund të zvogëlojnë dëmin".
Në një deklaratë, Citizen Lab tha: “Ne konfirmojmë se në vitin 2020 dhe 2021 kemi vëzhguar dhe njoftuar qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar për raste të shumta të dyshuara të infeksioneve të Spyware Pegasus brenda rrjeteve zyrtare të Mbretërisë së Bashkuar. Këto përfshinin: zyrën e kryeministrit (10 Downing Street) dhe Zyrën e Jashtme të Commonwealth ... Infeksioni i dyshuar në zyrën e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar ishte i lidhur me një operator Pegasus që ne e lidhim me Emiratet e Bashkuara Arabe."
Megjithatë, studiuesit nuk ishin në gjendje të identifikonin individët specifikë brenda numrit 10 dhe Ministrisë së Jashtme që dyshohet se ishin hakuar.
Kujtojmë se administrata Biden, nëntorin e kaluar ndërmori hapin e jashtëzakonshëm për vendosjen e NSO-s në listën e zezë të ShBA-së, duke thënë se kishte prova se kompania kishte shitur spyware survejimi qeverive të huaja. Në atë kohë, një zëdhënës i NSO tha se ishte "i tronditur nga vendimi".
Ndërsa, zbulimet e reja do të ngrenë pyetje të rëndësishme në lidhje me një shkelje të mundshme të sigurisë kombëtare në nivelet më të larta të qeverisë britanike.
Ndërkohë, një zëdhënës i grupit NSO, tha se “NSO vazhdon të jetë në shënjestër nga një numër organizatash avokuese të motivuara politikisht si Citizen Lab dhe Amnesty për të prodhuar raporte të pasakta dhe të bazuara në informacione të paqarta e të paplota.”