Zvicrës s’mund t’i kërkohet shkelja e ligjeve për rikesportimin e armëve në Ukrainë, thotë presidenti - NACIONALE

Zvicrës s’mund t’i kërkohet shkelja e ligjeve për rikesportimin e armëve në Ukrainë, thotë presidenti

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Zvicrës, Alain Berset, tha të martën në Berlin se vendit të tij nuk mund t’i kërkohet shkelja e ligjeve të veta, kur bëhet fjalë për rieksportimin e armëve në Ukrainë.

Berset-i e adresoi çështjen e neutralitetit të Zvicrës në një konferencë të përbashkët për gazetarë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, raporton televizioni CNN.

Presidenti zviceran tha se, përderisa janë duke u zhvilluar diskutime për atë nëse Zvicra “do të duhej, duhet gjithsesi ose do të mund” ta zhvillonte qëndrimin e saj për rieksportimin e armëve në Ukrainë, kjo gjë tash për tash nuk është në konsideratë, sepse ligji zviceran është i qartë për këtë çështje.

Zvicra ka qenë shtet neutral që nga viti 1815. Korniza ligjore e saj garanton që shteti të mos dërgojë armë drejtpërdrejt ose tërthorazi te shtetet që janë në konflikte. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Zvicra është ballafaquar me presion në rritje nga fqinjët evropianë për ta miratuar rieksportimin e armëve në Ukrainë.

Megjithatë, Zvicra e theu pozicionin e saj neutral pak pas fillimit të luftës përmes zbatimit të sanksioneve të Bashkimit Evropian në marsin e vitit të kaluar.

Presidenti Berset tha se Zvicra është duke e marrë seriozisht zbatimin e këtyre sanksioneve dhe se është duke bërë gjithçka që mund të bëhet për t’i vënë në fuqi ato.

Vendet perëndimore i kanë ofruar përkrahje jetike ushtarake e financiare Ukrainës gjatë luftës kundër Rusisë. Në listën e ndihmave prijnë bindshëm Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, Ukraina ka kërkuar ndihma shtesë, përfshirë aeroplanët modernë luftarakë e raketat me rreze më të gjatë veprimi. Disa shtete evropiane i kanë ofruar aeroplanë më të vjetër të tipit MiG-29.

Lajme të ngjashme