Zvicra do të pranojë 20 fëmijë të lënduar nga Gaza për trajtim mjekësor
Zvicra planifikon që të pranojë rreth 20 fëmijë të lënduar nga Rripi i Gazës për trajtim mjekësor, tha të premten Qeveria.
Është e paqartë se kur mund të kryhet evakuimi i këtyre fëmijëve për shkak të situatës në terren në Gaza, por përpjekjet për bashkërendim janë duke u zhvilluar, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Zvicrës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përzgjedhja e fëmijëve do të bëhet në bashkërendim të ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila ka lista të pacientëve, ndërsa kontrollet e sigurisë do të bëhen ndaj fëmijëve të përzgjedhur dhe anëtarëve të familjeve të tyre që do t’i shoqërojnë ata, thuhet më tej në dekalratë.
Me të arritur në Zvicër, ata do t’i nënshtrohen procesit të azilit. Qeveria do t’i mbulojë kostot e bashkërendimit dhe transportit, ndërsa kostot mjekësore do të mbulohen vullnetarisht nga kantonet zvicerane që i pranojnë fëmijët ose nga vetë spitalet, vazhdon deklarata.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka regjistruar rreth 19 mijë pacientë për evakuim nga Gaza, përfshirë 4 mijë fëmijë, shumë prej tyre me lëndime që ua rrezikojnë jetën ose me sëmundje që nuk mund të trajtohen në mënyrën e duhur brenda enklavës.
Lufta në Gaza, e cila po i afrohet dyvjetorit pa armëpushim në horizont, ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka lënë të vrarë më shumë se 65.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore lokale.
Konflikti nisi, kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz e duke marrë peng 251 të tjerë, sipas shifrave të autoriteteve izraelite./Nacionale