Zjarri i afrohet Athinës, disa shtëpi dëmtohen e një spital evakuohet
Një zjarr në natyrë, i ndihmuar nga era, po përhapet në rajonin malor, Penteli, afër Athinës, të mërkurën në mëngjes, duke djegur shtëpi e duke i shtyrë autoritetet që të japin urdhër për evakuimin e njerëzve në të paktën nëntë zona dhe një spital.
Retë e trasha të tymit e errësuan qiellin mbi Malin Penteli, ku zjarri shpërtheu rreth orës 14 e 30 minuta të martën, rreth 27 kilometra në veri të pjesës qendrore të Athinës.
Brigada e zjarrfikësve tha se nuk ka raportime për ndonjë person të lënduar, raporton agjencia "Reuters".
Rreth 485 zjarrfikës dhe 120 automjete zjarrfikëse u dërguan në vendin e ngjarjes për ta luftuar zjarrin që po përhapet në disa fronte. Mbi shtatë helikopterë e aeroplanë po hedhin ujë mbi zjarr, ndonëse operacioni nga ajri është ndërprerë gjatë natës për arsye sigurie.
“Ishte një natë e vështirë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve, Yiannis Artopios, në një deklaratë televizive, duke shtuar se era po lëviz me shpejtësi prej më shumë se 80 kilometrash në orë.
“Për shkak të intensitetit dhe shpejtësisë së erës, zjarri vazhdimisht e ndryshoi drejtimin gjatë natës, që e bëri luftën ndaj tij, në mes të natës, edhe më të vështirë”, tha ai.
Autoritetet lokale thanë se disa shtëpi janë djegur nga zjarri në Pallini. Zjarrfikësit nuk e konfirmuan këtë informacion.
Evakuimi i njerëzve është urdhëruar në nëntë zona, përfshirë Pallini-n dhe Gerakas-in.
Një spital dhe Vëzhguesi Kombëtar i Athinës janë evakuuar si masë parandaluese. Trafiku është ndërprerë në rrugët që çojnë në Penteli dhe policia ndihmoi të paktën 600 banorë për t’u larguar nga zonat e prekura nga zjarri. Është parashikuar që era e fortë të vazhdojë deri të mërkurën pasdite.
Brigada e zjarrfikësve tha se 28 zjarrfikës nga Rumania po u ndihmojnë zjarrfikësve vendës. Më shumë se 200 zjarrfikës dhe pajisje nga Bullgaria, Franca, Gjermania, Rumania, Norvegjia dhe Finlanda do të jenë në gjendje gatishmërie gjatë muajve më të nxehtë, korrik e gusht, në Greqi.
Vitin e kaluar, një sipërfaqe prej rreth 121.000 hektarësh me pyje e shkurre u dogj në pjesë të ndryshme të Greqisë, kur vendi u ballafaqua me vapën më të madhe në tri dekadat e fundit./Nacionale

