Zjarr në një bllok zyrash në Xhakartë të Indonezisë, vdesin 22 njerëz
Një zjarr përfshiu një bllok 7-katësh me zyra në kryeqytetin e Indonezisë të martën, duke lënë të vdekur 22 persona, tha policia në shtetin e largët.
Zjarri tashmë është shuar dhe trupat e nxjerrë janë dërguar në spital për identifikim, tha para gazetarëve drejtori i policisë në Xhakartën Qendrore, Susatyo Purnomo Condro, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zjarri shpërtheu në katin e parë rreth mesditës dhe më pas u përhap në katet e mësipërme, tha Condro.
Në ndërtesë kishte zyra të kompanisë “Terra Drone Indonesia”, njësi e firmës japoneze “Terra Drone Corporation”, e cila ofron dronë për aktivitete vëzhguese ajrore dhe ka klientë nga fusha të ndryshme, përfshirë minierat dhe bujqësinë.
Në pamje të publikuara nga televizioni “Kompas TV” shiheshin dhjetëra zjarrfikës duke u përpjekur që të evakuonin njerëz si dhe disa të tjerë duke tërhequr qese me trupa nga ndërtesa. Disa punonjës u panë duke u larguar nga katet e mësipërme duke i përdorur shkallët e vendosura për ta.
“Një ekip policor i laboratorit të forenzikës ka arritur për ta hetuar shkaktarin e zjarrit” – tha zyrtari Condro.
“Sipas të dhënave të mbledhura deri më tani, bateritë e një droni u kapluan nga zjarri, por shkaktari i zjarrit, pika e prejardhjes ende është duke u hetuar” – shtoi ai, duke theksuar se policia do t’i marrë në pyetje pronarin e bizensit dhe pronarin e ndërtesës.
Kompania “Terra Drone” përmes një deklarate kërkoi falje për stresin e shkaktuar ndaj komunitetit lokal dhe klientëve, duke shtuar se ishte duke e hetuar ndikimin e zjarrit ndaj biznesit të saj./Nacionale