Zgjatet edhe për një ditë armëpushimi në Gaza, tre të vrarë nga një sulm në Jerusalem
Izraeli dhe Hamasi u pajtuan në momentet e fundit të enjten për ta zgjatur edhe për një ditë armëpushimin e përkohshëm për t’ua mundësuar negociatorëve punën rreth marrëveshjeve për shkëmbim të pengjeve e të burgosurve.
Pak pas njoftimit të marrëveshjes, policia izraelite tha se dy sulmues palestinezë hapën zjarr në një vendndalim autobusi gjatë periudhës së ngarkuar të mëngjesit në hyrje të Jerusalemit, duke vrarë tre persona e duke plagosur shtatë të tjerë. Policia tha se të dy sulmuesit “u neutralizuan”, raporton agjencia “Reuters”.
“Dy terroristë arritën në vendin e ngjarjes me një automjet të armatosur me armë zjarri. Këta terroristë hapën zjarr ndaj civilëve në stacionin e autobusit dhe më pas u neutralizuan nga forcat e sigurisë dhe një civil aty afër”- thuhet në njoftimin e policisë.
Kushtet e armëpushimit, përfshirë ndaljen e armiqësive dhe hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza, mbeten të njëjta, sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit. Katari ka qenë ndërmjetësues kyç mes palëve ndërluftuese, bashkë me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara.
Para arritjes së marrëveshjes, edhe Izraeli, edhe Hamasi kishin thënë se ishin duke u përgatitur për rifillimin e luftimeve, pasi bisedimet për shkëmbimin e radhës të pengjeve e të burgosurve pësuan ngërç.
“Para pak kohe, Izraelit iu dha një listë e grave dhe fëmijëve në përputhje me kushtet e marrëveshjes, prandaj armëpushimi do të vazhdojë”- thuhet në një deklaratë të zyrës së kryeministrit izraelit, që u publikua pak para se marrëveshjes së mëparshme për uljen e armëve t’i përfundonte afati.
Hamasi pretendoi të mërkurën se një familje e pengjeve izraelite prej tre anëtarësh, përfshirë një foshnjë 10-muajve, ishte vrarë gjatë bombardimeve të Izraelit në enklavë.
