Zelensky thotë se Ukraina ka zhvilluar një armë me rreze të gjatë që e ka goditur cakun 700 kilometra larg - NACIONALE

Zelensky thotë se Ukraina ka zhvilluar një armë me rreze të gjatë që e ka goditur cakun 700 kilometra larg

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të enjten se vendi i tij ka zhvilluar një armë që ka goditur një cak 700 kilometra larg, referencë e qartë për sulmin e djeshëm ndaj një aeroporti në pjesën perëndimore të Rusisë.

Zelensky tha në llogarinë e tij në rrjetin “Telegram” se arma e re është zhvilluar nga Ministria e Industrive Strategjike e Ukrainës, por nuk dha hollësi të tjera, raporton agjencia “Associated Press”.

Të mërkurën, një valë 4-orëshe dronësh, për të cilën Moska e fajësoi Ukrainën, goditi një aeroport afër kufirit të Rusisë me Estoninë dhe Letoninë, duke dëmtuar katër aeroplanë transportues ushtarakë të tipit Il-76, sipas raportimeve lokale.

Aeroporti që u godit ndodhet në rajonin Pskov të Rusisë, rreth 700 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën.

Në përgjithësi, gjashtë rajone ruse kanë qenë në shënjestër të sulmeve me dronë në luftën që nisi para 18 muajve.

Agjencia “Associated Press” nuk ka mundur të vërtetojë nëse dronët ishin nisur nga Ukraina apo brenda territorit të Rusisë.

Sulmi i detyroi autoritetet që ta mbyllnin aeroportin në Pskov, edhe pse ai u rihap të enjten, sipas zyrtarëve rusë të transportit.

Një dron tjetër, që u pengua gjatë natës afër Moskës, rezultoi në vonesë të fluturimeve në disa aeroporte përreth kryeqytetit rus, thanë të enjten zyrtarët. Nuk u raportua për ndonjë të lënduar.

Lajme të ngjashme