Zelensky thotë se Ukraina është gati për bisedime të paqes, por nuk dorëzon territore
Ukraina është e gatshme për bisedime të paqes, por nuk do të tërheqë trupa nga territore shtesë, siç ka kërkuar Rusia, thotë presidenti Volodymyr Zelensky.
Në komentet që u publikuan të martën, presidenti ukrainas tha se do të ishte i kënaqur me mbajtjen e bisedimeve kudo, me përjashtim të Rusisë ose aleates së saj të ngushtë, Bjellorusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Planet për një samit këtë muaj në Budapest mes presidentëve të ShBA-së dhe Rusisë, Donald Trump e Vladimir Putin, u pezulluan për shkak se Moska nuk hoqi dorë nga kërkesat e saj, përfshirë dorëzimin e më shumë territoreve nga Ukraina si kusht për armëpushim.
Zyrtarë ukrainas dhe evropianë do të takohen të premten ose të shtunën për t’i diskutuar hollësitë e një plani të armëpushimit, tha Zelensky të martën para gazetarëve, pasi u takua me kryediplomatin holandez, David van Weel, i cili e vizitoi Ukrainën.
“Nuk është plan për ta përfunduar luftën. Në rend të parë nevojitet një armëpushim” – tha presidenti ukrainas.
“Ky është një plan për ta nisur diplomacinë... Këshilltarët tanë do të takohen ditëve në vijim, u pajtuam për të premten ose të shtunën. Ata do t’i diskutojnë hollësitë e këtij plani” – shtoi Zelensky.
Në komentet e së hënës për gazetarët, ai tha se do të merrte pjesë me kënaqësi në bisedimet e paqes, qofshin ato edhe në Hungari, pavarësisht rezervave rreth disa prej pozicioneve të kryeministrit të saj, Viktor Orban, i cili, sipas Zelenskyt, “bllokon gjithçka për Ukrainën”.
“Nëse do të ketër rezultate, atëherë Zoti e bekoftë – le të mbahen bisedimet e paqes kudo. Kjo pothuajse s’ka rëndësi, veçse jo në Rusi, natyrisht, dhe përfundimisht jo në Bjellorusi” – tha më tej presidenti ukrainas./Nacionale