Zelensky thotë se s’mund t’i parashikojë veprimet e Trumpit, nëse ai bëhet president - NACIONALE

Zelensky thotë se s’mund t’i parashikojë veprimet e Trumpit, nëse ai bëhet president

9 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të martën se nuk do të mund të parashikonte se çfarë do të bënte amerikani Donald Trumpi, nëse ai i fiton zgjedhjet presidenciale në nëntor, por e tërë bota, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, po e presin rezultatin e asaj gare.

Duke folur në Uashington në kohën kur udhëheqësit botërorë janë mbledhur për samitin e NATO-s këtë javë, Zelensky tha se shpreson që Trumpi nuk do t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga NATO-ja dhe se Uashingtoni do ta vazhdojë përkrahjen për Ukrainës në mbrojtje kundër pushtimit rus, raporton agjencia “Reuters”.

“Nuk e njoh [Tumpin] shumë mirë” – tha presidenti ukrainas, duke shtuar se kishte pasur “takime të mira” me amerikanin gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, por theksoi se ato ishin para fillimit të pushtimit rus.

“Nuk mund t’ju them se çfarë do të bëjë ai, nëse do të bëhet president i Shteteve të Bashkuara. Nuk e di” – deklaroi Zelensky.

Trumpi, që pritet të jetë i nominuar i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, shpesh e ka kritikuar nivelin e përkrahjes ushtarake amerikane për Ukrainën – rreth 60 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës – dhe e ka quajtur Zelenskyn “shitësi më i madh ndonjëherë”.

Dy këshilltarë të tij për siguri kombëtare i kanë paraqitur një plan për t’i dhënë fund përkrahjes ushtarake amerikane për Ukrainën, nëse Kievi nuk nis bisedime me Moskën për ta përfunduar konfliktin.

Sa i përket politikës ndaj NATO-s, Trumpi ka thënë se do ta “inkurajonte” Rusinë që të bëjë “çfarëdo dreqin që ata duan” ndaj cilitdo shtet anëtar të aleancës që nuk shpenzon mjaftueshëm në fushën e mbrojtjes dhe se ai nuk do ta mbronte atë vend. Karta e NATO-s detyron secilin anëtar që t’u dalë në mbrojtje atyre që sulmohen.

Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve politikë amerikanë të martën që të mos e prisnin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit për ta ndihmuar vendin e tij dhe kërkoi që të ketë më pak kufizime rreth përdorimit të armatimit amerikan.

“Të gjithë po e presin nëntorin. Amerikanët po e presin nëntorin, në Evropë, Lindje të Mesme e në Paqësor, tërë bota po shikon nga nëntori dhe, thënë të vërtetën, edhe Putini e pret nëntorin” – tha presidenti ukrainas.

“Është koha për të dalë nga hija, për të marrë vendime të forta... për të vepruar e për të mos e pritur nëntorin apo ndonjë muaj tjetër” – shtoi ai.

Më herët të martë, presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua në samitin e NATO-s se do ta mbronte me forcë Ukrainën./Nacionale

Lajme të ngjashme