Zelensky thotë se rusët po i gjuajnë me armë shpëtuesit në zonat e vërshuara
Forcat ruse kanë shtënë në drejtim të shpëtuesve ukrainas që po mundohen të arrijnë në zonat e vërshuara nga uji në rajonin Kherson e që janë nën kontrollin e forcave ruse, tha të mërkurën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ekipet e shpëtimit po përpiqen që të evakuojnë mijëra njerëz në zonën e vërshuar pas dëmtimit të digës në Nova Kakhovka, raporton televizioni CNN.
“Njerëz kanë vdekur, kafshë kanë ngordhur. Nga kulmet e shtëpive të vërshuara, njerëzit shohin njerëz të mbytur duke qëndruar mbi ujë. Mund ta shihni këtë në anën tjetër. Është shumë vështirë që të nxirren njerëzit nga pjesa e pushtuar e rajonit të Khersonit”- tha Zelensky në një intervistë për tabloidin “Bild” të Gjermanisë.
“Kur forcat tona mundohen që t’i nxjerrin ata (banorët), drejt tyre qëllohet me armë nga pushtuesit nga largësia. Porsa ndihmësit tanë mundohen t’i shpëtojnë ata, në drejtim të tyre qëllohet. Nuk do të mund t’i shohim të gjitha pasojat deri disa ditë më pas, kur niveli i ujit të ketë rënë pak”- shtoi ai.
Të mërkurën, një vullnetar që po merrte pjesë në përpjekjet për shpëtim në Kherson i tha televizionit CNN se vullnetarët ballafaqohen me bombardimet e rusëve pothuajse në çdo mësymje.
“Natyrisht se është tepër e rrezikshme”- tha Roman Skabdrakovi nga Grupi i Vullnetarëve “Kaiman”.
Ukraina dhe Rusia e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës, pa paraqitur fakte konkrete për pretendimet e tyre. Nuk është ende e qartë nëse diga është shkatërruar qëllimisht apo nëse shembja ishte rezultat i dështimit të strukturës.

