Pamje: Të ngujuarve nga vërshimet në Ukrainë u lëshohen shishe me ujë përmes dronit - NACIONALE

Pamje: Të ngujuarve nga vërshimet në Ukrainë u lëshohen shishe me ujë përmes dronit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkatërrimi i një dige në Ukrainë ka shkaktuar vërshime në një zonë të gjerë dhe nuk dihet se sa njerëz kanë mbetur të ngujuar, por autoritetet po mundohen që t’i ndihmojnë ata, përfshirë metodat më të pazakonshme, si përdorimi i dronëve.

Ushtria ukrainase ka publikuar një video ku shihet se si u janë dhënë shishe me ujë të pijshëm përmes dronëve njerëzve të ngujuar në shtëpitë e tyre në zonat e kontrolluara nga rusët, raporton televizioni BBC.

Një zonjë shihet duke i mbajtur duart lart për të kapur një shishe nga droni, por shishja për pak nuk bie në duart e saj, por fillimisht në tjegulla e pastaj në ujin e vërshimeve.

Sidoqoftë, më pas, e njëjta grua shfaqet duke arritur që të kapë një shishe tjetër të hedhur nga droni.

Në video shihet edhe një fëmijë duke kapur një shishe me ujë të pijshëm. I gëzuar, ai bën me shenjë me gishtin e madh para kamerës së dronit në shenjë falënderimi për ndihmën.

Sasia e madhe e ujit që po rrjedh nga diga e dëmtuar në Nova Kakhovka ka shkaktuar vërshime në një zonë të konsiderueshme, duke shkaktuar frikë për një katastrofë humanitare.

Ukraina dhe Rusia e kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulm ndaj digës. Tashmë është raportuar për viktimat e para. Thuhet se tre njerëz janë mbytur në ujë.

Lajme të ngjashme