Raportohet për viktimat e para nga vërshimet pas goditjes së digës në Ukrainë
Tre persona kanë vdekur si rezultat i vërshimeve të shkaktuara pas dëmtimit të një dige në Nova Kakhovka në jug të Ukrainës, raportojnë mediat lokale. Presidenti Volodymyr Zelensky ka shprehur shqetësim për jetën e ukrainasve në zonat e goditura nga vërshimet që janë nën kontrollin e rusëve.
Duke e cituar kryetarin në ekzil të qytetit të pushtuar nga rusët, Oleshky, Yevhen Ryshchuk, mediumi “Kyiv Independent” raportoi se tre persona janë mbytur në ujë në rajonin e Khersonit, raporton gazeta “The Guardian”.
Në një paraqitje publike të mërkurën në mbrëmje, presidenti Zelensky tha se është e pamundshme që të parashikohet se sa njerëz do të vdesin në pjesët e pushtuara nga rusët për shkak të vërshimeve, duke bërë thirrje për “reagim të qartë dhe të shpejtë nga bota” për t’i përkrahur të prekurit.
Ai gjithashtu i kritikoi ashpër Kombet e Bashkuara dhe Kryqin e Kuq, për të cilët tha se nuk janë duke dhënë ndihmë në përpjekjet për shpëtim.
“Ushtria dhe shërbimet tona të posaçme po shpëtojnë njerëz aq sa është e mundshme, pavarësisht nga bombardimet, por nevojiten përpjekje të shkallës së lartë”- tha Zelensky. “Kemi nevojë që organizatat ndërkombëtare, si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, menjëherë t’i bashkohet operacionit të shpëtimit dhe t’i ndihmojnë njerëzit në pjesën e pushtuar të rajonit të Khersonit”- shtoi ai.
“Nëse një organizatë ndërkombëtare nuk është e pranishme në zonën e fatkeqësisë, kjo do të thotë se ajo nuk ekziston fare ose është e paaftë”- tha Zelensky në video-adresimin e tij.
Shkatërrimi i digës që ndodhet afër vijës së frontit ka shkaktuar vërshime në dhjetëra fshatra dhe në disa pjesë të një qyteti që shtrihet afër saj, duke shkaktuar frikë për katastrofë humanitare.
