Paralajmërohet për dëm të madh në bujqësinë e Ukrainës nga shkatërrimi i digës: Edhe vërshime, edhe shkretëtirë - NACIONALE

Paralajmërohet për dëm të madh në bujqësinë e Ukrainës nga shkatërrimi i digës: Edhe vërshime, edhe shkretëtirë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkatërrimi i digës në Nova Kakhovka do ta shkaktojë vërshimin e mijëra hektarëve të tokës bujqësore në pjesën jugore të Ukrainës dhe mund të shndërrojë në shkretëtirë të paktën 500 mijë hektarë që do të mbeten pa ujitje, sipas Ministrisë së Bujqësisë të Ukrainës.

Ukraina, kultivuese dhe eksportuese e rëndësishme e drithit në botë, e ka akuzuar Rusinë se ka kryer krim lufte përmes sulmit ndaj digës së ndërtuar në periudhën sovjetike. Në anën tjetër, Kremlini e ka fajësuar Kievin për këtë ngjarje, raporton agjencia “Reuters”.

Kievi ka vlerësuar se rreth 42 mijë njerëz janë në rrezik nga vërshimet që pritet ta arrijnë nivelin më të lartë të ujit të mërkurën. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shkatërrimi i digës ka lënë qindra mijëra njerëz pa qasje normale në ujë të pijes.

“Shkatërrimi i stacionit hidroelektrik të rrymës në Kakhovka do të çojë te fakti se fushat në jug të Ukrainës mund të shndërrohen në shkretëtira vitin e ardhshëm”- tha Ministria e Bujqësisë.

Përmes një deklarate të publikuar të martën vonë, kjo ministri tha se katastrofa e digës do ta shkaktojë ndërprerjen e furnizimit me ujë në 31 sisteme të ujitjes në rajonet Dnipro, Kherson dhe Zaporizhia.

Sipas kësaj ministrie, në vitin 2021, para fillimit të luftës, këto sisteme ofronin ujitje për 584 mijë hektarë nga të cilët bujqit kanë marrë rreth katër milionë tonë drithë dhe fara vaji.

Në deklaratë thuhet se 94 për qind e sistemeve të ujitjes në Kherson, 74 për qind në Zaporizhia dhe 30 për qind në Dnipro kanë mbetur pa ujë pas shkatërrimit të digës.

Analistët thonë se prishja e digës mund ta ndërlikojë përparimin e forcave ukrainase në rast të zhvillimit të ndonjë sulmi, edhe pse Kievi nuk ka treguar se në cilin drejtim planifikon që të sulmojë.

“Duke marrë parasysh se Rusia është në mbrojtje strategjike dhe Ukraina në sulm strategjik, kjo është përparësi për Rusinë në aspektin afatshkurtër, definitivisht”- tha Ben Barry nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

“Kjo do t’i ndihmojë rusët derisa të ulet niveli i ujit, sepse gjendja e bën më të vështirë për Ukrainën që të bëjë kalime sulmuese matanë lumit”- shtoi ai përmes një interviste me telefon.

Lajme të ngjashme