Ukraina thotë se mbi 40 mijë njerëz janë në rrezik nga vërshimet pas shkatërrimit të digës
Rreth 42 mijë persona janë në rrezik nga vërshimet në të dyja anët e Lumit “Dnipro” pas shkatërrimit të digës në Nova Kakhovka, sipas zyrtarëve ukrainas. Pritet që niveli i ujit ta arrijë maksimumin të mërkurën.
Shefi i agjencisë së ndihmave të OKB-së, Martin Griffiths, tha në Këshillin e Sigurimit të martën në mbrëmje se prishja e digës do të ketë pasoja të gjera e të rënda për mijëra njerëz në pjesën jugore të Ukrainës në të dyja anët e vijës së frontit përmes humbjes së shtëpive, ushqimit, ujit të sigurt dhe jetesës, raporton gazeta “The Guardian”.
Një ditë pas katastrofës, guvernatori ukrainas i rajonit Kherson, Oleksandr Prokudin, e akuzoi Rusinë për bombardimin e zonës, duke vrarë një person dhe duke lënduar një tjetër. Ai nuk paraqiti hollësi të tjera dhe pretendimi i tij nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Punëtorët e ndihmave në anën e djathtë të lumit, e cila kontrollohet nga forcat ukrainase, kanë raportuar se kanë qenë të detyruar të punonin nën zjarrin e armëve. “Vështirësia më e madhe tash për tash nuk është uji. Janë rusët në anën tjetër të lumit, të cilët po na bombardojnë me artileri”- tha Andrew Negrych, i cili ishte duke i bashkërenduar përpjekjet për ndihma në emër të një organizate bamirëse amerikane.
Të martën në mbrëmje në Kherson, reporterët e agjencisë “Reuters” dëgjuan katër shpërthime artilerie afër një lagjeje ku ishin duke u evakuuar civilët.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Tass”, e citoi kryetarin e qytetit, i emëruar nga rusët, të ketë thënë se të paktën shtatë persona janë zhdukur pas shpërthimit të digës.
Në pamje satelitore të kompanisë “Maxar Technologies” shihen shtëpi dhe ndërtesa të tjera të vërshuara. Sipas kësaj kompanie, në pamje shihen shumë qyteza e fshatra të vërshuara. Shumë ndërtesave u shihej vetëm kulmi.
Besohet se rreth 80 komunitete janë të rrezikuara nga vërshimet. Autoritetet kanë përgatitur autobusë e trena, ndërsa ka edhe vetura private që do të përdoren për t’i dërguar banorët në vende të sigurta.
Ukraina dhe Rusia e kanë fajësuar njëra-tjetrën për shembjen e digës. I dërguari ukrainas në OKB e akuzoi homologun rus për hedhjen e “baltës së gënjeshtrave” gjatë një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën në mbrëmje.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk janë të sigurta se kush është përgjegjës për shkatërrimin e digës, por zëvendësambasadori amerikan në OKB, Robert Wood, u tha gazetarëve se nuk do të kishte logjikë që Ukraina ta shkatërronte digën dhe t’i dëmtonte njerëzit e vet.
