Qytezën ukrainase e merr uji pas sulmit ndaj digës, mjellmat shihen duke notuar rrugëve - NACIONALE

Qytezën ukrainase e merr uji pas sulmit ndaj digës, mjellmat shihen duke notuar rrugëve

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Disa mjellma janë parë duke notuar nëpër qytezën ukrainase, Nova Kakhovka, në jug të Ukrainës, pasi një digë e madhe u sulmua dhe u thye, duke shkaktuar vërshime e evakuim të banorëve.

Në videon që e ka publikuar edhe televizioni BBC, dy mjellma shihen duke notuar mbi ujin e vërshimeve pranë një ndërtese me flamuj të Rusisë.

Ukraina i ka akuzuar forcat ruse për sulmin ndaj digës, por Kremlini e ka mohuar akuzën, duke thënë se Kievi qëllimisht e ka sabotuar hidrocentralin për ta larguar vëmendjen nga kundërofensiva.

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka bërë thirrje që të organizohet një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për ta diskutuar atë që e quajti “akt terrorist kundër infrastrukturës kritike ukrainase”.

Përmes një deklarate, kjo ministri bëri thirrje që bordi i guvernatorëve të agjencisë bërthamore të OKB-së të diskutojë për incidentin dhe kërkoi sanksione të reja ndaj Rusisë nga Bashkimi Evropian dhe Grupi G7, me fokus të veçantë në industrinë e raketave dhe në sektorin bërthamor.

Bashkimi Evropian e ka dënuar shkatërrimin e digës në Nova Kakhovka, duke e quajtur “të tmerrshëm dhe barbar” këtë veprim.

“Kjo është një shenjë e re e eskalimit, duke e çuar në nivele të pashembullta natyrën e tmerrshme dhe barbare të agresionit rus kundër Ukrainës”- tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Lajme të ngjashme