Zelensky thotë se Putini do ta shkatërrojë Evropën, nëse ShBA-ja largohet nga NATO-ja
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se garancitë e sigurisë për Kievin që t’i japë fund luftës me Rusinë do të ishin efikase, vetëm nëse ato ofrohen nga Shtetet e Bashkuara dhe se ai shpreson që të takohet së shpejti me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, shpejt pas inaugurimit të tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.
Në një intervistë me autorin amerikan të “podcast”-eve, Lex Fridman, që u publikua të dielën, Zelensky tha se ukrainasit janë duke llogaritur në Trumpin që ta detyrojë Moskën për t’i dhënë fund luftës dhe se Rusia do të përshkallëzojë në Evropë, nëse Uashingtoni tërhiqet nga NATO-ja, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zelensky e shfrytëzoi intervistën treorëshe të publikuar në “YouTube” për të bërë thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke e theksuar bindjen e tij se një armëpushim pa garanci të sigurisë për Kievin thjesht do t’i jepte Rusisë kohë për t’u riarmatosur për një sulm të ri.
Sipas tij, Shtëpia e Bardhë nën Donald Trumpin ka rol jetik për të luajtur në ofrimin e garancive të sigurisë dhe pohoi se ai dhe presidenti i zgjehdur amerikan janë shikuar sy më sy për nevojën për qasjen “paqe përmes forcës” për t’i dhënë fund konfliktit.
“Pa Shtetet e Bashkuara, garancitë e sigurisë nuk janë të mundshme. Dua të them këto garanci të sigurisë që mund ta parandalojnë agresionin rus” – tha ai, duke pranuar tërthorazi që aleatët evropianë të Kievit do të ishin ushtarakisht shumë të dobët për t’ia dalë mbanë vetë.
Nga këndvështrimi i Zelenskyt, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është i interesuar për bisedime serioze që t’i jepet fund luftës dhe se kreu i Kremlinit duhet të detyrohet që të ndalet dhe të pajtohet për paqe të qëndrueshme.
Edhe pse theksoi se u përket Shteteve të Bashkuara që të vendosin për të ardhmen e tyre, Zelensky paralajmëroi se çfarëdo vendimi i Uashingtonit nën pushtetin e Trumpit për të dalë nga NATO-ja do ta dobësonte aleancën ushtarake dhe do ta trimëronte Putinin në Evropë.
“Unë thjesht po them se nëse ajo [ShBA-ja] e bën këtë [largohet nga NATO-ja], Putini do ta shkatërrojë Evropën” – tha ai, duke shtuar se ka nevojë që të ulet e të flasë me Trumpin për ta diskutuar rrjedhën e veprimeve për ta ndalur Kremlinin dhe se qeveritë evropiane gjithashtu duhet të kenë një zë në këtë proces para se Ukraina të mund të ulet për bisedime me palën ruse./Nacionale