Zelensky paralajmëron për sulme të reja ruse para bisedimeve të paqes në Gjenevë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se të dhënat e inteligjencës ukrainase tregojnë se priten më shumë sulme ruse ndaj caqeve energjetike dhe se sulmet e tilla e bëjnë më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës që nisi para gati katër vjetëve.
“Raportet e inteligjencës tregojnë se Rusia është duke përgatitur sulme të mëtejme masive kundër infrastrukturës energjetike, prandaj është e nevojshme që të sigurohemi që të gjitha sistemet e mbrojtjes ajrore janë të konfiguruara në mënyrën e duhur” – tha Zelensky, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Negociatorët ukrainas, rus e amerikanë të martën do të mblidhen në Gjenevë të Zvicës për rundin e tretë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga ShBA-ja. Diskutimet do të jenë të përqendruara për herë të parë në çështjen më problematike të luftës – gatin e territorit ukrainas të pushtuar nga Rusia.
Zelensky tha se sulmet ruse “vazhdimisht po evoluojnë” dhe po bëhen si kombinim i armëve, përfshirë dronët e raketat, gjë që kërkon “mbrojtje të veçantë dhe mbështetje nga partnerët tanë”.
“Rusia nuk mund t’i bëjë ballë tundimit të ditëve të fundit të të ftohtit të dimrit dhe dëshiron që t’i godasë ukrainasit në mënyrë të dhimbshme. Partnerët duhet ta kuptojnë këtë. Në rend të parë, këtu përfshihen Shtetet e Bashkuara” – paralajmëroi ai.
Agjencia “Reuters” nuk mundi të kontaktonte me zyrtarë rusë për t’u marrë ndonjë koment.
Udhëheqësi i delegacionit ukrainas në bisedime, Rustem Umerov, tha në rrjetin “Telegram” se ekipi i tij tashmë ndodhej në Gjenevë dhe priste “punë konstruktive dhe takime përmbajtësore rreth sigurisë dhe çështjeve humanitare”.
Rusia kërkon nga Ukraina që ta dorëzojë tërë rajonin e Donabsit. Kremlini ka konfirmuar se ndihmësi i presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky, do ta udhëheqë delegacionin rus në këto bisedime./Nacionale