Zelensky në selinë e NATO-s në Bruksel, kërkon armë për ta kaluar dimrin - NACIONALE

Zelensky në selinë e NATO-s në Bruksel, kërkon armë për ta kaluar dimrin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të mërkurën e vizitoi selinë qendrore të NATO-s në Bruksel për të kërkuar më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe municion që vendi i tij të kalojë më lehtë edhe një dimër në luftë.

Në vizitën e tij të parë në selinë qendrore të NATO-s që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit të kaluar, Zelensky tha se muajt e ftohtë të dimrit do të jenë njëra ndër sfidat më të mëdha të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne po përgatitemi, ne jemi gati. Tani kemi nevojë për ca përkrahje nga udhëheqësit”- tha Zelensky para gazetarëve para se të takohej me ministrat e Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe të rreth 20 shteteve të tjera që i japin Ukrainës mbështetje ushtarake në një forum të udhëhequr nga ShBA-ja, i njohur si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Duke qëndruar pranë Zelenskyt, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se presidenti rus, Vladimir Putin “po përgatitet edhe një herë që ta shfrytëzojë dimrin si armë lufte” përmes sulmeve ndaj infrastrukturës së energjisë në Ukrainë.

“Ne duhet ta parandalojmë këtë. Me kapacitete më të avancuara e të shtuara për mbrojtje ajrore, ne mund të bëjmë një dallim të madh”- shtoi ai.

Të mërkurën, një zyrtar amerikan i mbrojtjes tha se një pako e re ndihme me vlerë prej 200 milionë dollarësh për Ukrainën do të publikohet së shpejti dhe se në të do të përfshihen raketat për mbrojtje ajrore e municioni.

Përpos me Stoltenbergun, Zelensky pritet që në Belgjikë të takohet edhe me kryeministrin e këtij shteti, Alexander De Croo. Ai tha se dy udhëheqësit do të diskutojnë për propozimet që të shfrytëzohen pasuritë e ngrira ruse që të ndihmohet Ukraina.

Lajme të ngjashme